Gërdeci, Gjykata pushon çështjen e Mediut

Sërisht për ish- Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, nuk nis asnjë çështje që ka lidhje me Gerdecin. Gjykata e Lartë pushon çështjen ndaj ish- Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia si dhe padisë për dëmshpërblim.
Argumenti i dhënë nga relatorja e Gjykatës së Lartë Evelina Qirjako, është heqja dorë nga padia e të plagosurit të tragjedisë së Gërdecit Zyber Lela.
Me një kërkesë të noterizuar Zyber Lela, i cili kishte paditur Mediun dhe 29 të pandehur të tjerë për dëmshpërblim moral dhe material, ka hequr dore duke sjellë në seancë edhe pushimin e çështjes për Mediun dhe për 29 të pandehurit e tjerë, shpalljen e moskopetencës nga ky organ suprem dhe dërgimin në Gjykatën e Tiranës.
Ndërsa po për këtë çështje për tragjedinë e Gërdecit por në Gjykatën e Tiranës, seanca e radhës është zhvilluar me debate mes kryesuesit të trupit gjykues Ridvan Hado dhe një prej familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, ku shkak ka qenë shtyrja e seancës për mungesë të avokatëve.
Teksa gjyqtari Hado ka lexuar emrat e avokatëve të cilët nuk ndodheshin në sallë, Zamira Durda, nëna e Erisonit, viktimë e shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec, ka debatuar me kryesuesin e trupit gjykues, se kërkon drejtësi dhe që duhet të merren masa për avokatët që shtyjnë gjyqin.
"Edhe pse seanca zhvillohet tre herë në javë, ajo sërisht shtyhet, unë kërkojë drejtësi", kështu është shprehur e revoltuar Zamira Durda.
Ndërsa pas kësaj, Hado ka kërkuar largimin e saj nga salla, por që kjo e fundit nuk është bindur duke qëndruar deri në shtyrjen e seancës.