Gërdeci II, nis sot në Gjykatën e Tiranës
TIRANE - Fillon sot shqyrtimi i dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit. Ora 10:00 e ditës së sotme pritet të shënojë fillimin e gjykimit për pjesën e veçuar të dosjes në ngarkim të 29 të pandehurve në këtë gjykatë. Seanca gjyqësore do të zhvillohet në një nga sallat e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës. Kjo, për shkak të numrit të madh të të pandehurve dhe të avokatëve mbrojtës në këtë proces gjyqësor. Ndërkohë që dje, Gjykata e Tiranës shtyu për një datë të re shqyrtimin e padisë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndaj prokurorit Sokol Stojani. Ditën e djeshme ish-ministri kishte paraqitur një deklaratë, ku kërkonte shtyrjen e seancës. "Kërkoj shtyrjen e seancë, pasi për shkak të problemeve shëndetësore duhet të bëj një vizitë të specializuar në Greqi", citoi deklaratën e Mediut, kryesuesi i seancës, gjyqtari Kreshnik Omari. Në këtë padi, Mediu kërkon shfuqizimin e vendimit që pushoi kallëzimin penal të bërë nga ai drejt Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama dhe prokurorit Sokol Stojani. ar.ba