E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi 6 milionë USD, në garë 520 ish-pronarë

 

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mbyll procesin e depozitimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Data 14 korrik ishte afati i fundit i paraqitjes së kërkesave nga ana e ish-pronarëve, të cilët duan të përfshihen në kompensimin e fondit prej 600 milionë lekësh. Sipas burimeve zyrtare pranë Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave mësohet se janë rreth 520 ish-pronarë që kanë paraqitur kërkesat e tyre në lidhje me të drejtën e kompensimit. Mbyllja e afatit do të shpallet në ditën e sotme nga vetë drejtuesit e AKKP-së, në të cilën do të shpjegohen edhe procedurat në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të paraqitura nga ana e subjekteve të shpronësuara. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave një muaj më parë shpalli procedurën e depozitimit të kërkesave nga ana e subjekteve të shpronësuara, në të cilën do të përfshiheshin në procesin e kompensimit financiar. Paraqitja e kërkesave është bërë në zyrën qendrore në Tiranë. Pas mbylljes së këtij procesi, zyrat rajonale të AKKP-së në 12 qarqet e vendit do të nisin procedurën e verifikimit të dosjeve nëse ato përmbushin kriteret ligjore. Në bazë të ligjit, AKKP-ja ka afat tre muaj për të realizuar verifikimin e kërkesave të ish-pronarëve si dhe të realizojë në të njëjtën kohë shqyrtimin e dosjeve të paraqitura. Nëse realizohen afatet maksimale, i bie që brenda 14 tetorit AKKP-ja duhet të mbyllë të gjithë këtë procedurë. Vitin e kaluar Agjencia regjistroi 740 kërkesa, duke shpallur fitues 163 ish-pronarë, fonde të cilat u shpërndanë në 2 shkurt të këtij viti. Vitin e kaluar shuma totale e shpërndarjes shkonte në 5 milionë USD, ndërsa për këtë vit qeveria ka akorduar 1 milion USD më tepër për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Ky është i pesti vit që qeveria shpërndan fonde për kompensimin e ish-pronarëve. Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit. Kjo vetëm nëse nuk kanë përfituar: nga kompensimet e mëparshme; kthim fizik të pjesshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt; nga e drejta e parablerjes; nga zbatimi i ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991, “Për tokën”. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›