Maunja me 1146 kg kanabis, trafikantët në gjyq
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj katër personave të akuzuar për trafikimin e 1146 kilogramëve marijuanë në drejtim të Greqisë në vitin 2005. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se Helidon Xhaferi, Ardi Xhaferi, Hasan Gjinaj dhe Laver (Xhafer) Tozaj, akuzohen për "trafik narkotikësh në bashkëpunim". Sipas Prokurorisë, ngjarja për të cilën janë të pandehur personat e dërguar në gjykim, ka ndodhur më 17 mars 2005, në pikën e kalimit kufitar Kakavijë ku është sekuestruar sasia prej 1146 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Droga ishte ngarkuar në një kamion që kishte si destinacion, kalimin në territorin e shtetit grek. Sipas Prokurorisë, drejtuesi i mjetit, Et'hem Danaj u arrestua në flagrancë dhe u dërgua në gjykim para katër të pandehurve të dosjes aktuale, për të cilët u desh të hetohej në një kohë më të gjatë deri në zbulimin e tyre. Lënda narkotike e bllokuar në Kakavijë, sipas Prokurorisë ishte fshehur në një "dhomë" të improvizuar posaçërisht për fshehje të drogës. Prokuroria thekson se të akuzuarit kanë financuar blerjen e drogës, e cila po trafikohej për në Greqi në momentin kur u bllokua nga policia. Ata madje kanë marrë pjesë në paketimin e drogës, duke e fshehur atë në kamionin që do ta transportonte drejt Greqisë. Njëri nga të akuzuarit, Ardi Xhaferri, sipas Prokurorisë kishte aktivitet biznesi në Vlorë ndërsa maunja që ishte mbushur me drogë i përkiste kompanisë së tij të import-eksportit të mallrave. Akuza thekson se i pandehuri Hasan Gjinaj, i cili ka qenë me banim të përkohshëm në Greqi, ka rënë në marrëveshje me persona shqiptarë dhe të huaj, duke gjetur treg për shitjen e lëndës narkotike, e cila u kap duke u trafikuar për në Greqi. Lënda narkotike mësohet se ishte futur në kokën tërheqëse të maunes, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës. Më pas mjeti është nisur ndërsa është shoqëruar nga Ardi Xhaferi, Helidon Xhaferi e Laver Tozaj, të cilët mbanin komunikim të vazhdueshëm me shoferin e mjetit, duke e siguruar që të mos kishte frikë se do të kalonte pa probleme në Kakavijë", tha Prokuroria. tr.so