E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e zgjedhjeve

Mentor Nazarko 

Ndërsa shumë komente po i adresohen humbësve, apo fituesve të zgje-dhjeve, nisur nga shpërndarja thuajse e sigurt e mandateve, shumë pak komente kanë për subjekt Kodin Zgjedhor si ai po zbatohet, dhe si pasojë dhe përgjegjësitë apo meritat e hartuesve dhe zbatuesve të tij. Me mjeshtëri po shmangen dhe komentet për ekzekutuesit kryesorë të këtij Kodi, njerëzit e qeverisë, që në një mënyrë ose në një tjetër kanë rol vendimtar në përmbushjen cilësore të procesit zgjedhor. Komenti i mëposhtëm nuk merr përsipër të kritikojë Kodin apo sistemin zgjedhor, një krijesë pa shpirt, duke i mveshur atribute njerëzore që nuk i ka. E dimë gjithashtu se për të pasur një kritikë tërësore të Kodit, duhet pritur gjithë procesi zgjedhor, pra dhe procesi i ankimimeve eventuale në Kolegjin Zgjedhor. Megjithatë disa përfundime thuajse të sigurta duhen thënë që tani, për problemet e Kodit, zbatimit të tij, por dhe pasojat në integrimin evropian të vendit.
Mund të thuhet me siguri që ky Kod ka dështuar. Me këtë duhet kuptuar jo thjesht sistemi zgjedhor, pjesë e këtij Kodi, por edhe kuadri i normave që rregullon administrimin e procesit zgjedhor, votimin, numërimin, institucionet përgjegjëse, etj, etj. Sepse ky Kod, megjithë hollësitë në gjoja rregullimin e procesit zgjedhor, ka dështuar në thuajse të gjithë elementët e tij, duke nisur nga më thelbësorët-dy javë pas votimeve s’kemi një rezultat zyrtar!
Kjo ndodh pasi u çalua në përmbushjen e shumë prej pikave kryesore të tij. Kështu p.sh nuk u respektuan detyrimet e Kodit që Komisionet zgjedhore lokale (KZAZ), të dorëzonin në KQZ tabelat përmbledhëse brenda orës 17:00 të ditës së nesërme, nga mbarimi i procesit zgjedhor (neni 122). Për pasojë as dhe KQZ nuk ju përmbajt detyrimit ligjor, sipas nenit 123, për ta shpallur rezultatin 48 orë pas mbërritjes së tabelave përmbledhëse. Duket i vështirë dhe thuajse i pamundur referimi ndaj një neni si ai 125, për llogaritjen e afateve, duke konsideruar ankimimet të cilat mund ta vonojnë pafundësisht procesin. Nuk pati mekanizma parandalues as për ata kandidatë që duke mos respektuar ligjin, kandidojnë duke mbajtur në kurriz dhe mandate të tjerë. Kodi rezultoi utopik për shumë nga pjesët e tij, si ajo për financimin e partive, nga paratë publike apo jopublike. Duket shumë qartë që kjo është fushata më e shtrenjtë e gjithë këtyre viteve (përflitet se janë shpenzuar 200 milionë euro), por s’kemi parë asnjë reagim protransparencës nga ana e KQZ, ndërkohë që duhet të kishte një ligj ad hoc për financimin e partive të fokusuar pikërisht te fushata zgjedhore, momenti më i rëndësishëm i financimit të tyre.
 Kodi dëfteu dobësi të tjera dhe në shumë momente të rëndësishme, ndërsa nuk është testuar në mënyrën e funksionimit të Kolegjit Zgjedhor. KQZ-së i atribuohen dhe kompetenca të reja, thuajse utopike- edhe gjobitja e subjekteve për shkeljen e kuotave gjinore-, por heqja e saj nga lista e institucioneve kushtetuese, i zbeh në mënyrë të natyrshme autoritetin e këtij institucioni.
KQZ apo dhe institucionet e tjera (pse jo prokuroria) nuk kanë reaguar gjithashtu as ndaj akuzave të palëve për vjedhje të votave, kryesisht në dëm të partive të vogla, megjithëse në këto pretendime ka edhe absurditete. Kështu përshembull, LSI akuzon PS-në për vjedhje të votave të saj, ndërkohë që duke e marrë për të mirëqenë këtë vjedhje, njëlloj përgjegjës është dhe PD-ja, njerëzit e të cilës kanë toleruar vjedhjen, ndoshta në emër të marrëveshjes së hajdutëve të mëdhenj: ju vidhni të djathtët e vegjël, ne vjedhim të majtët e vegjël.
Ka dhe një sërë dobësish të tjera të Kodit, që e bëjnë atë të amendueshëm thuajse tërësisht që për zgjedhjet lokale të 2011, si për listat, për kartat e identitetit, etj. Nuk është rrethanë lehtësuese as fakti se rezultati ishte aq shumë i ekuilibruar, sa palët do të ushtronin presion politik mbi institucionet zgjedhore dhe do ta deformonin procesin. Ky ekuilibër ishte diçka e parashikuar, ashtu si dhe problemet me burim partitë politike që po shohim si pasojë e tij.
Përgjegjësit
Pse ndodhën gjithë dukuritë negative që pamë? Ndërsa kudo në botë është prirje e konsoliduar vendosja e institucioneve apolitike të administrimit të zgjedhjeve, ky Kod eci në të kundërt: ai thelloi politizimin e tyre në të gjithë nivelet, përfshi KQZ-në, duke e bërë thuajse të paadministrueshëm procesin zgjedhor, veçanërisht në pjesën e numërimit, apo të administrimit të ankimeve. Një ndryshim i tillë, bërë me bekimin e të huajve, përgjegjës për zgjedhjet në Shqipëri, nuk u shoqërua të paktën me sanksione të forta dhe imediate për shkelësit e ligjit. Kodi rezultoi mjaft i komplikuar për komisionerët, dukuri që u bë më negative, ndërsa palët nga frika e blerjes së tyre, në momentin e fundit i ndërruan njerëzit pa i trajnuar. Komisionerët u shndërruan në njerëzit më të rëndësishëm të këtyre zgjedhjeve, duke i ngarkuar në kurriz objektiva thuajse të mbinatyrshëm: të qëndronin në krye të procesit për disa ditë rresht, të pangrënë, të palarë, etj, etj, duke ju ofruar njëkohësisht blerësve më të favorshëm. Kodi nuk parashikoi pra mekanizma ndëshkimorë për moskryerjen e detyrës nga njerëzit e zgjedhjeve në të gjithë nivelet.  
Këto dobësi në konceptimin dhe ekzekutimin e Kodit kanë fajtorë përgjegjës partitë e mëdha, të cilët do të thirren paradoksalisht ta kryejnë amendimin e tij, duke e shpallur sërish si “reformën zgjedhore të radhës”, edhe nën bekimin e të huajve. Por fakti mbetet: si pasojë e këtyre dobësive të vjetra dhe të reja, zgjedhjet e 28 qershorit janë të diskutueshme në integritetin e tyre. Përgjegjëse kryesore është Partia Demokratike dhe Kryeministri Berisha, që kishin shansin historik të provonin se ishin shkëputur nga praktikat e vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve. Ata s’mund të mburren me qetësinë me të cilën shqiptarët shkuan në zgjedhje, që është meritë ekskluzivisht e tyre. Por jo vetëm kaq: e keqja me burim qeveritar do të prodhojë të këqija të tjera që dëmtojnë qytetarët, jo thjesht nëpërmjet manipulimit të mandateve. Qeveria po rrezikon liberalizimin e vizave, duke vonuar kështu integrimin evropian të vendit dhe imazhin e tij. Përpara ruajtjes së pushtetit edhe nëpërmjet proceseve zgjedhore si ky, partitë politike shqiptare as duan t’ia dinë për premtimet dhe objektivat strategjikë kombëtarë. Dhe kryeproblemi mbetet ai i vjetri: tek reformimi i tyre, pa të cilën nuk mund të arrihet reformimi i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›