Gerdeci, Policia nuk gjen dot mikun e kryeministrit

Në seancën e djeshme pritej të dëshmonte Rrahman Selmanllari, por policia u përgjigj se ai nuk gjendjej në adresën e re
Procesi nisi me vonesë, për shkak të gjendjes shëndetësore të anëtares së trupit gjykues Fatmira Hajdari
GËRDEC
Policia: Selmanllari nuk gjendet në adresën e tij, ka ndryshuar banim që nuk i dihet
TIRANË- Edhe në seancën e djeshme gjyqësore, ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, nuk u paraqit për të tretën herë dëshmitari i akuzës, Rrahman Selmanllari, i njohur si miku i ngushtë i djalit të kryeministrit Sali Berisha.
Për këtë mos paraqitje, policia në shkresën dërguar Gjykatës, ku kjo e fundit i kishte ngarkuar uniformat blu për gjetjen dhe dorëzimin e fletë-thirrjes dëshmitarit Selmanllari, shkruhej se "dëshmitari nuk gjendet në adresën e dhënë, ka ndryshuar banimin".
Por, mos gjetja e adresës nga ana e policisë e ka detyruar kryesuesin e treshes gjykuese të kësaj çështjeje, gjyqtarin Ridvan Hado të përsërisë flet-thirrjen në adresë të Selmanllarit, duke i kërkuar të paraqitet në seancën e datës 3 shtator 2010.
Seancë kjo, e cila u caktua dje pas largimit pa arsye të disa avokatëve mbrojtës të cilët u bënë edhe shkak për mos vazhdimin e seancës gjyqësore me pyetjen e dy dëshmitarëve të mbetur nga shtatë që ishin thirrur për tu pyetur.
Ndërkohë, seanca e djeshme gjyqësore ka filluar rreth dy orë me vonesë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të gjyqtares Fatmira Hajdari që është pjesë e treshes gjykuese.
Por, pas rreth dy orësh pritjeje seanca ka filluar për të vazhduar vetëm një orë e gjysmë, pasi po gjyqtarja Hajdari nuk u ndje mirë dhe me kërkesë të saj seanca u ndërpre për 20 minuta. Kohë kjo e cila i mjaftoi gjyqtares Hajdari për ta rimarrë vetën dhe kthyer në seancë gjyqësore me vazhdimin e gjyqit ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit.
Por, edhe pse treshja gjykuese u kthye në sallën e gjyqit, që aty ishin larguar disa nga avokatët që mbrojnë interesat e të pandehurve çka ishte e pamundur vazhdimi i seancës gjyqësore.
Pas konstatimit të largimit të avokatëve mbrojtës, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Hado vendosi të ndërpresë seancën dhe të shtyjë vazhdimin e gjykimit për me datën 3 shtator 2010, duke i pezulluar edhe afatet hetimore ndaj të pandehurve të arrestuar, që do të thotë se nuk do t'iu numërohen si ditë të paraburgimit.
Por, ky vendim i gjyqtarit Hado ka sjellë reagimin e mbrojtësit ligjor të të pandehurit Mihal Delijorgji avokat Maksim Haxhisë, që kërkoi të bëhen edhe dy seanca gjyqësore deri më datë 1 gusht, kur do merren pushimet verore.
Ky pretendim u rrëzua nga gjykata, e cila nuk e pranoi duke njoftuar palët prezentë dhe dëshmitarët e radhës për vazhdimin e seancës gjyqësore për me datën 3 shtator 2010 ora 9:00.
Ndërkaq, gjatë një orë e 30 minuta të shqyrtimit gjyqësor, gjykata dëgjoi dëshmitë e pesë dëshmitarëve të akuzës: Sherif Muka, Adem Hasa, Altin Haxhiu, Bashkim Shehi dhe Ali Mnerja. Që të pesë dëshmitarët ishin banorë të zonave pranë fabrikës së demontimit të Gërdecit.
Dëshmitarët e pranishëm provuan para Gjykatës së Shkallës së Parë faktin e shpërthimit të 15 marsit 2008 në fabrikën e Gërdecit dhe pasojat materiale që ai shpërthim ka sjellë. Vetë dëshmitarët nuk kishin pësuar dëmtime në njerëz të familjeve të tyre por vetëm dëme materiale të banesave për të cilat ishin dëmshpërblyer.
Gjithashtu, po dje avokati i të pandehurit Ylli Pinari njoftoi se do të ankimojë vendimin e ndërmjetëm të treshës gjykuese në lidhje me rrëzimin e kërkesës së tyre për lirimin e klientit të tij për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit.
Pranë kësaj gjykate, prej qershorit 2009, janë zhvilluar 71 seanca gjyqësore ndaj 28 të pandehurve të kësaj dosjeje, duke i pyetur mbi 150 dëshmitarë të ndryshëm, si viktima të shpërthimit të cilët kanë mbetur të gjymtuar, familjarë të viktimave të vrarë, banorë të zonës, ushtarakë dhe zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes.