E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrogozhinë, "vizitë" në vendgrumbullimin ilegal të plehrave

Në anë të lumit të Shkumbinit të mbyt progresi i avancimit të plehrave, të cilat kur bie shi, i merr uji me vete dhe u jep "progres" në ndotje plazheve të bukura që duhet të jenë në grykëderdhje të lumit.


Natyrisht, sikur të mos qe kjo plagë infektuese që duhet të nxjerrë jashtë loje me ndotjen ambientale edhe plazhet e njohura të zonës


Në anë të urës së Rrogozhinës që ngrihet mbi Shkumbin shkëputet një udhë e shtruar me zhavorr që ecën paralel me derdhjen e lumit. Kushdo që e ndjek këtë këtë rrugë, ndryshe nga ç'mund të mendohet se sa bukuri do të të ofrojë një breg lumi, sidomos në verë, do të zhgënjehet keqazi.


Para syve të shfaqet një lumë i pistë dhe rreth gjysmë kilometri më tej duket një katrahurë venddepozitimi plehrash, të cilën kur e sheh, të vjen keq kur mendon se këtë peisazh ia kanë bërë dhuratë kësaj zone pushtetarët që dikur u kanë kërkuar votën njerëzve për ta çuar vendin drejt progresit.


Dhe ky "progres" është më se i dukshëm. Në anë të lumit të Shkumbinit të mbyt progresi i avancimit të plehrave, të cilat kur bie shi, i merr uji me vete dhe u jep "progres" në ndotje plazheve të bukura që duhet të jenë në grykëderdhje të lumit. Natyrisht, sikur të mos qe kjo plagë infektuese që duhet të nxjerrë jashtë loje me ndotjen ambientale edhe plazhet e njohura të zonës.


Pas një katastrofë ekologjike të ndodhur në grykëderdhjen e Ishmit, vend ku grumbullohen plehrat e deri mbetjet spitalore të Tiranës dhe gjithë vendbanimeve anash lumit të Ishmit, kjo është shëmtia e dytë që shihet kaq afër. Bregu i lumit ka shërbyer në shumë raste si pedanë që kamionët t'i derdhin plehrat direkt në ujë. Dhe gjurmët janë më se të dukshme...


Në afërsi të grykëderdhjes së lumit Shkumbin në zonën që i përket si ndarje administrative të Bashkisë së Rrogozhinës është krijuar një vatër e hedhjes se mbeturinave qytetase të cilat as nuk përpunohen por mbeten në natyrë, siç edhe u gjetën nga një ekip mjedisor që kontrollonte në vend gjendjen mjedisore.


Ata konstatuan se nuk kishte djegie të mbeturinave, por edhe se kjo zonë ishte një vend grumbullimi pa miratim paraprak dhe leje mjedisore.


Ekipi pas procesverbalit që bëri vendosi që të pezullohet hedhja e mbeturinave në këtë vend derisa të stabilizohet gjendja, sipas parametrave ligjore dhe kërkesave të sotme të mjedisit (gjithsesi nuk ka asnjë fjalë se si do të pezullohet kjo hedhje e pakontrolluar e plehrave).


Në këtë vend ka 20 - 30 banorë që jetojnë me biznesin që ju ofron kjo fushë, plehrat e të cilës i përpunon me sa duket vetëm lumi i Shkumbinit. Janë arixhinj të cilët kanë ngritur edhe çadrat e vendfushimit. Një karrocë dhe një makinë.


Tendat jane të grisura dhe të ndotura. U shërbejnë vetëm për hije. Mbi grumbujt e hedhurinave që kundërmojnë nën rrezet perveluese të diellit të korrikut janë derdhur disa prej tyre që bëjnë mbledhjen e materialeve që u duhen per treg.


Një grua rreth të 40-ave thotë se nuk kanë ç'të bëjnë tjetër, pasi me këto plehra mbajnë shpirtin gjallë. Ajo thotë se në këtë vend punon me gjithë pesë fëmijët e vet. Tre prej tyre i tregon me dorë, ndërsa thotë se dy fëmijët e tjerë kanë shkuar për t'u larë në lumë më poshtë. Ata kanë mbledhur disa thasë të mëdhenj me shishe plastike.


E pyesim se me sa i shesin këto shishe dhe një prej mbledhësve thotë se ua marrin me 10 lekë të reja kilogramin. Ndërsa çmimet e metaleve me ngjyrë ndryshojnë sipas kërkesave që ka tregu. Gruaja rome nuk qahet për tani.


Ajo ka frikë dimrin. "Tashti, - thotë, - bereqaves Zotit se i nxjerrim nga 10 mijë lekë në ditë (është fjala për lekë të vjetra) se ka edhe kanoçe edhe shishe, se njerëzit pinë nga vapa e madhe.


Ndërsa në dimër, Zoti na ndihmoftë. Këto gjenden me pakicë dhe janë grumbulluesit e kazanëve që nuk i lënë të vijnë deri këtu". Këto janë shqetësime madhore për këtë grua që duhet respektuar për seriozitetin që ka për të rritur fëmijët duke punuar, kur mendon se vjen nga Durrësi dhe shumë fëmijë sillen në hyrje të portit për të bërë profesionin e lypjes.


Këta "afaristë" të plehrave që e nxjerrin bukën e gojës me shumë mund mbi grumbujt e hedhurinave, meritojnë respekt. Ata edhe nga mënyra se si sillen kanë më shumë dinjitet se sa fëmijët që nën vështrimin e tutorëve u qepen nga pas turistëve për të marrë pak lekë. Ata punojnë dhe u vjen edhe rëndë se mos u nxjerrim emrat.


Në anë të një are ata kanë lënë kalin të kullosë dhe një makinë e vjetër që duhet të ketë qenë "Benz" ndodhet kokë më kokë me karrocën. U kërkojmë të bëjnë një foto dhe tek dera e mjetit zë vend një djalë që mbase edhe e ka një stampë me emrin e futbollistit dhe miqtë e thërresin Zidan.


U themi se sa kërkojnë për të na çuar me atë makinë deri në Rrogozhinë dhe ata qeshin duke u përgjigjur se për miqtë nuk ka pagesë. Makina mbase edhe nuk lëvizte më dhe ata e përdornin si banesë provizore...

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›