Ruçi - Berishës: "De jure", jeni rrëzuar si qeveri

Në seancën e djeshme plenare, Kryeministri dhe kryetari i Grupit të PS, debatuan mbi shkurtimet në buxhetin e shtetit
Berisha: Qeveria vendosi të frenojë rritjen e borxhit. Ruçi: Thojani publikut shqiptar që jeni në krizë
TIRANË- Në seancën e djeshme parlamentare, mazhoranca dhe opozitë kanë debatuar ashpër midis tyre për shkurtimet në buxhetin e shtetit, duke shkuar deri në ofendime. Ishte Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e Kuvendit deklaroi se shpenzimet ndërmerren në kuadrin e krizës evropiane që të frenohet me çdo kusht rritja e borxhit publik.
Mbrojtjen e shkurtimeve në buxhet, kreu i ekzekutivit e ka alternuar edhe me deklarata personale ndaj deputetëve të opozitës. Pas fjalës së tij, i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili tha qeveria shqiptare është në një krizë politike.
Për sa i përket uljes së borxhit publik, zyrtari lartë socialist bëri përgjegjës për këtë qeverinë, duke e akuzuar se kjo vjen nga mosrealizimi i të ardhurave dhe nga paaftësia e korrupsioni qeverisës.
BERISHA
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha tha se ndryshimet në buxhetin e shtetit janë bërë të domosdoshme nga realizimet e të ardhurave fiskale, janë bërë të domosdoshme nga dinamizmi i përparësive të zhvillimit të këtij vendi. "Këtë vit, ne vijmë para qytetarëve shqiptarë, duke propozuar shkurtimin e shpenzimeve.
Kjo vjen para së gjithash dhe mbi të gjitha si një vendosmëri e kësaj qeverie, për të çuar mesazhet më të fuqishme pozitive në qarqet financiare të vendit, të rajonit, Evropës dhe më gjerë", u shpreh Berisha. Ai gjithashtu pretendoi se në vitin 2005 e kanë gjetur një borxh publik prej 72 për qind dhe e zbritën atë borxh në vitin 2008 në 55 për qind.
Sipas tij, meqenëse kriza e borxheve po qarkullon dhe që është e ndryshme nga ajo e flluskave, por sërish ka krijuar një panik të paprecedentë në tregjet financiare botërore, Qeveria nuk mund të rrijë indiferente ndaj kësaj ndonëse borxhi shqiptar është borxhi më i mirë në Evropë, është borxhi jashtë interesave tregtare, është në shumicën dërmuese të tij me monedhën vendase.
"Pikërisht në kuadrin e kësaj krize evropiane të borxheve ku nuk asnjë garanci që vende të tjera nuk do pësojnë atë që pësoi fqinji ynë jugor, qeveria shqiptare vendosi me një vendosmëri të madhe të frenojë me çdo kusht dhe çmim rritjen e borxhit", justifikoi uljen e shpenzimeve në buxhet, kreu i qeverisë.
RUÇI
Nga ana tjetër, kryetari i grupit të PS, Gramoz Ruçi, e nisi replikën e tij ndaj Berishës duke i thënë se nga ajo që u pa, nga pikëpamja energjike, tregon që s'ka qenë kaq i sëmurë, nga pikëpamja shëndetësore. "Por pamë që je i sëmurë politikisht. Je i sëmurë politikisht për arsye se ju bëni sikur s'ka ndodhur gjë.
Ne në këtë seancë, që e filluam dy orë me vonesë, vijmë pas një seance maratonë, të cilën jemi përplasur prej 4 orësh për një problem të madh, ku sot vihet në diskutim, qeverisja jote, numrat e tu. Thojani publikut shqiptar, që sot ju jeni në një krizë politike. Sot ju "de jure" jeni rrëzuar politikisht si qeveri", deklaroi Ruçi.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja që Kryeministri kërkon ta shpërndajë, si shkatërrues i mirëfilltë që është, topin, sa tek ata që janë në sallën e parlamentit, aq edhe tek ata që s'janë në sallën e parlamentit.
Më tej, deputeti i PS tha se kreu i mazhorancës erdhi në Kuvend që të bëjë demagogjinë e radhës, dhe mashtrimin e radhës për shqiptarët. "Keni krizë politike. As partnerëve tanë ndërkombëtarë nuk ju dhe përgjigje dhe as publikut shqiptar nuk i dhe përgjigje. Pse po e mban krizën politike të pazgjidhur?
Ne kemi qenë dhe ju kini autorizuar përfaqësuesit tuaj të grupit parlamentar, ashtu sikurse grupi jonë parlamentar ka autorizuar drejtuesit e vet. Po kriza s'po zgjidhet. Kemi krizë të demokracisë, z. kryeministër, pse s'po e zgjidhni? Kemi krizë institucionale, z. kryeministër, pse s'po e zgjidhni?", iu drejtuar kryeministrit, Gramoz Ruçi.