E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Gërdeci', Prokuroria: Burg përjetë Delijorgjit, Pinarit, Minxollit

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot pretencen për 29 të pandehurit e çështjes 'Gërdeci', në pjesen me të madhe ish- funksionarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë. Procesi "Gërdeci, pas një maratone seancash, duket se i është drejtuar fundit.

Prokurorët Genci Qano, Petrit Bica, Altin Dumani dhe Marjeta Zaimi kanë kërkuar masën e dënimit maksimal për tre të akuzuarit kryesor, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, të cilët akuzohen për veprën penale të vrasjes, ndërkohë që nën akuzën e shfrytëzimit të postit të detyrës kanë kërkuar masa të tjera burgimi për ish-funksionarë të lartë shteti.

Organi i i akuzës ka kërkuar masën e burgut të  përjetshëm për ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari si dhe një gjobë prej 2 milion lekësh dhe përjashtim nga e drejta për të ushtruar funksione shtetërore dhe publike.

Masa e burgut përjetë është kërkuar edhe për pronarin e kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji si dhe 10 vite përjashtim nga funksinet publike dhe shtetërore. Ndërkohë është kërkuar një gjobë prej 75 milonë lekësh për kompaninë ‘Albdemil’ të Mihal Delijorgjit dhe përjashtim për 20 vite nga aktivitetet e biznesit.

Edhe për administratorin e kompanisë së demontimit në 'Gërdec', Dritan Minxollin është kërkuar masa e dënimit me burg përjetë

Prokurorët kanë kërkuar masën e dënimit me 8 vite burg për ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë Luan Hoxha dhe 23 vite burg për Sokol Ngjeçin.

Pas konkluzioneve të Prokurorisë, pritet të dëgjohen pretendimet e palës mbrojtëse dhe me pas Gjykata e Tiranës do të shpallë vendimin e saj.

29 të pandehurit të procesit ‘Gërdeci’ akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Shpërthimi shkaktoi edhe shumë dëme materiale.Dosja ‘Gerdeci’ është regjistruar në gjykatën e Tiranës në 11 Qershor të 2009 dhe deri sot janë zhvilluar mbi 151 seanca gjyqësore.

PRETENCA PËR TË PANDEHURIT E TJERË
Shpëtim Spahiu me 8 vite burg
Shkelzen Madani 8 vite burg
Agim Lala, 4 vite burg
Dashnor Caushi, 8 vjet burg
Zija Baja 6 vite burg
Ndue Marku 3 vite burg,
Ardian Mullai 7 vite burg
Hilmi Lacaj 4 vjet burg
Fiqiret Mato 2 vite burg
Lavdi Shatro, terhiqet akuza
Fari Toska 4 vite burg
Adriatik Metma 1 vit burg
Babameto 4 vite burg
Besnik Dauti 3 vite
Denis Hajdari 3 vit e 6 muaj
Fatbardh kuqi 3 vjet e 6 muaj
Jorgo Mino 4 vite burg
Zenun Ferro 4 vite e 6 muaj burg

(e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: 'Gërdeci', Prokuroria: Burg përjetë Delijorgjit, Pinarit, Minxhollit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›