E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e Interit, Ranieri: Nuk jam Magjistari i Ozit

TIRANE-Një Inter në krizë të plotë, do të kërkojë t’i afrohet kualifikimit në përballjen me Lilën, të mërkurën në mbrëmje në “San Siro”. Zikaltërit renditen në vendin e 17-të në Serinë A, një pozicion aspak i zakontë për ta gjatë gjithë historisë. Por, në Champions është një tjetër muzikë për Interin, që kryeson grupin B me 6 pikë, 2 më shumë se dyshja Trabzonspor-CSKA e Moskës. “Interi është një skuadër e madhe, pavarësisht pozicionit në kampionat, - deklaroi trajneri Klaudio Ranieri.  Kemi shumë respekt për Lilën, sepse ata nuk kanë humbur ndonjë ndeshje në San Siro. Herën e fundit që luajtën këtu, francezët fituan ndaj Milanit, kështu që i druhem shumë forcës së tyre edhe pse do të mundohemi të fitojmë për ta bërë kualifikimin më të prekshëm. Nuk jam magjistari i Ozit, i dija vështirësitë e ekipit, kështu që them se do të dalim nga kjo situatë”, shtoi tekniku zikaltër. Interi ka humbur 2 nga 4 ndeshjet e fundit në “San Siro” në kampionat, ndërsa në Champions ata kanë humbur 3 takimet e fundit në shtëpi, me Trabzonsporin këtë sezon dhe Shalken e Bajernin një vit më parë. Një ecuri aspak pozitive për zikaltërit, që në vitin 2010 shpalleshin kampionë të Evropës nën drejtimin e Zhoze Murinjos. Për ndeshjen me Lilën, Interi nuk do të ketë as portierin Zhulio Sezar dhe mbrojtësin Maikon, të cilët janë të dy të dëmtuar, ashtu si Diego Forlan. Ndërkohë, Uesli Shnajder duket se do të luajë, pavarësisht se doli mes shqetësimeve në përballjen me Juventusin ditën e shtunë. Gjatë konferencës së shtypit, trajneri Ranieri foli edhe për gjendjen e Antonio Kasanos, i shtruar në spital prej të dielës, për shkak të një iktusi. “I dërgoj një përqafim të madh Kasanos dhe shpresoj ta shoh sa më shpejt në fushë”, tha trajneri i Interit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›