E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patos-Marinëz, banorët me kancer në zonën e naftës

Më shumë se 8 për qind e banorëve të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz në rrethin e Fierit janë të sëmurë me kancer. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

 Në një sondazh të kryer tek 220 persona të grupmoshave të ndryshme që banojnë në këtë zonë, rezultoi se 13 prej tyre ishin të prekur nga sëmundja e rëndë. Gjithashtu mosha mesatare e jetëgjatësisë në këtë zonë është ulur. Rezultatet e dala nga projekti "Plani mjedisor dhe shëndetësor për rajonin e Patos-Marinzës", i zhvilluar në muajin qershor, nën mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Prefekturës Fier, tregoi rrezikun që u kanoset banorëve nga mbetjet hidro-karbure që ndodhen në mjedisin ku ata jetojnë. Projekti i financuar nga Komisioni Evropian, i cili kishte si synim përmirësimin e kushteve të ndotjes atmosferike, tokësore dhe ujore, zhvilloi një sondazh te rreth 220 banorë që jetojnë në Patos, Zharrës, Kuman, Topojë e Marinëz. Sipas sondazhit, 13 të prekurit ishin kryesisht mbi 40 vjeç, ndërsa mësohet se mosha mesatare e jetëgjatësisë është 60 vjeç. Dyshimet se numri i të prekurve nga sëmundje kancerogjene të jetë akoma më i lartë se të dhënat e sondazhit janë të forta. Kjo, pasi pjesa dërrmuese e banorëve të këtyre zonave nuk u nënshtrohen ekzaminimeve të duhura për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike të tyre. Ndërkohë që projekti ka bërë të ditur rrezikun dhe numrin e të prekurve, nuk janë bërë të qarta masat parandaluese për këtë fenomen. Ky territor aktualisht ka rezultuar si më i ndoturi në vend me mbetje hidrokarbure. "Gjendja është rënduar me ardhjen e stinës së nxehtë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi të prekur me sëmundje të ndryshme për shkak të ndotjes. Kanë qenë pikërisht këto shifra që më detyruan mua të ngre si problem ndërkombëtar ndotjen në konferencën që u zhvillua me vendet mesdhetare", pohoi për "Panorama", prefekti i Qarkut Fier, Shahin Bejdaj. Sipas tij, pastrimi i zonave të ndotura do të ketë prioritet sidomos nga kompanitë e naftës, si ato nxjerrëse dhe përpunuese. "Problemi i parë që bëhet burim ndotjeje është amortizimi. Evitimi i bllokimit dhe çarjeve të tubacioneve përcjellëse dhe si pasojë derdhja e karburantit në mjedis është një nga detyrat kryesore që kompanitë e naftës duhet t'i vënë vetes", vijoi Bejdaj. Ndër të tjera prefekti ka kërkuar edhe mbështetjen e komunitetit për përmirësimin e situatës. "Për të qenë të gjithë të sigurt se fenomeni në fjalë do të përfundojë një ditë, duhet edhe mbështetja e komunitetit, i cili në shumë raste ka çarë tubat për të vjedhur solar apo gjithfarëlloj karburanti që transportohet me to", u shpreh Bejdaj. Prefekti ka përfunduar duke u shprehur se nevojitet një punë e mirorganizuar mes gjithë faktorëve për të parandaluar ndotjen si dhe sëmundjet që vijnë prej saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›