E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrëmjet romantike që dehin dashurinë



Gjithmonë keni ëndërruar të kaloni një mbrëmje romantike me partnerin tuaj, por asnjëherë nuk keni mundur të gjeni detajet për disa çaste intime dhe plot pasion. Ajo që ju duhet për këtë rast është: pak kohë, pak para dhe shumë dashuri. Përpiquni ta bëni këtë mbrëmje speciale për ta kujtuar për disa vite me radhë. Ja si duhet të veproni. Koordinimi i kohës është gjithçka. Para se të filloni përgatitjet sigurohuni të zgjidhni një moment të përshtatshëm për të dy, veçanërisht kur partneri punon me orar të zgjatur.
Ambienti
Përshtateni ambientin sipas preferencave, megjithatë qirinjtë aromatikë nuk duket të mungojnë kurrsesi. Provoni të zgjidhni qirinj me aromë luleshtrydheje, molle ose çokollate. Vendosini ato në vendet më të përshtatshme, duke përfshirë tavolinën, por edhe ambientet disi të fshehura, për të krijuar ndjenjën e misterit. Mos ndizni shumë qirinj, sepse vetëm disa do të mjaftonin për një ambient romantik. Ky do të ishte rasti perfekt për të shijuar edhe muzikën. Përgatisni këngët që ju pëlqejnë më shumë dhe nëse keni një të tillë të preferuar, vendoseni vetëm kur të shërbeni ëmbëlsirën. Do t’ju duhet të mendoni që në fillim edhe për momentet e fundit të kësaj mbrëmjeje të paharrueshme përkrah të dashurit tuaj. Përgatisni një vaskë të mbushur me petale lulesh, lavandër, rozmarinë dhe gonxhesh trëndafili.
Ushqimi dhe pijet
Momentet më intime mund t’i shoqëroni, sigurisht, me shampanjë ose verë. Ftohni një shishe shampanjë për darkën. Kjo pije shkon shkëlqyeshëm me pulë ose peshk. Nëse preferoni koktejet, mund të zgjidhni një martini, xhin, skoç të zbukuruar me lule, ose një pije joalkoolike me aromë frutash. Për ta shoqëruar bëni gati një tabaka me copëza frutash ose djathë. Mos mendoni tepër për ushqimin që do të gatuani. Do të ishte perfekte diçka e lehtë dhe e thjeshtë për t’u përgatitur, pasi çdo gjë shkon përtej ushqimit. Menyja e duhur për këtë rast është: gjoks pule i pjekur, rizoto me fruta deti dhe perime të përziera. Mos harroni ëmbëlsirën. Ky është momenti ku mund të shfaqni hapur romantizmin që ju shoqëron në çdo sekondë të mbrëmjes. Përgatisni luleshtrydhe të freskëta, të shoqëruara me krem çokollate, akullore ose tortë me kremkaramel. Si përfundim, shërbeni një pjatancë me rrush për të ushqyer njëri-tjetrin. Nëse dëshironi mund të shtoni edhe krem.
Tavolina
Zgjidhni një tavolinë të stilit maroken. Shtrojini një mbulesë me ngjyra të ngrohta dhe mbi të vendosni enë kristali dhe shumë qirinj aromatikë. Në mes të tavolinës vendosni një buqetë me trëndafila të bardhë dhe midis tyre dy trëndafila të kuq. Mundohuni që pjatat ku do të shërbeni ushqimin të jetë me ngjyrë të ndezur.
Veshja
Gjëja e parë që u shkon në mend meshkujve kur bëhet fjalë për një mbrëmje romantike është pamja e partneres së tyre. Nëse shikojnë ngultas, do të thotë se fustani ose këpucët janë zgjedhur në mënyrën e duhur. Dëshironi vërtet ta joshni mashkullin tuaj? Kujtohuni që fustani është vetëm fustani është vetëm paketimi i këtij kujtimi të bukur. Mos vishni fustan të hapur ose të ngushtë. Ai duhet të vërë në punë imagjinatën dhe gjithçka do të përjetohet më bukur nëse imagjinata shkon përtej pamjes së parë.
Duhet të dini se nuk ka rëndësi nëse jeni të shëndetshme ose tepër elegante. Çdo femër mund të duket joshëse nëse vishet në mënyrën e duhur. Ngjyrat e errëta përpiquni t’i shoqëroni me aksesorë metalikë. I përshtatshëm për këto orë të mbrëmjes do të ishte edhe një fustan në ngjyrë të argjendtë. Nëse partnerit tuaj i pëlqen një fustan që e keni veshur dikur, surprizojeni duke e veshur sërish për të. Në të kundërt, blini diçka joshëse për këtë rast. E fundit, por jo nga rëndësia, veshja intime. Vishni diçka joshëse në ngjyrë të kuqe ose të zezë. Plotësojeni imazhin tuaj me një parfum ndjellës për t’i bërë momentet në shoqërinë e njëri-tjetrit të paharrueshme.
Mbrëmja
Tashmë që keni përgatitur gjithçka: atmosfera është e ngrohtë dhe ushqimi gati, ndizni qirinjtë dhe shijoni muzikën. Kur partneri juaj vjen, priteni me buzëqeshje dhe puthje. Mënyra më e mirë për të filluar mbrëmjen? Kapeni për dore dhe uluni të dy në tavolinë. Pasi darka përfundon mund të zhvendoseni në dhomën e ndenjjes. Nëse keni oxhak, do të ishte këndshëm ta ndiznit. Kërkojini të kërcejë me ju për disa çaste, pasi “të afruarit” është emri i lojës. Pasi keni kërcyer disa minuta të përqafuar, shërbeni ëmbëlsirën. Hajeni atë përballë oxhakut të ndezur ose ushqeni njëri-tjetrin me kafshata të vogla. Në këtë mënyrë ky veprim do të ishte mjaft sensual dhe joshës. Pas këtyre momenteve relaksuese përfundojeni mbrëmjen me një vaskë të mbushur me petale lulesh dhe qirinjsh aromatikë përreth.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›