Gërdeci, amerikani: Pinari më rekomandoi Delijorgjin
Fatos Mahmutaj
Protagonistët e tragjedisë së Gërdecit bëjnë pingpong me dëshmitë e tyre të dhëna para prokurorëve në Tiranë dhe SHBA. Mihal Delijorgji, në dëshminë e publikuar në numrin e djeshëm të gazetës ‘sulmon’ amerikanin Patrick Henry, të cilin e bën përgjegjës për gjithçka ndodhte në Gërdec. Ndërsa ortaku amerikan i Delijorgjit, me të cilin krijoi kompaninë, që punoi në fabrikën e tragjedisë bën përgjegjëse palën shqiptare përfshi të arrestuarin Ylli Pinari, Delijorgjin dhe të tjerët. Henry në veçanti hedh akuza ndaj ish-drejtorit të MEICO-s Ylli Pinari, të cilit i jep rolin dirigjues në gjithçka ndodhte me armatimet shqiptare. Sipas amerikanit, pronar i kompanisë SAC ishte drejtori i MEICO Ylli Pinari ai që i ka sugjeruar Mihal Delijorgjin për ortak dhe për më tepër sipas tij takimet më të shumta me ish-kreun e MEICO i ka kryer nëpër restorante dhe lokale të Tiranës. Amerikani Patrick Henry është marrë në pyetje në SHBA nga prokurorët amerikanë në bazë të letërporosisë së dërguar nga prokuroria shqiptare. Grupi hetimor i ngjarjes së Gërdecit ka përpiluar një listë pyetjesh për biznesmenin amerikan, të cilave ai u ka dhënë përgjigjet e tij në këtë dëshmi, ku Patrick Henry pohon se për herë të parë ishte njohur e kishte rënë në kontakt me Henry Tomei-n, pasi ia kishte propozuar drejtori i MEICO-s Ylli Pinari. Gazeta “Panorama” publikon sot pjesën e parë të dëshmisë së Patrik Henry, ardhur me letërporosi në Tiranë, për llogari të hetimit të çështjes “Gërdeci”. Më poshtë, dëshmia sipas procesverbalit:
Deklaratë e Patrick Cornelius Henry
Ju lutem thoni emrin tuaj të plotë: Patrick Cornelius Henry.
Ju lutem thoni adresën tuaj të fundit: 4332 Meadov Street Loris, SC.
Ju lutem thoni datën dhe vendin e lindjes: 28 maj 1956, Florence SC. Jam i udhëzuar nga Agjenti i Posaçëm Jeffrey Long, JR., Zyra Federale e Hetimit, Autoriteti i Shteteve të Bashkuara, që në përputhje me ligjin shqiptar, nuk do t’i përgjigjem ndonjë pyetjeje, e cila do të më inkriminonte mua, por që unë duhet t’i përgjigjem gjithë pyetjeve të tjera me vërtetësi ose përndryshe do të dënohem.
Pyetje dhe përgjigje:
Duke përshkruar natyrën e aktivitetit të Southern Ammunition Company (SAC) dhe veçanërisht ai duhet të shpjegojë:
Për sa i takon fushës së aktivitetit që kompania SAC kryen, në bazë të aktit të regjistrimit para autoriteteve shtetërore që regjistrojnë kompanitë tregtare dhe autoritetet tatimore.
Southern Ammunition Company Co., u krijua në vitin 1974 si një manifakturues i armëve të vogla. Gjatë viteve ajo ka krijuar njohuri të specializuara dhe pajisje për të çmilitarizuar municionet e armëve të vogla dhe të tregtojë nënproduktet e këtij procesi.
Për sa i takon aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve?
Në fillimet e viteve ‘90 SAC siguroi një sasi të madhe të municionit të kalibrit të vogël nga Izraeli. Një përqindje të lartë të këtij municioni nuk mund të përdorej në mënyrë të sigurt, si municion armësh të vogla dhe kështu që nuk kishte treg në gjendjen që ishte. Ishte në atë kohë kur ne filluam sistemet e zhvillimit, të përshtatshme ekonomikisht dhe nga ana mjedisore, për të çmilitarizuar municionet e armëve të vogla.
Licencat ai zotëron në SHBA për kryerjen e këtij aktiviteti?
Përgjigje: Nuk ka ndonjë licencë specifike për qëllimin e çmilitarizimit të municionit. Megjithatë ne jemi licencuar nga BATF. Aktualisht ne kemi licencë importuesi dhe licencë për eksplozivët e vegjël, regjistruar në Departamentin e Shtetit dhe ne kemi një Zonë të Tregtisë së Huaj (FTZ), e cila është nën mbikëqyrjen e Doganës së SHB.
Përmasat e kalibrit të municioneve, për të cilat ai ka aftësi profesionale dhe teknike për të çmontuar dhe çmilitarizuar?
Ne kemi eksperiencë në çmilitarizimin e municionit të kalibrit të vogël deri në 14.5 mm. Ne vazhdimisht kemi çmilitarizuar municion të kalibrit të vogël në fabrikën tonë në Loris që prej fillimit të viteve 1990.
Cila ka qenë gjendja e kësaj kompanie për kryerjen e këtij aktiviteti për periudhën dhjetor 2006 – mars 2008? (kështu, a ka qeë pezulluar apo bllokuar aktiviteti i kompanisë SAC Inc, qoftë për situatën financiare që kompania po kalon, qoftë si pasojë e veprimeve të ndërmarra nga shteti amerikan apo autoritetet gjyqësore. Nëse po, arsyet për këtë situatë të gjendjes, kohën kur ky bllokim është bërë, ose kur ka rifilluar aktiviteti).
SAC ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme pajisje militarizuese që prej fillimit të viteve ’90 dhe asnjëherë nuk i është bllokuar apo pezulluar puna. Unë besoj se personi që ka parë dokumentin nuk ka kuptuar që ne kemi ndryshuar llojin e korporatës dhe procedura shtetërore është që të pezullojë aktin e themelimit të një korporate para se të regjistrohet korporata e re.
Në çfarë rrethanash dhe në çfarë periudhe kontaktoi ai me ndërmarrjen shqiptare MEICO dhe drejtorin e saj, personin nën hetim Ylli Pinari?
Unë kontaktova BT International në Zvicër dhe i kërkova nëse ata kishin ndonjë municion, ose kishin dijeni për ndonjë municion të tepërt që duhej të çmilitarizohej. Ata më informuan mua që kishte një stok të madh municioni, që kishte nevojë për çmilitarizim në Shqipëri dhe më dha mua emrin e kontaktit të Ylli Pinarit në MEICO. Fillimisht Henry Thomet i BTI do të më takonte mua në Shqipëri dhe të më prezantonte me Ylli Pinarin duke lënë të kuptohej se nëse ky adresim do të sillte punë për SAC, BTI do të merrte një tarifë për gjetjen e biznesit për referencën që bëri. Megjithatë, në minutën e fundit Henry Thomei anuloi udhëtimin e tij për në Shqipëri dhe unë e takova vetë Ylli Pinarin.
Si vazhduan kontaktet dhe si u mbajtën ato mes atij dhe Ylli Pinarit? (Nëse ato janë mbajtur nëpërmjet faksit, është me interes të vihet në dispozicion për këtë çështje penale, duke bërë gjithashtu komentet e tij rreth tyre).
Kontaktet u vazhduan me telefon dhe postë elektronike dhe udhëtime shtesë për në Shqipëri.
Cilat ishin arsyet e vizitës së tij në datën një mars dhe 29 qershor 2006? Cilët ishin personat që takuat në Shqipëri? Në cilat ambiente u bënë takimet? Cilët ishin prezentë në secilin takim? A kanë qenë aty gjithashtu funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes, nëse po, cilët janë emrat e tyre?
Takimet shtesë u bënë për të përcaktuar çmimin e shitjes për municionin e kalibrit të vogël. Nëse ata mund të shisnin municionin me një çmim të tillë, atë unë mund ta çmontoja dhe shisja. Shumica e takimeve u mbajtën në zyrat qendrore të MEICO në Tiranë dhe disa u mbajtën në kafene dhe restorante. Gjithashtu, Ylli Pinari më dërgoi mua në disa depo furnizimi së bashku me personel nga zyra e tij, për të parë municionin që MEICO përpiqej të shiste. Besoj që emrat e tyre ishin Germal dhe Sali Frangu.
Përveç këtyre takimeve në Shqipëri, si vazhduan kontaktet me personin nën hetim Ylli Pinari dhe cila ishte përmbajtja e kësaj korrespondence?
Ne kemi folur në telefon dhe nganjëherë me postë elektronike për të parë nëse mund të arrinim në ndonjë marrëveshje mbi çmimet e municioneve.
Cila ishte arsyeja për ardhjen e tij në Shqipëri në datën 18 dhjetor 2006? Kush ua kërkoi këtë lëvizje dhe çfarë iu thanë për nevojën e prezencës në Shqipëri?
Unë po përpiqesha ende të plotësoja marrëveshjen për këtë projekt dhe më tha Ylli Pinari, që çmilitarizimi i municionit duhet të kryhet në Shqipëri. U tha gjithashtu që në atë kohë do të ishte mirë për mua të kisha një partner shqiptar, i cili ishte i afërt me MEICO. Pinari më tha mua që do të ishte e paligjshme të bëhej puna në Shqipëri, nëse unë nuk do të kisha një zyrë shqiptare.
Në çfarë rrethanash u dërgua faksi datë 27 dhjetor 2006, drejtuar Ministrisë së Financave? Kush e formuloi përmbajtjen e kërkesës? Kush e kërkoi atë dhe cila ishte arsyeja që u dërgua me faks nga SHBA?
Pinari më dërgoi një draft të këtij faksi, që unë duhet të bëja dhe e ktheva mbrapsht në Ministrinë e Mbrojtjes.
Cila ishte arsyeja që nuk bashkëlidhët kërkesën/ofertën datë 27 dhjetor 2006 për Ministrinë e Mbrojtjes dhe para se të lidhte kontratat, pse nuk bashkëlidhi dokumentet autentike ose kopjet e vërtetuara, të cilat përcaktonin regjistrimin e kompanisë SAC, fushën e aktivitetit, licencat që ishin dhënë nga autoritet kompetente për kryerjen e këtij aktiviteti, eksperiencat e tij në këtë fushë me kontrata të ngjashme, statusin e aktivitetit, etj?
Nuk e dija që duhet ta bëja.
A është kërkuar nga drejtori i ndërmarrjes MEICO, funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes, ose personat e tjerë, shpërblime të padrejta në shkëmbim të kryerjes së aktivitetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në Shqipëri? Nëse po, kush e ka kërkuar atë? Në çfarë mënyrash është kërkuar të bëhet? A është dhënë ndonjë shpërblim? Nëse po, kujt? Në cilën periudhë është bërë kjo, në ç’mënyrë është bërë kjo dhe në ç’mënyrë është dhënë ky shpërblim?
Jo.
Në cilat rrethana e ka njohur personin nën hetim Mihal Delijorgji dhe si vazhduan marrëdhëniet mes tyre. Për këtë qëllim fokusohuni në: Kush e ka prezantuar atë me Mihal Delijorgjin, vendet e takimit, emrat e pjesëmarrësve në takime; sa herë janë takuar ata, periudhat kur ata janë takuar, përmbajtja e bisedave, etj?
Pinari më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë.
Në ç’rrethana krijuan ndërmarrjen e përbashkët “AlbaDemil” shpk me Mihal Delijorgjin datë 21 dhjetor 2006?
Delijorgji ofroi se mund të siguronte fonde, personel dhe ambiente. Nëse unë do të siguroja makineri dhe mbikëqyrës për operacionin unë do të rimbursohesha për gjithë shpenzimet dhe 1/3 e të gjithë fitimit.
Cila ishte arsyeja që ndërtoi me personin nën hetim Mihal Delijorgjin kompaninë e përbashkët “Alba Demil” shpk, me kapitalin fillestar modest prej 100 mijë lekë (1200 USD), duke pranuar të përfitojë 33% të interesit, në një kohë kur ai hyri në marrëdhënie direkte me autoritetet e larta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me drejtorin e ndërmarrjes MEICO, ose atë në funksion të procesit, të teknologjisë si dhe të ndihmës teknike dhe profesionale? Pra a kishte ndonjë arsye bindëse pse ai nuk e regjistroi aktivitetin e tij si një filial kompanie SAC Inc, në Shqipëri, përmes të cilit ai mund të nxirrte përfitime maksimale për të cilën ai paraqiti gjithashtu ofertën, por duhet të krijonte një partneritet me Mihal Delijorgjin në krijimin e “Alba Demil” shpk, ku ky i fundit kishte kontribute krejtësisht modeste, por përsëri ka pjesën më të madhe të aksioneve?
Delijorgji siguroi gjithë ndërtimin e fabrikës, pajisjet e transportit, personelin që do të punonte, financimin për gjithë fazat e programit dhe kishte eksperiencën në bërjen e biznesit në Shqipëri. Përfshirja e tij zvogëloi rreziqet financiare dhe zgjidhi shumë çështje lidhur me veprimtarinë në një vend ku zakonet, gjuha dhe ligjet janë të panjohura.
A iu bë e ditur atij se legjislacioni shqiptar nuk lejon që aktiviteti i çmontimit dhe çmilitarizimit të kryhet nga ndërmarrjet private? Nëse po, kush ia bëri të ditur atij dhe kur? Në këtë kontekst, çfarë iu tha atij përsa i takon mënyrës së drejtimit, mjetet që do të përdoreshin dhe personat që do të përfshiheshin për të bërë të mundur ushtrimin e këtij aktiviteti në Shqipëri? (Këto pyetje dalin natyrshëm, për sa kohë që ata e kanë bindur atë jo vetëm për të ardhur në Shqipëri, por gjithashtu edhe për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët, dhe për më tepër për të kontaktuar me autoritetet e larta të Ministrisë së Mbrojtjes)?
Jo.
Cila është arsyeja që në marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare dhe me ndërmarrjen MEICO, ai ka ardhur si një përfaqësues i kompanisë Amerikane SAC INc, ku normalisht ai mund të paraqiste ofertën e tij së bashku me personin nën hetim Mihal Delijorgji, me të cilin ai ka lidhur një ortakëri, duke filluar në Shqipëri një ndërmarrje të përbashkët të quajtur “Alba Demil” shpk me fushën e aktivitetit në çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake?
Më thanë që do të ishte më mirë nëse unë do të kisha një partner shqiptar dhe kjo hoqi shumë nga të panjohurat si dhe uli kërkesat e investimit nga ana ime.
Kush e kërkoi atë dhe cila ishte arsyeja që ai erdhi në Shqipëri më datë 18 janar 2007? Me kë u takua ai? Ku u mbajtën takimet dhe cila ishte përmbajtja e bisedave?
Nuk e mbaj mend saktësisht kush e kërkoi takimin, por besoj se diskutimi ishte për kohën e kërkuar për të siguruar pajisjen militarizuese dhe sa kohë do të duhej për ta shqyrtuar materialin dhe kërkesat logjistike. Shumica e takimeve u mbajtën në restorante dhe shumica ishte me Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin.
Në ç’rrethana në ofertën e SAC Inc., dërguar me faks në datën 27 dhjetor 2006, në Ministrinë e Mbrojtjes, u kërkua çmontimi dhge çmilitarizimi i municionit me kalibër 37 mm? Kalibri i municioneve 37 mm nuk është brenda kufijve të municioneve për të cilat kompania SAC Inc., zotëron teknologjinë dhe teknikën dhe aftësitë profesionale, të cilat sipas saj, shkon deri në 14.5 mm?
Pinari përmendi që kishte një sasi prej 37 mm që duhej të çmilitarizohej dhe unë njihja një kompani e cila kishte aftësinë e çmontimit deri në 40 mm. Unë kontaktova me “Timberiline Environmental”, për të parë nëse ata do të ishin të interesuar në ortakërinë për të çmontuar municione të kalibrit më të lartë.
Duke vendosur para tij kontratën datë 19 prill, lidhur mes tij si përfaqësues i SAC Inc dhe ndërmarrjes MEICO, përfaqësuar nga personi nën hetim Ylli Pinari, le të bëjë komentet e tij duke e përqendruar në: rrethanat e konkluzionit të tij, vendndodhjen e tij në momentin e firmosje së saj, a është firma e tij apo jo? Në çfarë mënyre është hedhur firma, kur e hartoi kontratën, a kishte ndonjë korrespodencë për negociatat mes atyre për sa i takon afateve të kontratës etj. Nëse ai e ka këtë korrespondencë, do të ishte e dobishme të vihet në dispozicion në emër të këtij procedimi.
Unë nuk mund t’i përgjigje kësaj pyetjeje pa një kopje të këtij dokumenti, i cili nuk mu dha mua.
(vijon nesër)
Kush është Henry Tomei
TIRANE – Henry Tomei, i cili përmendet në dëshminë e amerikanit Patrick Henry, rezulton të jetë një biznesmen i mesëm nga Zvicra, i ndodhur në fakt në listën e zezë të kontrabanduesve të armëve. Megjithatë po ky person, Henry Tomei, i cili duket se i është rekomanduar amerikanit Patrick Henry nga drejtori i MEICO-s Ylli Pinari, del i përzier në një tjetër transaksion armësh nga Shqipëria. Henry Tomei rezulton të jetë kreu i kompanisë “Evdin” me qendër në Qipro, e cila bëri ndërmjetësen për fishekët që Shqipëria i shiti kompanisë amerikane AEY me president Efraim Diverolin. Hyrja në lojë e Henry Tomeit dyfishoi çmimin e fishekëve që i shiteshin kompanisë së tenderuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për furnizimin e forcave të sigurisë në Afganistan ndërsa gjithçka ishte në shkelje të ligjeve të SHBA, që ndalojnë tregtimin e armatimeve kineze. Fishekëve nga Shqipëria iu fshihej origjina kineze përmes ripaketimit.
Delijorgji: Kompania e Patrick Henry, merrej me barutin e dalë nga Gërdeci
TIRANE - Mihal Delijorgji, presidenti i kompanisë “Alba Demil” dhe ortaku i 67% të aksioneve të kësaj kompanie, në dëshminë e tij dhënë para prokurorisë ka ngarkuar me fajësi ortakun amerikan Patrick Henry, për shpërthimin e 15 marsit të vitit të kaluar. Delijorgji tashmë, nën akuzë për vrasje masive pohon se kompania SAC e cila përfaqësohej nga Henry ishte përgjegjëse për demontimin, magazinimin e lëndëve që dilnin nga ky proces, duke përfshirë këtu barutin dhe lëndët plasëse. Duke larguar të gjitha përgjegjësitë nga vetja dhe kompania e tij, Delijorgji pohon në njërën nga përgjigjet e tij se edhe MEICO dhe Ministria e Mbrojtjes janë fajtore, të cilat nuk i kanë vënë në dispozicion një rregullore të demontimit. Në dëshminë e vet Delijorgji pohoi se amerikani Henry i ishte afruar, (natyrisht i prezantuar nga Pinari), pasi kompanitë e tij ishin të specializuara në fushën e çmilitarizimit. Kjo të paktën në kontratat e shumta që kishte pasur me shtetin grek, ku shiteshin materialet ushtarake, përfshi edhe tanke në këmbim të fuoristradave ushtarake “Mercedes”. Pas kontakteve të para me amerikanin, Henry, Delijorgji ka vendosur të krijojë bashkë me të kompaninë Alba Demil, ku që në fillim biznesmeni dropullit do të merrte 67% të aksioneve, fakt që përkthehet lehtësisht në 67% të fitimit. Në këtë kompani Delijorgji pretendon se ka marrë më shumë kuota për shkak se do të investonte lidhur me përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, me krijimin e infrastrukturës shtesë si; objektet e nevojshme që do të shtoheshin, ashtu edhe përmirësimin struktural të pjesëve funksionale, si dhe me përmbushjen e kërkesave dhe pagesave me të tretët që ndikonin në realizimin e kësaj veprimtarie. Ndërsa Henry ka marrë përsipër sjelljen e linjës teknologjike me regjimin doganor të përkohshëm, linjë e cila do të tërhiqej nga ai mbrapsht në përfundim të procesit. fa.ma.
Amerikani dy kontrata për Gërdecin
TIRANE- Shtetasi amerikan Patrick Henry, pjesa e parë e dëshmisë së të cilit publikohet sot, është biznesmeni që u përfshi me Mihal Delijorgjin në krijimin e kompanisë së përbashkët që punoi në Gërdec. Duke shfrytëzuar reputacionin e mëparshëm të kompanisë SAC, pronë e Patrick Henry, Delijorgji u përfshi në biznes të përbashkët. Kompania e krijuar në Tiranë nga Henry dhe Delijorgji arriti të marrë dy kontrata nga MEICO. Kontrata e parë e vitit 2006 ishte për demontimin e fishekëve dhe ajo u mbyll pa probleme. Në dhjetor 2007, Patrick Henry mori një kontratë të dytë nga MEICO për çmontim predhash në Gërdec, por dy ditë më vonë, shefi i kompanisë SAC ia kaloi të gjitha të drejtat Mihal Delijorgjit.