Meta: Do bëjmë anëtarësimin real në BE
Kreu i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me qindra përkrahës të LSI, në njësinë nr.5 në Tiranë, tek rruga “Komuna e Parisit”. Në këtë takim Meta shoqërohej nga zv/kryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, nënkryetarja Erisa Xhixho dhe nga sekretari i marrëdhënieve me Publikun, Luan Rama. Meta u shpreh i sigurt, se LSI i njeh më mirë se të gjitha forcat e tjera problemet e kësaj zone të kryeqytetit, ndaj dhe do të jetë garante për zgjidhjen e tyre për 28 qershorit. Duke iu drejtuar qytetarëve të shumtë të pranishëm në takimin e djeshëm, Meta tha se “ju nuk do të zhgënjeheni nga votat që do të jepni për ne dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse më 28 qershor një gjë është fare e qartë dhe e kthjellët, forca fituese do të jetë LSI”. “LSI është forca që do të ofrojë garancitë, që qeverisja e ardhshme do të jetë vërtetë e majtë, vërtetë sociale dhe vërtetë për të ndihmuar njerëzit dhe do të jetë një qeverisje progresiste, që do ta çojë Shqipërinë përpara dhe do ta afrojë realisht me Bashkimin Evropian. Saliu bëri aplikimin elektoral për në Bashkimin Evropian, unë dua t’ju siguroj se ne do të bëjmë nënshkrimin real të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Meta në takimin me banorë të njësisë bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Gjatë këtij takimi Meta u shpreh se 28 qershori është një moment shumë i rëndësishëm dhe historik, sepse shqiptarët kanë në dorë me votën e tyre fatin e tyre dhe të vendit tonë të përbashkët për vitet që vijnë. Kreu i LSI risolli edhe një herë përpjekjen e kësaj partie për një vlerësim të moshës së tretë përmes projektligjit të paraqitur në Kuvend. “Ky projektligj u rrëzua nga Qeveria aktuale, sepse Sali Berisha nuk do t’ia dijë për pensionet qesharake përballë kostos në rritje te jetesës për pensionistët shqiptarë, sepse Saliut pensionin ia garanton Fazlliçi”, tha Meta.