Prifti: LSI, 6 mijë vende pune në sektorin e naftës
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti Dritan Prifti i shoqëruar nga deputetja e LSI Angjelina Kola, kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli dhe nga përfaqësues të tjerë të LSI-së në qarkun e Fierit, zhvilluan dje paradite një takim me naftëtarët e pushuar nga puna. Në këtë takim, qindra ish-punëtorë të ARMO-s, të pranishëm kanë informuar nënkryetarin e LSI-së mbi situatën në të cilën ndodhet sot industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, si dhe shprehën pakënaqësitë për largimet e tyre nga puna në mënyrë arbitrare. Duke shpjeguar programin qeverisës të LSI-së, nënkryetari i LSI-së Dritan Prifti u shpreh i bindur se vetëm LSI-ja ka një program të qartë dhe prioritet LSI ka vetëm punësimin, punësimin dhe vetëm punësimin. “Ndaj, Lëvizja Socialiste për Integrim ka parashikuar në këtë program që do të vihet në jetë menjëherë pas fitores së 28 qershorit, hapjen e 6 mijë vendeve të reja pune në këtë sektor”, tha Prifti. Sipas tij, nafta është një pasuri kolosale kombëtare e pashfrytëzuar, por për fat të keq, kjo pasuri po vidhet nga pushtetarët dhe nga ortakët e tyre të huaj. Gjithashtu, Prifti, duke u bazuar në programin e LSI-së, shtoi se LSI-ja garanton statusin e naftëtarit dhe pagesën e plotë për ish-punonjësit e ARMO-s, që kjo qeveri e paaftë i ka nxjerrë nga puna.