Rama: Kemi zgjedhur koalicion qytetarësh, jo pazar kryetarësh
Partia Demokracia Sociale konfirmoi koalicionin e saj me Partinë Socialiste në kongresin e saj elektoral, ku miratoi dhe programin elektoral dhe listën e 140 kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet. Kryetari i Demokracisë Sociale Paskal Milo lëshoi alarmin për parregullsi në zgjedhjet e 28 qershorit dhe akuzoi si cenuesin kryesor të tyre Kryeministrin Berisha. Milo prezantoi dje programin e partisë së tij në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërsa foli për nevojën e ndryshimit të mendësisë së qeverisjes, alternative e cila sipas tij ofrohet vetëm nga koalicioni i majtë. “Kryeministrit në detyrë i punon mendja me kapacitetin e jashtëzakonshëm të një instrumenti që prodhon energji negative, për të gjetur modele dhe formula që synon t’u vjedhë përsëri shqiptarëve vullnetin e tyre politik dhe të mashtrojnë partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Berisha në pushtet është i zoti të bëjë çdo gjë, që të mbrojë pushtetin dhe të manipulojë zgjedhjet. Ne kemi 1001 arsye për të fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe do t’i fitojmë ato. Aleanca jonë duhet të fitojë zgjedhjet, që modeli i keqqeverisjes të zëvendësohet me mirëqeverisje”, tha Milo. Në këtë aktivitet përshëndeti me një fjalim edhe kryetari socialist Edi Rama, i cili gjithashtu vuri theksin tek ndryshimi i mendësisë së qeverisjes. Duke vlerësuar pasionin politik të Paskal Milos, Rama tha se “kemi zgjedhur një bashkim të ri qytetarësh dhe jo një pazar të vjetër kryetarësh. Kemi zgjedhur rrugën e ndryshimit të politikës, sepse besojmë që për të ndryshuar Shqipërinë, nuk mjafton të ndryshojmë qeverinë, por qeverisjen dhe për të ndryshuar qeverisjen, duhet të ndryshojmë me patjetër politikën”, tha Rama.