FRPD-ja, organizoi udhëtimin e studentëve të bllokuar
Përfaqësues të forumit rinor demokrat pohuan mbrëmë se ata nuk kishin organizuar asnjë udhëtim
Një nga studentët në tragetin që i dërgoi në Trieste ka pohuar dje se udhëtimi qe organizuar nga rinia e djathtë
TIRANË- Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka organizuar udhëtimin e më tepër se 160 personave të pajisur me viza studentësh nga ambasada hungareze në Tiranë. Duket se në këtë mënyrë Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD), është përfshirë në një situatë aspak pozitive, duke organizuar udhëtimin e një grup personash nga Shqipëria në drejtim të disa vendeve të Mesdheut, duke nisur fillimisht me Triesten në Itali e më pas në Francë Spanjë dhe destinacione të tjera të kësaj zone. Një fakt i tillë është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të afërta me organizatorët që refuzuan të identifikoheshin. Po kështu një nga studentët që ishte pjesë e këtij udhëtimi, pohoi se ai ishte kontaktuar nga forumi rinor demokrat, Këta të fundit pohuan se udhëtimi dhe marrja e vizave është organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD), nëpërmjet një rrjeti të universiteteve private në Tiranë. Në të kundërt, vizat e marra nuk kishin pasur këtë qëllim. Në të kundërt, drejtues të FRPD- së, mohuan që udhëtimi në drejtim të vendeve të Mesdheut të ishte organizuar nga ky forum politik. Ndërkaq zëdhënësja e PD-së thotë se Mund të pyesni në forumet e tjera politike,- tha një përfaqësues i lartë i FRPD- së, por që nga ana tjerër refuzoi të identifikohej me emër duke qenë se sipas tij, kjo nuk qe e nevojshme në këtë rast. Ndërkaq, pjesë e këtij udhëtimi, mësohet se janë bërë edhe anëtarë të forumeve të tjera politike rinore.
Sipas të njëjtave burime, ky Forum ka dërguar pranë Universiteteve private në Tiranë emrat e pjesës më të madhe të personave, që më pas janë dërguar nëpërmjet Universitetit pranë Ambasadës së Republikës së Hungarisë në vendin tonë. Ambasada Hungareze, pasi ka dhënë vizat ka nisur edhe verifikimet e rastit për të zbuluar nëse vërtet personat kishin prenotuar hotelet të cilët kishin deklaruar apo jo në ambasadë. Ndërkaq, dje pasdite rreth orës 17:00, ka marrë fund kalvari i pritjes së 160 personave të paraqitur si studentë, itinerari i të cilëve ishte një vizitë në Trieste në brigjet e Spanjës dhe të Francës dhe destinacione të tjera të detit të Mesdheut. Në të kundërt, gjatë aplikimit të tyre në Ambasadën Hungareze në Tiranë, studentët dhe personat që i kanë përfaqësuar ata kishin pohuar se do të shkonin për një udhëtim në Hungari. Më tepër se 160 persona, jo pak prej të cilëve studentë, por pjesa më e madhe e tyre jo studentë. Ndërkaq, pas më tepër se dy ditësh qëndrimi në portin e Triestes, të gjith personat, pjesë e këtij aplikimi, janë rinisur nga Italia, në drejtim të Shqipërisë, duke u riatdhesuar nga autoritetet italiane. Riatdhesimi sipas tyre është argumentuar me faktin se ata nuk kanë pasur viza të rregullta udhëtimi, pasi ishin anulluar nga autoritetet hungareze, pavarësisht se ato ishin lëshuar në rrugë të rregullt ligjore.