Punëtori i ndërtimit vdes në mënyrë misterioze
Shira është gjendur i vdekur në kanalin e ashensorit, mendohet se ka rënë nga tarraca. Mungojnë paratë që kishte me vete
DURRËS- Një punëtor ndërtimi ka humbur jetën në mënyrë misterioze në qytetin e Durrësit. Aleks Shira, kishte vetëm pak ditë që kishte nisur punë ndërsa mbrëmjen e së premtes nuk kishte shkuar në shtëpi. E shoqja pasi është shqetësuar për këtë mungesë të bashkëshortit të saj, duke qenë se banonte në afërsi të vëndit ku sapo kishte filluar punë Aleksi, ka shkuar dhe e ka kërkuar atje, por nuk e ka gjetur. Ai nuk kishte lënë asnjë adresë, ndërsa, sipas të shoqes, ai kishte marrë me vete rreth 600000 mijë lekë të vjetra pasi do të lante një borxh që kishte pasur. Kjo ka bërë që kërkimet të intensifikohen. Disa orë më pas, Aleks Shira është gjetur në bodrumin e mbushur me ujë te gropës së ashensorit që do të montohej në banesë. Aleksi është gjetur rreth orës 12.00 të ditës së djeshme dhe menjëherë është njoftuar policia. Hetuesit që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë gjetur kufomën të zhytur në thellësi të ujërave të bodrumit të pallatit në ndërtim e sipër. Ata kanë nxjerrë trupin dhe e kanë nisur në drejtim të spitalit për të kryer ekzaminimet mjeko ligjore.
"Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje dyshohet se ai mund të ketë rënë nga lartësia e pallatit. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në polici janë shoqëruar disa shtetas në cilësinë e dëshmitarit të ngjarjes",- thanë burimet zyrtare të policisë. Ndërkohë pasdite është shoqëruar edhe tekniku i zbatimit të objektit në ndërtim, Gëzim Veizaj. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të sigurimit teknik, pasi nuk ka siguruar kushtet e punës për punonjësit lart në objekt. Hetuesit pohuan se viktima mendohet se ishte duke punuar në tarracë ku po lagte me ujë soletat e kateve të sipërme të pallatit. Sipas zëdhënëses, aty është gjetur edhe xhaketa e viktimës, në xhepat e së cilës ndodheshin katër mijë lekë. Pranë saj ishte edhe trasta e ushqimit që ai nuk kishte mundur të konsumonte.
Por nga ana tjetër, policia po heton edhe pistën e vrasjes së mundshme. Ka shumë të ngjarë që viktima mund të jetë shtyrë dhe hedhur poshtë nga ndonjë person tjetër. Kjo pistë është përforcuar nga fakti që nuk është gjetur shuma prej 600 mijë lekësh, të cilët ai kishte marrë me vete nga shtëpia. Hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë punonjësit e tjerë por askush nuk dinte gjë për paratë. Një tjetër dyshim i policisë është fakti që viktima nuk ka bërtitur gjatë rënies në tokë.
Banorët e zonës ku ka ndodhur ngjarja janë shprehur të revoltuar se kjo mund të jetë një vrasje për t'i marrë paratë. Viktima që ka rënë nga lartësitë ishte masakruar ne fytyrë dhe në kokë e gjithandej nëpër trup si pasojë e përplasjes me betonin në tunelin e ngushtë të ashensorit. Mark Brunga