“Gërdeci”, avokati: Pafajësi për Sokol Ngjeçin

Një nga 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, Sokol Ngjeçi, ka kërkuar pafajësi në gjykatë duke deklaruar nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës se nuk ka vrarë asnjë njeri. Në seancën e ditës së mërkurë avokati i specialistit të MEICO-s, ka lexuar para gjykatës mbrojtjen e tij pas pretencës së prokurorisë e cila ka dhënë masën e dënimit me 23 vjet burg për Sokol Ngjeçin. Në pretencë prokuroria e ka akuzuar një nga katër të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit për vrasje për shkak të cilësive të veçanta të personit si dhe për shpërdorim detyre. Për akuzën e parë avokati Nik Progni ka shpjeguar para gjykatës së nuk mund të provohet nga prokuroria pasi klienti i tij nuk ka dashur që të ndodhte shpërthimi i cili u mori jetën 26 personave e nuk mund të thuhet se ka bërë vrasje me dashje. Ndërsa në lidhje me akuzën e shpërdorimit të detyrës as kjo sipas avokatit nuk mund të qëndrojë, sepse Sokol Ngjeçi kishte me firmën e ministrisë së mbrojtjes MEICO një kontratë pune tre mujore dhe ku ka ndodhur tragjedia atij i kishte përdunduar kjo kontratë dhe për këtë arsye bie edhe kjo akuzë. Kështu pas përfundimit të leximit të mbrojtjes së avokatit Nik Progni seanca tjetër është lënë në datën 23 tetor nga gjyqtari Ridvan Hodo, ku do të paraqiten edhe 20 avokatë të tjerë të cilët do të mbrojnë 28 të pandehurit e mbetur ku tre prej tyre Dritan Minxolli, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm.