E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci do të pastrohet plotësisht nga mbetjet e armëve

Sipas raportimit të komandantit të Brigadës Logjistike kolonel Bardhyl Hoxha dhe përfaqësuesit të kontraktorit të Departamentit Amerikan të Shtetit, John Napolitano, detyrat e lëna ishin zbatuar, ndërsa vazhdon puna për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të zonës, me synim që ky operacion të përfundojë brenda vitit 2012.

 Më konkretisht zv/ministri Spahiu dhe gjeneralmajor Gjunkshi ndoqën nga afër procesin e shkatërrimit të gëzhojave dhe në mënyrë simbolike realizuan shkatërrimin e një gëzhoje në pajisjen e demilitarizimit. Më tej ata inspektuan edhe procese të tjera që kryheshin në këtë poligon demontimi, si dhe masat e tjera që janë marrë për vijueshmërinë normale të këtij operacioni.

Është për t’u theksuar se, në zbatim të marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të nënshkruar më 22 shkurt 2008, qeveria amerikane po kontribuon në procesin e asgjesimit të municioneve të tepërta në vendin tonë. Me amendimin e kësaj marrëveshje, në maj të vitit 2008, mbështetja e qeverisë amerikane përfshiu edhe pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së Gërdecit, pas tragjedisë që ndodhi në këtë zonë më 15 mars 2008.

Nga maji i vitit 2008 dhe deri tani kontraktori i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Forcat e Armatosura Shqiptare kanë kryer pastrimin dhe rehabilitimin e mbi 70 %  të zonës së infektuar me municione të plasura në Gërdec. Aktualisht Kompania EOD Salition dhe struktura të Brigadës Logjistike janë të angazhuara në procesin e demilitarizimit të gëzhojave të paplasura të grumbulluara në këtë zonë, pastrimin e zonës nga diegoret dhe asgjësimin e tyre, si dhe pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të kësaj zone.

Spahiu dhe gjeneralmajor Gjunkshi lanë detyra për pastrimin e rrugëve të kalimit nëpër zonë, kufizimin e tyre me shirita, si dhe për krijimin e të gjitha kushteve për familjarët që priten të bëjnë homazhe në obeliskun e ngritur në nderim të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.

                                                                                             2012-03-13 16:13
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›