E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, familjarët e viktimave: Gjykoni Mediun ose do bëjmë vetëgjyqësiNga TemaShtyrja e seancës së djeshme ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, më 14 shtator, kur ai rifiton imunitetin, pasi mandatohet sërish deputet, ka sjellë reagimin

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Gërdeci”, familjarët e viktimave: Gjykoni Mediun ose do bëjmë vetëgjyqësiNga Tema

Shtyrja e seancës së djeshme ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, më 14 shtator, kur ai rifiton imunitetin, pasi mandatohet sërish deputet, ka sjellë reagimin e ashpër të familjarëve të viktimave të Gërdecit. Në një letër drejtuar Presidentit të Republikës, Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë këta të fundit kanë kërkuar gjykimin e Mediut me çdo kusht ose në të kundërt do të bëjnë vetëgjyqësi. “Seanca e sotme e shtyrë për datën 14 shtator nuk duket si rastësi që koincidon me marrjen e mandatit nga i pandehuri Fatmir Mediu. Është e qartë që rimarrja e mandatit nga z. Mediu do ta kthente në utopi tentativën për të kërkuar të vërtetën te kjo çështje”, - shprehen familjarët e viktimave të Gërdecit. Ata kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë që Mediu të hyjë në Kuvend duke bllokuar me trupat e tyre hyrjen për në sallë.

Seanca e djeshme ndaj Mediut është shtyrë, pasi avokatët e tij mbrojtës kanë dhënë një justifikim banal për mungesën e tyre në sallën e gjyqit. Avokatët e Mediut, Ardian Visha dhe Petrit Serjani, në një letër drejtuar gjykatës thanë: “Jemi bllokuar në rrugë gjatë kthimit në Tiranë, për shkak të mbylljes së tunelit të Thirrës”. Argument ky që nuk mund të merret për bazë, pasi Ministria e Transporteve kishte njoftuar që ditën e dielën mbylljen e tunelit. Me shtyrjen e seancës së djeshme më 14 shtator, procesi ndaj Mediut rrezikon seriozisht që të mbyllet, pasi ai do të jetë deputet me imunitet, kështu që prokuroria duhet ta fillojë çështjen sërish nga e para, duke kërkuar imunitetin e tij në Kuvend, gjë që ka pak gjasa të ndodhë. “Gjatë këtyre 15 muajve ne kemi luftuar që drejtësia të vihet në vend dhe kemi hasur vështirësi pikërisht nga ato institucione, te të cilat ne kemi deleguar besimin tonë. Përpjekjeve tona që tashmë zgjasin prej 15 muajsh, drejtësia shqiptare nuk u është përgjigjur me seriozitetin e duhur”, - shprehen familjarët e viktimave të 15 marsit, të cilat tashmë e kanë humbur besimin te drejtësia.

Letra e plotë e familjarëve të viktimave të Gërdecit

I Nderuar President i Republikës

I Nderuar Kryetar i Gjykatës Kushtetuese

I Nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë

Të Nderuar,

Me këtë letër të hapur ne familjarët e viktimave të Gërdecit, përfaqësuar nga kryetari i shoqatës tonë, Feruzan Durdaj, po ju drejtohemi juve në respekt të plotë për institucionet që ju drejtoni, për t’ju vënë në dijeni mbi pamundësitë që po hasim në kërkim të drejtësisë. Duke besuar te ligji si formati i vetëm për të arritur tek e vërteta, ne familjarët e viktimave të shpërthimit makabër të 15 marsit 2008 në mënyrë të menjëhershme, vetëm 20 ditë pas shpërthimit filluam betejën tonë në rrugë ligjore duke respektuar plotësisht institucionet demokratike dhe rendin konstitucional, në të cilin jetojmë.

Përpjekjeve tona që tashmë zgjasin prej 15 muajsh, drejtësia shqiptare nuk u është përgjigjur me seriozitetin e duhur. Ky konstatim i dhimbshëm për ne që kemi humbur fëmijë e prindër, bashkëshortë, vëllezër apo motra në këtë tragjedi, merr shkas dhe nga gjykimi i ditës së sotme (06.07.’09), ku avokatët përfaqësues të zotit Mediu nuk u paraqitën dhe shtynë procesin, me justifikimin qesharak se nuk mund të ishin prezent, pasi kishin mbetur në Kukës si pasojë e punimeve në tunelin e Thirrës. Justifikimi u paraqit në orën 10.00, ndërkohë që informacioni publik i MTPP lajmëronte që tuneli do të mbyllej në orën 11.00. Duke parë këtë farsë dhe frymën tejet negative për ne e për gjendjen që po përjetojmë, po bëjmë një përmbledhje të gjithë shqetësimeve të hasura gjatë gjykimit, në të gjithë itinerarin e vet institucional.

- Seanca e sotme (06.07.2009) e shtyrë për datën 14 shtator nuk duket si rastësi që koincidon me marrjen e mandatit nga i pandehuri Fatmir Mediu. Është e qartë që rimarrja e mandatit nga z. Mediu do ta kthente në utopi tentativën për të kërkuar të vërtetën te kjo çështje.

- Gjykata e Lartë dhe në të kaluarën, pa marrë parasysh prezencën dhe legjitimimin e dhënë nga prokuroria për familjarët e viktimave përfaqësuar nga avokatët e tyre, bëri veçimin pa bërë më parë verifikimin si palë në proces. Vendim ky që bie ndesh me nenin 348, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale. Kjo ishte e papritur për ne, duke qenë se besonim që drejtësia po punonte për të na kthyer dinjitetin dhe për të qetësuar disi dhimbjen e shkaktuar padrejtësisht më 15 mars 2008.

- Gjykata e Lartë duke u shpallur jokompetente për gjykimin e të pandehurve të tjerë (ushtarakëve) kryen një veprim antikushtetues, pasi në këtë rast Gjykata e Lartë nuk zbatoi dispozitën e Kodit të Procedurës Penale, (neni 80/2) e në të njëjtën kohë pretendoi zbatimin direkt të Kushtetutës. Ky është veprim konfliktual, dhe nëse Gjykata e Lartë çmon (siç tregon vendimi i marrë prej saj), se kjo dispozitë e Kodit të Procedurës Penale është antikushtetuese, atëherë duhet të pezullojë gjykimin e çështjes dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për zgjidhje. Mënyra me të cilën ka vepruar deri më sot Gjykata e Lartë përmban dy shkelje të Kushtetutës, së pari kur Gjykata ka refuzuar të zbatojë një dispozitë ligjore (duke kundërshtuar nenin 145 pika 1 të Kushtetutës) dhe së dyti, kur Gjykata e Lartë ka marrë kompetenca të Gjykatës Kushtetuese, duke konstatuar se dispozitat e Kodit të Procedurës Penale bien ndesh me Kushtetutën (këtë nuk e bën dot Gjykata e Lartë). Vetë Gjykata e Lartë në raste precedente ka krijuar konfuzion në praktikën e saj, pasi me vendimin penal nr. 5, i datës 10.04.09, të Kolegjit Penal (juridiksion fillestar) pranoi të gjykonte si gjykatë kompetente edhe ministrin Basha edhe drejtorin e rrugëve, Toma, (pa veçuar të dytin për arsye jokompetence).

- Drejtuesi i çështjes, Besnik Imeraj, ka konflikt interesi, duke qenë se e bija ka punuar si avokate e firmës “AlbaDemil”.

Me anë të kësaj letre i kërkojmë Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si institucione përgjegjëse dhe të rëndësishme për balancimin dhe kontrollin e nevojshëm ndërinstitucional në një demokraci funksionale, që me veprimet e tyre të shpejta të parandalojnë anomalitë që mund të vijnë nga vendimet e mësipërme. Ne kërkojmë pezullimin e vendimeve të marra nga Gjykata e Lartë dhe kjo duhet bërë në mënyrë energjike dhe të shpejtë, në mënyrë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të mos jetë jashtë afateve dhe të drejtave (e të mos shkojë kësisoj në favor të të pandehurit), pasi rrjedhoja do të qe vijimi i trajtimit të çështjes në këtë format, siç është bërë deri tani. Pavarësisht nga dhimbja e thellë që neve, familjarët e viktimave te Gërdecit, na u shkaktua në mënyrë krejt të padrejtë nga politika, tek e cila kemi besuar, dhe të cilën e kemi sanksionuar me votë, dhe gjithashtu pavarësisht dhimbjes që na u shtua gjatë kësaj kohe po nga këta fajtorë, që i shpalosën emrat e familjarëve tanë nëpër tribuna politike, ne gjithmonë kemi menduar se vetëm respektimi i institucioneve shtetërore do të na krijonte mundësinë që fajtorët e tragjedisë të dënoheshin. Gjatë këtyre 15 muajve ne kemi luftuar që drejtësia të vihet në vend, dhe kemi hasur vështirësi pikërisht nga ato institucione, te të cilat ne kemi deleguar besimin tonë. Për arsyet që kemi radhitur më sipër ne po e humbasim gradualisht këtë besim, dhe për këtë arsye zgjedhim t’ju drejtohemi juve, si drejtuesit më të lartë shtetërorë, me shpresën që do të ndikoni që gjyqi më i rëndësishëm i Shqipërisë postkomuniste të kthehet në një gur themeli, mbi të cilin të ndërtohet demokracia, e jo një karakatinë që do të justifikonte vetëgjyqësitë dhe mungesën e besimit të qytetarëve shqiptarë.

Me respekt

Familjarët e viktimave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›