E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje në PrishtinëNga Ylber Vokshi-Ylli, ArkitektRregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje ishte një “dhuratë” e radhës për ata që e kanë dëmtuar ekstremisht shoqërinë kosovare për shkak të keqpërdorimeve

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje në PrishtinëNga Ylber Vokshi-Ylli, Arkitekt

Rregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje ishte një “dhuratë” e radhës për ata që e kanë dëmtuar ekstremisht shoqërinë kosovare për shkak të keqpërdorimeve të mëdha në vitet e pasluftës së vitit 1999, megjithatë jam i interesuar që kjo shoqëri të gjejë rrugën për të tejkaluar këtë problem themelor për të gjithë banorët e komunës së Prishtinës. Kjo do të ishte edhe si model për shumicën e komunave kosovare, të cilat nuk e kanë trajtuar këtë problematikë. E kam mirëpritur një rregullore për trajtimin e ndërtimeve pa leje në Prishtinë, natyrisht pas korrigjimeve profesionale që do të pësojnë pas diskutimeve publike (me siguri kusht i donatorit), si dhe konsultimeve të tjera me pjesëmarrës të tjerë në procesin e aprovimit. Atëherë, kur do të fuqizohet rregullativa ligjore që trajton këtë problematikë në nivelin qendror (MMPH)? Kjo rregullore komunale obligohet t’i përshtatet asaj qendrore, edhe pse nuk ka ndryshime të mëdha mes tyre në thelb.

Trajtimi i kësaj problematike nuk iu ka interesuar përgjegjëseve komunalë deri në vitin e fundit, kjo është evidente, shumë transparente në dhjetëveçarin e fundit. Sidoqoftë, do të tentoj të jap disa sugjerime dhe vërejtje konstruktive, qëllimmira në këtë rregullore, të cilat i kam prezantuar në debatin publik të datës 02. korrik 2009 në sallën e Kuvendit komunal të Prishtinës, e cila gati ishte e boshatisur me pjesëmarrjen simbolike të profesionistëve. Kanë ekzistuar më parë, ende ekzistojnë, mekanizmat aktuale ligjore të aprovuara në Kuvendin e Kosovës për të parandaluar këtë dukuri të shëmtuar, së cilës jemi duke ia parë sherrin ne, si dhe gjeneratat e ardhshme (neni 24.1 i propozuar i rregullores), ku qartë theksohet: “Çdo ndërtim pa leje, i filluar pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, duhet të trajtohet sipas Ligjit për ndërtim”. Ky nen tregon shumë mirë atë se si duhej vepruar deri më tani duke zbatuar së pari Ligjin e Planifikimit Hapësinor me ndryshime e pastaj atë të Ndërtimit të aprovuar në shtator të vitit 2003 dhe 2008, gjegjësisht 2004 në Kuvendin e Kosovës.

Potencohen kushtet e përkohshme të ndërtimit (neni 3) të lejuara sipas ligjeve në fuqi, por harrohet se duhet të respektohen procedurat e aprovimit dhe inkorporimit të tyre më vonë, kur përpilohen dokumentet hapësinore (planet), të cilët duhej të ishin së paku në procedim, për fat të keq kjo mundësi sot po keqpërdoret. Qëllimi i një shteti është që të gjithë të interesuarit të ndërtojnë me rregulla dhe ligje për të pasur një jetë më të mirë. Që moti ka kaluar koha, kur banorët janë refuzuar me arsyetime banale se “nuk kemi plane” (planifikimi konvencional), atëherë ata janë detyruar të ndërtojnë pa leje në shekullin XXI, siç është rasti i Prishtinës (neni 4) e shumë qyteteve tjera kosovare, të cilat deri më sot nuk kanë përpiluar planet hapësinore dhe urbane për të mundësuar përpilimin realist të planeve rregulluese. Në Prishtinë është vepruar dhe edhe tani veprohet në të kundërtën e ligjeve aktuale, si dhe normave dhe standardeve ndërkombëtare, për atë e kemi këtë situatë urbane në kryeqytet.

Është e rëndësishme që dokumentacioni, i cili duhet t’i bashkëngjitet kërkesës për leje të legalizimit, duhet me detaje të përshkruajë se çfarë duhet të përmbajë projekti i gjendjes ekzistuese (Neni 11). Taksat për legalizimin e ndërtimeve pa leje duhej të kishin dallime për objektet e banimit individual në krahasim me objektet kolektive të banimit, si dhe e ato afariste e jo të rritet për të gjithë njësoj 30%, në krahasim me taksat e rregullta të lejes së ndërtimit (Neni 17). Personalisht do të isha i stërkënaqur, nëse arrihet të inkasohen mjetet materiale për objektet e banimit individual (shtëpive) me tarifat ekzistuese komunale, pasi për veprimet e banorëve të Prishtinës pjesën më të madhe të fajit e kanë strukturat komunale, të cilat një kohë “mburreshin” për mosdhënien e lejeve të ndërtimit e në anën tjetër lejonin ndërtimet pa leje, edhe se i kishin të gjithë mekanizmat për veprim. Edhe dhënia e lejes së përdorimit kurrsesi nuk duhet trajtuar njësoj për të gjitha llojet e objekteve, pasi kjo leje është shumë më komplekse, paramendoni një objekt industrial automatikisht të ketë edhe lejen e përdorimit (Neni 21). Është fat i keq për Kosovën që ende nuk kemi persona të licencuar për punët e projektimit, të cilët kërkohen në nenin 23.3. të rregullores. Ky është rezultat i mosfunksionimit të institucioneve qendrore, atëherë do të kishim kontroll shtetëror në këtë fushë.

Manuali duhet t’iu shërbejë atyre që do të bëjnë legalizimin e jo atyre që në shumë raste kanë qenë të “detyruar” të ndërtojnë pa leje. Në shikim të parë pas prezantimit publik vërehet se një dokument i tillë është punuar nga profesionistët e planifikimit hapësinor dhe urban (me siguri Co Plan nga Tirana); si i tillë do t’i shërbejë pozitivisht zyrtarëve komunalë, si në procesin e legalizimit, ashtu edhe për të ardhmen në drejtoritë gjegjëse komunale të kryeqytetit, e besoj edhe të komunave të tjera në tërë Kosovën.

Ka edhe shumë çështje të tjera të diskutueshme në këtë draft-rregullore, për të cilat duhet debatuar edhe me pjesëmarrësit e tjerë para aprovimit, në këtë proces shumë të vështirë për zbatim korrekt, pasi vetë jemi ne ata, të cilët kemi lejuar këtë situatë, në të cilën të gjithë ne jemi humbës të mëdhenj.

Uroj që rregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje në Prishtinë, pos kërkesave obliguese të donatorit, të fillojë të zbatohet seriozisht, pasi kjo është në interesin e të gjithëve ne që jemi të detyruar të jetojmë në Prishtinë e të mos ngjajë si me diskutimin publik me arkitektët e të tjerët në qershor 2008 për zgjidhjen e qendrës së kryeqytetit, pasi sugjerimet qëllimmira fare nuk janë përfillur, pasi komuna disa herë shpall dhe përsërit tre tenderë për tri sheshe në qendrën e kryeqytetit, thua se ajo nuk është një tërësi urbane.

Këto dukuri njëherë e përgjithmonë duhen ndërprerë, pasi të menduarit dhe vepruarit në fushën e arkitekturës, urbanizmit dhe planifikimit hapësinor domosdo duhet ndryshuar për hir të ardhmërisë sonë. E mjerë është ajo shoqëri që vret arkitektin (Rexhep Lucin) dhe nuk respekton rregullat elementare të qytetërimit e kjo po na hakmerret sot dhe në të ardhmen, nëse gjeneratat e reja të profesionistëve nuk veprojnë për qytetin e tyre, kryeqytetin e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›