E Diel, 1 Nëntor 2026

Një saktësim për ata që votuan Partinë DemokratikeNga Fitim ZekthiHumbja e zgjedhjeve shkakton gjithnjë pezmatim te mbështetësit, ndoshta edhe zemërim. Ka raste, kur grupet më radikale të mbështetësve thyejnë xhama e djegin makina, siç ngjau në Franc

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Një saktësim për ata që votuan Partinë DemokratikeNga Fitim Zekthi

Humbja e zgjedhjeve shkakton gjithnjë pezmatim te mbështetësit, ndoshta edhe zemërim. Ka raste, kur grupet më radikale të mbështetësve thyejnë xhama e djegin makina, siç ngjau në Francë natën që Sarkozy u shpall fitues dhe përshëndeste nga sheshi “Condorde” mbështetësit e tij. Mbështetësit e John Kerry-t u panë të përlotur, kur presidenti Bush fitoi një mandat të dytë në nëntor të 2004-ës. E njëjta pamje ishte shfaqur, edhe kur Al Gore humbi pas zgjedhjeve dramatike të vitit 2000. Vitin që shkoi mbështetësit e senatorit McCain nga idhnimi reaguan me mosmiratim, kur ai iu tha atyre se kishte uruar presidentin Obama për fitoren. Pamje të tilla vijnë nga çdo mbrëmje zgjedhore në vendet demokratike të botës, megjithatë në asnjë rast nuk fyhen votuesit e palës fituese. Në shtyp dhe televizione as që bëhet fjalë. Dy ditë më parë në Shqipëri, Ardian Klosi, një publicist, gjuhëtar, qytetar i angazhuar, historian arti dhe qytetërimi, politolog, kritik arti, apo edhe psikolog, sociolog e gjithfarë tjetër mëtoi ta bëjë këtë gjë. Është e qartë se kthjelltësia në të menduar errësohet nga emocionet e sidomos nga të tilla si pezmatimi për humbje zgjedhjesh. Megjithatë në këtë rast nuk u pa errësim në gjykim, ky individ gjithnjë e ka patur errësimin përmasë të vetën, por mllef dhe urrejtje. Në përpjekje për të karakterizuar arsyet pse është votuar Partia Demokratike, ai zhytet në mendësinë e luftës së klasave, e bartur paprerë, me sa duket, prej kohësh. Ata që kanë votuar Partinë Demokratike janë, sipas tij, njerëzit më pak të arsimuar në vend, vijnë nga zonat më pak të arsimuara dhe kanë për rrasht të formimit të tyre krahinorizmin. Kjo është arsyeja, pse është votuar Partia Demokratike në Gërdec, së pari, ku banojnë njerëz që kanë ardhur nga veriu i vendit. Po ashtu, Partia Demokratike është votuar, sipas njeriut të cilit pezmi i ka zbuluar gjithçka, në fshatrat e fushës së Elbasanit dhe të Korçës dhe nuk është votuar në qytetin e Elbasanit apo të Korçës. Padyshim që të tilla marrëzira dëshmojnë djerrinën e të menduarit, por edhe Siberinë shpirtërore. Ato nuk duan të kuptojnë arsyet e një votimi të tillë. Thjesht ato duan të tregojnë se ky vend ka njerëz që jetojnë kot, që nëse iu var një mikrofon në xhaketë apo iu jep një sipërfaqe të caktuar gazete për të mbushur, ata nuk kanë drojë të fyejnë, nuk kanë drojë ta nxjerrin shajninë tyre faqeza. Veç kësaj ane ligane të shfaqur nuk mungon edhe padija e thellë në gjykime të tilla. Së pari, qyteti i Elbasanit ka votuar me diferencë të vogël për Partinë Demokratike dhe jo atë Socialiste dhe kjo nuk tregon asgjë në këndvështrimin e dijetarit të idhnuar. Banorët e Cërrikut atje pranë, që kanë votuar Partinë Socialiste, nuk janë më të arsimuar sesa fshatarët ngjitur që kanë votuar Partinë Demokratike. Qytetasit e Shkodrës nuk janë më pak të arsimuar se banorët e Gramshit apo të Ersekës. Fshatarët e Korçës sigurisht që nuk janë më pak të arsimuar sesa fshatarët e Labërisë. Vetëm një mendje e sëmurë sheh dallime të tilla. Zgjedhjet kanë specifikat dhe çdo votues ka arsyet e veta për votimin. Racizmi dhe fyerjet nuk mund të përdoren si shkak për të lënduar njerëz dhe për të shprehur dhimbjen. Në Vandé, ku revolucioni vrau djaloshin Joseph Barra, në veri të Francës, e majta nuk ka fituar prej më shumë se një shekulli, siç ka ngjarë po ashtu edhe në Auxerre. Askush në Francë nuk bën gjykime të tilla. Në zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare raundi i parë nxori një rezultat dramatik 100 me 0 për partinë e Sarkozy-së vitin e shkuar dhe askush nuk e përdori dhimbjen për të fyer. Shtetet si Massachusests kanë votuar për të gjithë kandidatët demokratë që prej Roosevelt-it në 1932 në ShBA dhe ata nuk i quan njeri as të arsimuar e as të paarsimuar. Edhe zgjedhësit në Idaho apo Wyoming kanë bërë të njëjtën gjë për republikanët e përsëri të tilla marrëzira që një gjuhëtar, ideolog, sociolog, publicist, kritik arti, veprimtar publik, historian e gjithfarë do ai nuk janë dëgjuar kurrë. Votimi për Partinë Demokratike ka arsye të tjera dhe ato nga një rajon në tjetrin mund të jenë të ndryshme dhe mund të ngjajnë, sipas rastit, por çështje arsimimi apo injorance nuk mund të jenë. Vendlindja ime ka votuar që prej 1991 Partinë Socialiste dhe pak ditë më parë ka votuar Partinë Demokratike. Këtë vit ata u çarsimuan, duhet të jetë logjika që me kovën e bojës në dorë përplaset murit dhe formon njollën e mllefit që bartet me vete nga kohë të këqija, kur shqiptarët burgoseshin dhe vriteshin edhe pa gjyq, siç edhe internoheshin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›