E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, kërkohet zhdëmtim për tragjedinë

TIRANE-Shoqata e viktimave të Gërdecit i ka dërguar sot Ministrisë së Mbrojtjes një kërkesë për dëmshpërblim për dëmet që u shkaktoi tragjedia e 15 Marsit 2008 nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve.

Kreu i Shoqatës së Gërdecit, Feruzan Durda bëri me dije se kërkesa iu dorëzua Ministrisë së Mbrojtjes me shpresën se ky dikaster do ti zhdëmtojë me 20 milionë lekë për cdo viktimë . “Do kërkojmë nga 20 milionë lekë te reja për cdo viktimë. Kërkesa jonë është e bazuar në ligj dhe presim një përgjigje brenda 30 ditësh”, bëri me dije Durda.
Por nëse kërkesa nuk merret parasysh, atëhere Shoqata e viktimave të Gërdecit do ti drejtohet me të njëjtën kërkesë, Gjykatës.

Në tragjedinë e 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona, 300 u plagosën si dhe mijëra banesa e subjekte private u dëmtuan. Për këtë ngjarje, më e rënda prej vitesh në vend po zhvillohet një proces gjyqësor, ku cështja "Gërdeci" numëron 29 të pandehur që në pjesën më të madhe janë ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Të pandehurit në këtë proces akzuohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës. Procesi aktualisht vazhdon me pyetjen e dëshmitarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›