E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse duhet kërkuar nxjerrja nga jeta politike e Fatmir Mediut?

Nga Mero Baze

Opozita shqiptare ka injoruar një nismë të lëvizjes “Mjaft!” për të nënshkruar një peticion që i rekomandon koalicionit në pushtet të ndalojë futjen në parlamentin e ardhshëm të Fatmir Mediut. Nisma, e cila ka vlera të mëdha politike, pasi vendos një standard për parlamentin e ardhshëm, duket se u la në harresë ndoshta nga qortimi i dikujt nga zyrat e opozitës, të cilët kanë interes themelor që Fatmir Mediu të jetë kandidat për deputet i shumicës, që ta kenë më të lehtë betejën politike kundër kryeministrit që erdhi në pushtet me sloganin e duarve të pastra. Por përtej interesave të ditës së opozitës dhe dembelizmit, me të cilin ajo kërkon të vijë në pushtet, një lëvizje qytetare kundër futjes në politikë të një zyrtari të inkriminuar kaq thellë është një standard moral për shoqërinë shqiptare. Unë e kuptoj se, duke qenë Fatmir Mediu përkrah Sali Berishës në këtë fushatë elektorale, s’ke nevojë t’u thuash shqiptarëve për kë të votojnë, se ua lehtëson shumë punën “koalicioni i Gërdecit”. Por në Shqipëri duhet të vendoset një standard i ri në politikë, që ta lërë njëherë e përgjithmonë në harresë konkurrencën me krimin.

Një lëvizje qytetare që do të ndalte Fatmir Mediun të futej në listat e kandidatëve për deputet ka disa anë pozitive.

Së pari, dëshmon vullnetin e opozitës së sotme për betejën kundër korrupsionit. Kjo fjalë, dhe pse është keqpërdorur dhe keqkatandisur në duar dhe gojë të korruptuarish, sërish ka të drejtën e saj të mbijetojë. Opozita jonë duhet të bëjë deklarata të qarta për standardet e një politikani të kapur në krim dhe korrupsion brenda një dite. Ajo duhet të përfshihet që tani në betejë kundër këtij standardi, me qëllim që nesër të mos përsërisë të njëjtin standard, nëse i ndodh diçka e tillë me ndonjë ministër të saj.

Së dyti, lëvizja për të lënë jashtë liste Fatmir Mediun, duhet bërë duke pasur parasysh dhe vetë standardin moral të këtij politikani. Kushdo që ka parë qoftë dhe një minutë nga shfaqja e tij neveritëse në TV “Klan”, ka parë një njeri, jo vetëm të papenduar dhe të papërgjegjshëm për atë që ka bërë, por dhe një politikan që guxon të ngrejë gishtin dhe të kërkojë përgjegjës për fajësimin e tij rreth Gërdecit. Ky standard politikani nuk gjendet në asnjë cep të këtij globi. Ashtu siç mbrohet Fatmir Mediu, rezulton se nuk ka përgjegjësi dhe dijeni për asgjë çfarë ndodh në ministrinë që drejton. Në këtë rast, nëse ia pranojmë këtë arsyetim Fatmir Mediut, ai s’duhet të jetë më në politikë si i papërgjegjshëm. Nëse nuk ia pranojmë, siç nuk duhet t’ia pranojmë normalisht, ai s’duhet të jetë në politikë si njeri që ka vrarë për të vjedhur.

Së treti, lëvizja për të lënë jashtë parlamentit Fatmir Mediun lidhet dhe me kryeministrin Berisha. Ky kryeministër shkarkoi për 4 minuta një ministër që u kap në tentativë për të zbërthyer një “mbërtheckë”, dhe po mbron për më shumë se një vit një njeri që është kapur në krye të punëve që shkaktuan 26 të vdekur dhe miliona euro dëme. Rasti Pango dëshmon se, nëse Sali Berisha nuk është përgjegjës për fajet e tua, ai të flak për 4 minuta, siç flaku Pangon, ku kuptohet që Berisha nuk kishte përgjegjësi për veset e tij. Por, në rastin e Mediut Berisha nuk e flak dhe përkundrazi e mban afër, pikërisht se Mediu e mban peng atë te djali i vet i përzier në këtë histori. Për këtë shkak Sali Berisha përdor standard tjetër moral për “mbërtheckat” dhe standard tjetër moral për shpërthimet. Për këtë arsye, një lëvizje qytetare që të kërkojë përjashtimin e tij nga lista e deputetëve duhet doemos të marrë jetë.

Në fund desha të them se fati i kësaj lëvizjeje nuk duhet pritur që do të jetë dorëzimi i Sali Berishës. Përkundrazi, kjo do të nxisë Sali Berishën të mbrojë Fatmir Mediun dhe të bëhet trup i bashkuar me të para 28 qershorit. Por dhe kjo është një fitore, pasi është më e lehtë t’u tregosh shqiptarëve se Sali Berisha nuk është i lirë të shkëputet nga ky njeri. Dhe pastaj më 28 qershor njerëzit nuk kanë më punë me Fatmir Mediun. Ai quhet i përzgjedhur i Familjes Berisha për të qenë në Kuvend dhe njerëzit kanë punë me regjimin e familjes Berisha. Lëvizja “Mjaft!” e nisi këtë betejë disa javë më parë, por duket se ka rënë në qetësi. Është koha për ta bërë këtë lëvizje temë të ditës dhe shqetësim kryesor të fushatës parazgjedhore, ku cilësia e kandidatëve do të jetë vendimtare për fatin e politikës së nesërme të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›