Komploti kundër Castrove
Me vite të tëra, dy gjëra të mira të diturisë konvencionale kanë dominuar debatet mes kubanologëve (nën speciet tropikale të ish-kremlinologëve). E para, që zv/kryeministri dhe cari i ekonomisë, Carlos Lage, ka qenë përgjegjës për drejtimin e ekonomisë së ishullit që nga fillimi i viteve 1990, dhe, pavarësisht nga dallimet në opinionet rreth performancës së tij, u pa si pasardhësi me më shumë shanse i vëllait dhe pasardhësit të Fidel Castros, Raulit. E dyta, se ministri i Jashtëm, Felipe Perez Roque ishte jo vetëm në krye të marrëdhënieve ndërkombëtare, në të cilat Fidel Castro vazhdimisht e më pak ishte i interesuar, por se ai gjithashtu ishte diçka si një bir i favorizuar. Shumica e vrojtuesve, duke përfshirë disa ish-presidentë latino-amerikanë të afërt me Castron, e shihnin atë si një pasardhës të qartë, atëherë kur vëllai i presidentit del nga skena. Andaj, vendimi i Raulit që t'i heqë qafe këto dy yje para dy jave, është një ngjarje e madhe në Kubë, dhe përndryshe nga spastrimet e mëhershme, kjo ka lidhje të dukshme me pasuesin e Fidel Castros dhe mund të na tregojë shumë rreth asaj që shtrihet përpara. Problemi, natyrisht, është se, njëlloj si në Bashkimin Sovjetik kur vdiq Stalini, apo në Kinë pas vdekjes së Maos, ne nuk e dimë me të vërtetë se çka po ndodh. Sidoqoftë, ka arsye të forta të besohet se diçka e këtij stili ndodhi: për së paku një muaj, Large, Perez Roque dhe të tjerët, si duket ishin të përfshirë në një konspiracion, tradhti, grusht shtet apo çfarëdo termi që preferoni, për të përmbysur apo zëvendësuar Raulin nga pozita e tij. Gjatë kësaj përpjekjeje, ata rekrutuan, apo ishin të rekrutuar nga - Hugo Chavezi i Venezuelës, i cili, si shkëmbim u përpoq të fitojë përkrahjen e udhëheqësve të tjerë të Amerikës Latine, duke filluar me Leonel Ferndandezin e Republikës Dominikane, i cili refuzoi të përfshihet.
Arsyet e tyre pse dëshironin të hiqnin Raulin, kryesisht ishin pushteti dhe fuqia, por ata gjithashtu kishin frikë se udhëheqësi po fillonte të ndihej i kërcënuar nga reagimi i popullit kuban ndaj deprivimit të madh ekonomik dhe shoqëror, dhe pas ikjes së vëllait të tij, Rauli nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë rrjedhën e ngjarjeve. Si pasojë e kësaj, ai do të pranonte një varg reformash ekonomike dhe politike për të normalizuar marrëdhëniet me SHBA-në, duke e ditur shumë mirë se aty gjendet mundësia e vetme për përmirësimin e menjëhershëm të jetës së kubanëve. Ata besonin se kjo ishte tradhti ndaj revolucionit dhe fillimi i fundit të mbijetesës së tij.
Kjo do të paraqesë intrigën e fundit anti-Castro që nga viti 1959. Si zakonisht, Castro (këtë herë Rauli; para kësaj që të dy vëllezërit) e zbuloi komplotin pothuajse para vetë komplotuesve. Raul ia çoi dëshminë e mbledhur nga inteligjenca ushtarake vëllait të tij të sëmurë dhe e detyroi të zgjedhë: të qëndrojë me të dhe të zgjerojë përkrahjen e tij ndaj rrugës së parapërcaktuar të trashëgimisë, apo të përkrahë Lagen dhe Perez Roquen dhe të braktisë Raulin. Me dëshpërim të qartë ndaj aleatëve të tij të vjetër, komandante Maximo e përkrahi Raulin. E pastaj Chavez u thirr në Havanë për t'u vendosur para edhe një alternative të djallit: sprapsu, gjersa mban përkrahjen ekonomike për ishullin, ose e humb aparatin kuban të sigurisë dhe inteligjencës, duke e ekspozuar veten ndaj përpjekjeve për grusht shteti dhe vrasjes nga zëvendësimet eventuale venezuelase. Ai zgjodhi të qëndronte me Castrot.
Një ditë pas dorëheqjeve të tyre, të dy komplotuesit u përjashtuan nga postet e tjera të tyre të turpëruar. Në një kolumne në gazetë, Fidel i akuzoi ata se po mbanin “ambicie” të tepërta të ushqyera nga “mjalti i pushtetit” dhe nga “mungesa e sakrificës”. Ai tha se ata kishin ringjallur iluzionet e “fuqive të jashtme” kur është në fjalë e ardhmja e Kubës. Më e rëndësishmja, dhe në mënyrë enigmatike, ai iu kthye një metafore të bejsbollit me rastin e Bejsbollit Botëror Klasik që të lavdërojë dominikasit për mospjesëmarrje (planet e ekipit nuk kishin qenë të qarta) dhe tha se lojtarët e bejsbollit të Chavezit, sado që të jenë “të mirë e të rinj”, nuk krahasoheshin me “yjet e moçme të Kubës”. Kur konspiruesit u zhveshën nga titujt e tyre, ata publikuan letra klasike staliniste 'mea culpa', duke i pranuar “gabimet” e tyre (pa thënë se çfarë ishin ato), dhe u zotuan për besnikëri ndaj Fidelit, Raulit dhe revolucionit. Kjo sjellje ngre pyetje ogurzeza. Perez Roque ishte i famshëm në Kubë; rinia e tij, origjina e tij modeste, natyra e tij luftarake, të gjitha këto e sollën atë më afër popullit sesa që janë shumë burokratë të Kubës.
Kur të ketë shkuar Fideli, a do të jetë në gjendje Rauli që ta “mbajë atë në fermë,” nëse dhe kur të thotë se është pasuesi i vërtetë i Fidelit? A do të jetë në gjendje Rauli të nxjerrë një rivendosje të marrëdhënieve me Uashingtonin mjaft shpejt sa të fashitë situatën të cilën mund ta shfrytëzojnë kundërshtarët e tij? Apo duhet të veprojë e t'i heqë ata nga skena, me një mënyrë apo një tjetër, para se ata të kthehen të mbështjellë me lavdi? Nuk ka nevojë të thuhet, por asgjë nga këto nuk mund të provohen në tërësi dhe është mjaft e mundur që, në fakt, e tërë afera mund të ketë marrë fund tani. Ose, ndoshta më shumë, do të ketë një vazhdim: persekutim i mëtejshëm i idhujve të rënë, pakënaqësi në rritje brenda Kubës dhe vështirësi në rritje në anën e Raulit, kur është në pyetje menaxhimi i trashëgimisë. Ia vlen të kujtohet se Lenini, Stalini dhe Maoja nuk ishin në gjendje të kontrollonin pasardhësit e tyre dhe ata nuk ishin as budallenj e as fëmijë. Ka arsye të mëdha të besohet se Fideli, pavarësisht nga i tërë talenti i tij, do të vërtetohet më i suksesshëm.
Castaneda është ish-ministër i Jashtëm i Meksikës, profesor i shquar global në Universitetin e Nju-Jorkut dhe anëtar i Fondacionit “Amerika e Re”