E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhurata e Irlandës për BE-në

Duke votuar në mënyrë aq të vendosur kundër Traktatit të Lisbonës në muajin qershor, Irlanda u bëri një shërbim të madh partnerëve të Bashkimit Evropian. Analiza e votës e bërë nga qeveria dhe e publikuar javën e kaluar, konfirmon se një prej arsyeve kryesore pse irlandezët votuan kundër, ishte se ata kishin frikë se mos humbnin komisarin e tyre evropian. Para një referendumi të dytë që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, liderët e Bashkimit Evropian duhet që t’u japin garanci irlandezëve se asnjë anëtar nuk do të humbasë fjalën e tij në tryezën e Komisionit. Sipas traktatit të Lisbonës, kjo duhej të ndodhte në vitin 2014, në kuadrin e planit për të reduktuar numrin e komisarëve nga 27 në 18, me postet që do të jenë me rotacion nga të gjitha vendet. Ekspertët e dëshpëruar theksojnë se, sipas Traktatit të Nicës, reduktimi do të hynte në efekt vitin e ardhshëm, kur të krijohet komisioni i ri.

Por, nëse kjo ndodh në vitin 2009 apo pesë vjet më pas, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Ndaj, sugjerimi që çdo vend tjetër i BE-së të mbajë komisarin e tij, që konsiderohet si një mënyrë e kujdesshme për të bindur irlandezët të mendohen sërish, është lajm i mirë. Teksti i Traktatit të Lisbonës lejon që kjo të hyjë në fuqi me një vendim të thjeshtë të liderëve të BE-së, pa rihapjen e diskutimeve për marrëveshjen. Është interesante se si anti-evropianët dhe pro-evropianët bashkohen në pikëpamjen se Komisioni duhet të reduktohet në numër. Grupi i parë e konsideron rritjen e numrit të komisarëve si një simbol të oreksit të pangopur të institucionit për më shumë pushtet në kurriz të sovranitetit kombëtar, ndërsa të dytët e shohin si cenim të kredibilitetit dhe efektivitetit, pasi ka shumë komisarë dhe nuk mund të gjenden detyrat reale për ta.

Ky është një keqkuptim për rolin në zhvillim e sipër të komisarëve, ndërsa BE-ja rritet në përmasa dhe kompleksitet. Edhe pse historikisht ata janë konsideruar më shumë si politikbërës, nuk është më rasti të quhen të tillë. Tashmë më shumë se kurrë, BE-ja po e humb mbështetjen popullore. Në një kontekst më të zgjeruar, kjo ndodh sepse evropianët nuk dinë mjaftueshëm se si funksionin institucioni. Komisarët duhet të jenë figura drejtuese në bazën e funksionit të komunikimit dhe jo vetëm se ata kanë një detyrë me kohë të plotë dhe duhet ta dinë përse po flasin. Pjesa më e madhe e politikanëve kombëtarë i kushtojnë në rastin më të mirë, një pjesë të vogël të energjive të tyre diskutimit për BE-në. Në rastin më të keq, ata e injorojnë një gjë të tillë. Puritanët mund të thonë se është një gabim që vende si Irlanda t’u referohen komisarëve të tyre, pasi kjo nënkupton se ai apo jo nuk është e pavarur siç e kërkon detyra që kryejnë. Por edhe të sugjerosh se një komisar është i paprekur nga impakti i diskutimit mbi bazën e “vendit që ata njohin më mire”, është gjithashtu naive. Komisioni do të ishte në vështirësi serioze nëse do të drejtohej nga individë që nuk kanë sensibilitet për vendin e tyre të origjinës.

Nuk është sekret në Bruksel se Charlie McCreevy, komisari irlandez, pavarësisht se është personi përgjegjës për portofolin e tregut të bashkuar, vazhdimisht ka folur kundër harmonizimit të taksave në BE. Është tërësisht e ligjshme që komisarët të jenë fytyra njerëzore e institucionit të tyre dhe në mënyrë thelbësore ta tregojnë këtë edhe në vendin e tyre, jo vetëm duke folur për instancat që drejtojnë, por edhe për çështje të tjera ku ka një dimension të Bashkimit Evropian.

Ata të gjithë duhet të flasin për problemet kryesore me të cilat përballet BE-ja në një botë të globalizuar, nga udhëheqja deri te ndryshimet klimatike dhe aktivitetet paqeruajtëse. Ka shumë çështje që nuk po gjejnë audiencën e dëshiruar. Kjo është edhe arsyeja se pse ideja e heqjes së komisarëve me rotacion është e keqe. Efiçenca nuk duhet të ngatërrohet me efektivitetin. Ndërsa një komisar ka një portofol “real” apo “sureal”, kjo është dytësore. Çështja kryesore është që çdo vend anëtar të mbajë komisarin e tij për të angazhuar më shumë audiencën kombëtare. Nëse referendumi i qershorit bën që kjo të ndodhë, atëherë proevropianët e të gjitha llojeve do t’i jenë mirënjohës Irlandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›