E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha kompanitë e telefonisë ulin ndjeshëm tarifat

Kompania e telefonisë së lëvizshme AMC dhe ajo e telefonisë fikse Albtelekom njoftuan dje se kanë ulur tarifat e bisedave të tyre. Pak ditë më parë këtë gjë e njoftoi edhe kompania Vodafone. Dita e djeshme shënoi futjen në fuqi të metodologjisë, me të cilën Enti Rregullator i Telekomunikacioneve do të rregullojë tarifat e telefonisë. Këto kompani janë cilësuar nga enti si operatorë me fuqi të ndjeshme në treg prej disa kohësh.

Kompania AMC bëri me dije se tarifat për klientët Alba Karta do të ulen në varësi të kohëzgjatjes së bisedës, duke përfshirë thirrjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Konkretisht thanë burime të kompanisë për një telefonatë 3-minutëshe brenda rrjetit, abonenti do të paguajë 63.90 lek, në vend të 112.5 lek (43% më pak). Nëse abonenti flet më tepër (një bisedë 5-minutëshe tani kushton 87.90 lek dhe jo më 187.50 lek), ai përfiton një ulje më të ndjeshme prej 53%. Dhe nëse flet edhe më tepër (10 minuta), ulja bëhet 61% (147.9 lek në vend të 375 lek). Po kësisoj edhe kompania Albtelekom tha se ajo do të ulë tarifat me 57 përqind dhe kjo gjë duhet të ketë hyrë dje në fuqi. Sipas burimeve zyrtare të kësaj kompanie, në zbatim të vendimit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Albtelekom ka ribalancuar tarifat për të gjitha kategoritë e thirrjeve të kryera nga abonentët. Sipas të dhënave, bisedat telefonike kombëtare brenda rrjetit Albtelekom, do të ulen sipas kategorive, që arrijnë deri në 57%. Pak ditë më parë kompania Vodafone njoftoi e para uljen e tarifave për klientët e saj Vodafone Card deri në 26%.

Sipas të dhënave publike të kësaj kompanie, telefonatat kombëtare brenda rrjetit Vodafone nga 38 lekë/minutë, bëhen 29 lekë/minutë. Telefonatat drejt operatorëve të tjerë celularë, nga 50 lekë/minutë, bëhen 38 lekë/minutë, ndërsa telefonatat drejt operatorëve fiks, nga 38 lekë, shkojnë në 28 lekë/minutë. Ndryshim kanë pësuar dhe tarifa e telefonatave me destinacion ndërkombëtar, të cilat nga 120 lekë, bëhen 116 lekë/minutë. ERT tha dje se të gjitha kompanitë e telefonisë celulare që operojnë në vendin tonë kanë bërë publike uljen e tarifave për klientët e tyre, por megjithatë ERT në ditët në vazhdim do të monitorojë situatën dhe do të marrë masa në rast se kompanitë nuk ulin realisht tarifat e tyre. Qeveria shqiptare miratoi në qershor të këtij viti metodologjinë e rregullimit të tarifave për këtë kategori nëpërmjet të cilës parashikohet reduktimi i shpenzimeve të konsumatorëve me 20% brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20% brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36% në vitin 2009 në krahasim me shpenzimet aktuale. Miratimi i kësaj metodologjie kishte si qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg (Albtelekom, Vodafone Albania, AMC) të jenë të orientuara drejt kostos, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›