E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci nuk lejoi manipulimin e Ramës

17/03/2009  Reagimi i PD-së

Partia Demokratike thekson se mitingu i organizuar nga Partia Socialiste në Gërdec dështoi tërësisht, pasi nuk gjeti mbështetjen e banorëve të zonës dhe më pas as të Tiranës. Zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat Aldo Bumçi në reagimin e tij postmiting ka falënderuar qytetarët e Gërdecit, “të cilët me dinjitet dhe qytetari i dhanë përgjigjen e merituar përpjekjes së Edi Ramës për të manipuluar politikisht me shpirtrat e të dashurve të tyre dhe nuk lejuan që të organizohej mitingu i shpallur nga ai dje në Gërdec”. Bumçi tha gjithashtu se PD-ja shpreh falënderimin dhe vlerësimin më të madh për qytetarët e Tiranës, të cilët refuzuan të merrnin pjesë në mitingun e Edi Ramës, pasi ky miting, sipas Bumçit, nuk kishte të bënte me kujtimin e viktimave të Gërdecit, por për të deformuar suksesin më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe për të zhvilluar një betejë brenda së majtës shqiptare. “Qytetarët e Tiranës me mospjesëmarrjen e tyre i dhanë Edi Ramës, njeriut të mitingjeve funebre politike, leksionin që meritonte. I thanë atij se “ti nuk ke moral të protestosh për Gërdecin, ndërkohë që me Delijorgjin dhe paratë e tij ke kaluar pushime të përsëritura në hotelet më luksoze të Europës, ndërkohë që me Delijorgjin të lidhin fitimet e 30 shesheve dhe lejeve të ndërtimit dhe prej një viti nuk guxon të shqiptosh emrin e tij”, - ka deklaruar zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat. Bumçi tha se PD-ja garanton të gjithë qytetarët e Gërdecit se çdo problem i tyre, sikundër deri më sot, do të marrë zgjidhje. “Qytetarët e Gërdecit me qëndrimin e djeshëm kanë nderuar jo vetëm të dashurit e tyre, por mbarë shqiptarët. Kurse ai që hapi fushatën elektorale duke manipuluar me shpirtrat e njerëzve si dhe me një cinizëm ekstrem nëpërmjet zëdhënësit të tij, e shpalli ditën e djeshme, ditën e zisë, si një ditë të madhe, do të marrë ndëshkimin e merituar nga vota e shqiptarëve”, - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›