E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, OSSH i faturon energji një të vdekuri

17/03/2009  Nga 5 mijë lekë çdo muaj në shtëpinë bosh

FIER- Në Fier ndodh çudia. Edhe pse figurojnë në zyrat e gjendjes civile si të ndarë nga jeta dhe realisht janë vërtet të tillë, ata vazhdojnë “të konsumojnë” energji elektrike, por nuk janë në gjendje të paguajnë detyrimet dhe faturat e KESH-it. Këta “debitorë” shënojnë një konsum prej 5000 lekësh të vjetra, gjithsesi me një konsum të pakët. OSSH-ja e Fierit u dërgon fatura edhe kryefamiljarëve të vdekur në Fier. Një rast i tillë ka ndodhur në lagjen “Liri” ku kryefamiljari i saj ka rreth 1 vit i vdekur. Po kështu edhe bashkëshortja e tij ka rreth 4 vjet që ka ndërruar jetë. Megjithëse shtëpia është e kyçur dhe në të nuk banon njeri, duke ngelur përjetësisht e shkretë, për shkak se djemtë e kësaj familjeje janë në emigracion, poshtë derës, faturistët e OSSH-së së Fierit vazhdojnë “të bëjnë detyrën”, duke i lëshuar kryefamiljarit të vdekur Kozma Priftit faturën me rreth 5000 lek të vjetra konsum të energjisë elektrike. Një i afërmi i tyre pohon i shqetësuar, por edhe me një ngjyrim komik se këto fatura vijnë rregullisht çdo muaj nga faturistët dhe shënohen rreth 400-500 lek të reja. “Kjo shtëpi është e shkretë”, pohon i afërmi i tij madje është e kyçur dhe nuk banon askush qysh prej një viti kur Kozmai mbylli sytë. Djemtë i ka në emigracion dhe nuk kanë ardhur qysh atëherë, kur varrosën babanë. Në këtë shtëpi përdhese faturat fluturojnë nga oborri . Kush do t’i paguajë këto fatura”? Lidhur me këtë ngjarje faturistët shprehen se janë të detyruar të zbatojnë vendimin e ri nr. 21, datë 14.2 2008 për përcaktimin e çmimeve dhe shitjes me pakicë të energjisë elektrike duke përcaktuar edhe një tarifë prej 2500 lekësh të reja, e cila do të aplikohet për kontratat me konsum zero. Ata mbrojnë gjithashtu edhe faktin se askush prej familjarëve nuk ka deklaruar vdekjen e kryefamiljarit Prifti, ndërkohë faturat e shitjes së energjisë elektrike vazhdojnë të mbërrijnë ne emër të kryefamiljarit Kozma Prifti, i cili prehet në varrezat e qytetit Fier. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›