E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Heqja e imunitetit të Neranxit, presion politik ndaj LSI

 

Kryetari i grupit parlamentar “E Majta për Integrim”, Pëllumb Xhufi, tha dje në Kuvend se kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI, Nikollaq Neranxi, është një presion i hapur politik. “Kemi të bëjmë me një rast presioni të hapur politik, që bëhet ndaj Neranxit për atë çfarë ai përfaqëson si individ dhe kundër forcës politike që ai përfaqëson, dhe nuk besoj që të jetë vetëm maxhoranca në këtë histori...”, tha Xhufi. Po dje u mblodh Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së. Në të është vendosur që në mbledhjen e ardhshme të tij të dëgjohet dhe deputeti Neranxi. Kryetari i grupit parlamentar “E Majta për Integrim” tha dje se sulmi ndaj deputetit Neranxi ka nisur që nga momenti kur ai u shkëput nga PAA e Lufter Xhuvelit, i cili iu bashkua maxhorancës. Që prej asaj kohe, tha Xhufi, biznesi i familjes së tij ka pasur sulme të vazhdueshme nga fisku shqiptar. “Që në atë kohë, gjithmonë na kujtohet sesi zoti Neranxi, në mënyrë të dukshme këtu, por ne dimë dhe fakte të tjera, i janë bërë presione të vazhdueshme, i janë bërë kërcënime nga maxhoranca, i janë bërë kërcënime të hapura nga ministri i Financave, pikërisht për ta shkatërruar atë dhe për të shkatërruar biznesin e familjes së tij. Arsyeja dihet, sepse zoti Neranxi me një kurajo që e karakterizon dhe që nuk na karakterizon ne, shumë të tjerëve, ka denoncuar fakte korruptive të kësaj qeverie”, tha Xhufi. Sipas tij, “këtu kemi të bëjmë me një rast presioni të hapur politik, që bëhet ndaj personit Neranxi për atë çfarë ai që përfaqëson si individ dhe kundër forcës politike që ai përfaqëson, dhe nuk besoj që të jetë vetëm maxhoranca në këtë histori”. Ai la të kuptohet se presione ndaj deputetit të LSI-së vijnë dhe nga denoncimi që ai i ka bërë aferave korruptive të kryebashkiakut të  Himarës, Vasil Bollano. Edhe pse mbështet punën e Prokurorisë, Xhufi tha se organi i akuzës pas miratimit të ligjit të ri për Prokurorinë, e ka humbur kurajën e saj, gjë që duket dhe në dy çështjet e mëdha korruptive, siç është Gërdeci dhe rruga Durrës-Kukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›