E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tek Meta shohim kapacitet dhe ngjashmëri me Obamën”

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim nisi dje bashkëpunimin me kompaninë e njohur amerikane “Greenberg Quinlan Rosner” për zgjedhjet e 28 qershorit. “Greenberg Quinlan Rosner” e konsideron Ilir Metën një lider me të dhëna dhe kapacitete të njëjta me presidentin e sapozgjedhur amerikan Barack Obama. Kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe zv.presidenti i “Greenberg Quinlan Rosner”, Mark Feierstein dhanë dje gjatë një konference për shtyp detajet e bashkëpunimit të tyre. Zv.presidenti i kompanisë amerikane, një njohës i mirë i situatës dhe partive politike në Shqipëri, u shpreh entuziast nga bashkëpunimi me LSI-në dhe Ilir Metën për cilësitë që ato kanë. Sipas tij, “Greenberg Quinlan Rosner” bashkëpunon vetëm me kandidatë progresistë. “Kompania jonë punon me kandidatë progresistë dhe nëse shohim traditën e LSI-së, do të gjejmë plot ngjashmëri mes tyre dhe kandidatëve tanë demokratë në SHBA dhe në parimet e kësaj partie. Po të shohim këto zgjedhje, se çfarë Shqipëria ka nevojë, duket që zoti Meta e di këtë rëndësi. Ajo ç’ka nevojitet tani është dikush që është testuar më parë si lider, që ka eksperiencë në nivel kombëtar, që di sesi të punojë për zgjidhjen e krizës ekonomike dhe që e bën këtë në një mënyrë duke pasur parasysh të gjitha nevojat e njerëzve të varfër. Pra, problemi është jo vetëm që të zgjerojmë partinë tonë, por në një mënyrë që të jetë e pranueshme nga të gjithë shqiptarët. Pra, ky është parimi kryesor që zoti Barack Obama i është përkushtuar Partisë Demokratike dhe ne shohim një ngjashmëri dhe kapacitet të njëjtë të zotit Meta për partinë e tij”, tha Mark Feierstein. Duke vijuar në vlerësimin e tij, zv.presidenti i kompanisë amerikane u shpreh se koha e kreut të LSI-së si kryeministër i vendit ka shënuar vetëm suksese. “Nëse kthehemi pas dhe shikojmë historinë e Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik, do të shikonim që të gjitha investimet dhe zhvillimi janë bërë gjatë periudhës së qeverisjes së zotit Meta. Ai është dhe një mik shumë i mirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte një aleat tepër i mirë i SHBA-së dhe ne kemi punuar shumë pranë së bashku në çështje të rëndësishme, për vendin tim dhe për çështje të ndryshme rajonale”, u shpreh Feierstein. Nga ana e tij, në këtë prezantim Ilir Meta vlerësoi reputacionin dhe kontributin që kjo kompani ka në fushatat zgjedhore dhe në mbështetjen e kandidatëve të njohur për presidentë dhe parti në të gjithë botën. Meta u shpreh i kënaqur dje me nisjen e këtij bashkëpunimi, dhe tha se një nga qëllimet do të jetë garantimi i standardeve të zgjedhjeve. “Ne sigurisht jemi shumë të shqetësuar për standardet e zgjedhjeve, ndaj një nga drejtimet e bashkëpunimit tonë do të jetë pikërisht bashkëpunimi për të mbrojtur standardin e zgjedhjeve të ardhshme, që është rrezikuar seriozisht nga mungesa e vullnetit politik të dy palëve, dhe në veçanti të maxhorancës për të garantuar zgjedhje vërtet të ndershme, të lira dhe të barabarta, sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Meta.

Kompania amerikane
“Greenberg Quinlan Rosner” është kompania që ka bërë fushatën e liderëve të majtë progresistë në botë, si të ish-presidentit Klinton, ish-kryeministrit të Britanisë, Blair, të Kancelarit të Austrisë, Gusenbauer, apo dhe të Mandelës. Mark Feierstein ka qenë në fushatën e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesë e Komitetit të financës dhe të ekipit të Politikës së Jashtme të Barak Obama, por dhe pjesë e administratës së ish-presidentit Klinton.

Këshilltarja Xhesika
Këshilltarja e kompanisë amerikane, Xhesika, këshillon kandidatë në nivele të ndryshme, pra në nivel qyteti, shteti, presidencial. Sipas zv.presidentit të kompanisë, ajo ka qenë gjithmonë një menaxhere fushate në një nga fushatat më delikate të historisë amerikane, pikërisht në shtetin e Virxhinias, aty ku demokratët priteshin të humbnin dhe një surprizë e madhe ndodhi, kur kandidatët u shpallën fitues me një numër të madh votash.

Ruajtja e votës
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pas grevës së urisë së 10 deputetëve të Parlamentit për Kodin Zgjedhor, premtoi se kishte gati një strategji dhe se do kontaktonte kompani të njohura për të bllokuar manipulimin e zgjedhjeve nga dy partitë e mëdha. Ndërkohë është premtuar se në Shqipëri do të ketë një numër të madh monitoruesish të huaj që do të bllokojnë çdo tentativë manipuluese. Kompania amerikane ka përvojë disa dhjetëra vjeçare në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›