E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kujton thënien e Luter Kingut: Të bashkohemi, jo të zvarritemi

 

Nga Ballshi, Rama i kërkoi qytetarëve bashkim përtej flamujve partiakë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vazhdim të turit të tij me Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim, ishte në qytetin e Ballshit. Rama vuri theksin tek fakti se, “bashkimi i të gjithë shqiptarëve përtej flamujve e kufijve të vjetër të partive, do të na çojë jo vetëm në fitoren e zgjedhjeve në 28 qershor, por mbi të gjitha në ndarjen me të shkuarën, që prej 18 vjetësh nuk na le të prekim të ardhmen”. Kreu socialist edhe në Ballsh bëri apel bashkimin, duke sjellë në vëmendje dhe një postulat të liderit me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Luter King. “Martin Luter King ka thënë një fjalë që dua t’ua them sot: ‘Të bashkohemi si vëllezër, në rast se nuk duam të zvarritemi gjithë jetën si të marrët’. Kjo është fjala e tij”, tha Rama. Kreu socialist i kërkoi pjesëmarrësve në këtë takim që në emër të bashkimit për të fituar dhe ndryshuar vendin pas 28 qershorit, të largojnë paragjykimet e vjetra. “Të shikoni te njëri-tjetri një fuqi më shumë dhe jo një problem më shumë. Shikoni te njëri-tjetri një arsye më shumë për të luftuar së bashku dhe jo një arsye më pak. Shikoni te njëri-tjetri një aleat të pazëvendësueshëm. Është koha që ne të provojmë se jemi në gjendje të bëjmë histori dhe se mund ta ndryshojmë këtë vend”, tha Rama. Kreu socialist iu përgjigj dhe njërit prej pjesëmarrësve në takim, i cili kërkoi që Rama t’i përgjigjej akuzave që i bëhen nga kundërshtarët politikë. “Të jesh i sigurt edhe për një gjë tjetër, që unë do ta bëja në rast se të sharat e mia do të ndihmonin ty të jetoje më mirë, në rast se nga të sharat e mia ti do të gjeje punë, në rast se nga të sharat e mia ti do ta paguaje me çmime më të arsyeshme ushqimin për vete, familjen e fëmijët, në rast se nga të sharat e mia ti do të shkoje në spital dhe do të kishe një shërbim më të mirë. Në rast se nga të sharat e mia, rrugët e Shqipërisë tonë dhe qytetit tënd do të ishin më të mira, atëherë unë nuk do të pushoja së shari. Por unë e di shumë mirë, që nga të sharat e mia jeta jote nuk do të bëhet më mirë”, tha Rama.          a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›