Gerdeci qeveria demshperblen familjet

Para zgjedhjeve elektorale të vitit 2009, qeveria mori vendimin për një ndihmë ekonomike për familjet e dëmtuara. Ndërkohë që në prag të zgjedhjeve vendore, qeveria ka miratuar dje një tjetër vendim për të gjitha familjet e dëmtuara nga aksidenti teknologjik.
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për: “Akordim fondi financiar shtesë, bashkisë Vorë, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.03.2008, në fshatin Gërdec për pagesën e qirasë së banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore. Bëhet fjalë për trojet që ndodhen brenda perimetrit 300 ML rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë”. Në mbështetje të ligjit ‘Për emergjencat civile’, të ligjit ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’, të ligjit ’Për buxhetin e vitit 2011’, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave mori një tjetër vendim financiar.
“Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2011 t’i akordohet fondi financiar shtesë prej gjashtë milionë e pesëqind e nëntë mijë e katërqind lekësh, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore që ndodhen brenda perimetrit 300 ml rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë”, - thuhet në vendim. Fondi i akorduar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i Qarkut Tiranë, si dhe Bashkia Vorë, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Të gjitha detajet e miratimit të listave të familjeve, shpërndarjes së fondit apo aplikimeve do të jepen menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare.
Do të jetë Bashkia e Vorës që do të kujdeset për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave e që do të japë asistencën e nevojshme për familjarët.