E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", rrëzohen kërkesat e Delijorgjit

TIRANE- Gjykata e Tiranës ka rrëzuar sot kërkesat e Mihal Delijorgjit, një prej të pandehurve për tragjedinë “Gërdeci”, pranë Vorës, 15 km larg nga Tirana, ku me 15 Mars 2008 shpërtheu në flake duke shkaktuar 26 të vdekur e dhjetra të plagosur.
Delijorgji kishte kërkuar thirrjen e amerikanit të Patrik Henry dhe 5 ekspertë amerikanë që kanë punuar në punishten e vdekjes. Por, kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kreu i trupit gjykues, Ridvan Hado si e pabazuar. Hado tha se edhe me herët janë kërkuar nga organi i akuzës nëpërmjet letër porosive të dërguara në SHBA. Të gjithë të huajt janë shprehur kundër letërporosive dhe nuk kanë pranuar të vijnë në këtë proces.

Një tjetër kërkesë e Delijorgjit kishte të bënte me akt-ekspertimet tekniko-ekonomike financiare dhe me aktin e shpërthimit që kishte të bënte me shkakun e shpërthimit në Gërdec.
Gjithmonë Delijorgji dhe të pandehurit e tjerë kanë deklaruar se shpërthimi në Gërdec nuk ishte një gabim njerëzor, por një sabotazh. Ndërkohë që sipas ekspertëve amerikanë, shpërthimi në Gërdec ka ndodhur si pasojë e një saldimi të një karroce pranë fabrikës së demontimit të armëve dhe si pasojë e shkëndijave që ndezën barutin, mori flakë punishtja.
Në fakt një argument i rëndësishëm, që këmbëngulën avokatët kishte të bënte me mënyrën e caktimit të eksperëve amerikanë të cilët kanë kryer këtë ekspertim. Avokatët pretendojnë se ekspertët janë përcaktuar jo në përputhje me ligjet dhe konventat ku Shqipëria aderon. Sipas gjykatësit Hado, kjo kërkesë nuk qëndron sepse tha ai, ekspertët janë caktuar në bazë të ligjit, ndaj për këtë arsye aktet nuk mund të cilësohen të pavlefshme.

Gjithashtu po sot është shqyrtuar dhe kërkesa për ribërjen e akt-ekspertimit. Sipas gjykatësit Hado, kjo kërkesë nuk qëndron pasi mbi bazën e ekspertimeve të bëra më parë u ngritën dhe u shqyrtuan në seanca gjyqësore, ku palët u kanë bërë pyetje ekspertëve dhe kanë ngritur pretendimet që kanë patur me akt-ekspertimet. 

Ndërkohë Delijorgji, i cili pretendon se për Gërdecin, bëhet fjalë për një sabotazh, në një tjeter kerkesë, të pyeten zyrat përkatëse të NATO-s nëse ka pasur informacione lidhur me këtë dyshim të tij. Trupi gjykues sqaroi se nuk ka kompetenca ligjore, të kryejë në një seancë të vetme këtë kërkesë të Delijorgjit.

Edhe në seanca të shkuara, Delijorgji nuk ka pranuar fajin për tragjedinë e Gërdecit. I pandehuri ka theksuar vazhdimisht se përgjegjësia e tij e vetme në lidhje me fabrikën e demontimit të armëve ka qënë vetëm ajo financiare dhe jo ajo teknike.

Përballë pretendimeve të të pandehurve se shpërthimi ishte një sabotazh dhe i organizuar, Prokuroria në bazë të hetimeve dhe eksperizave të kryera në terren pohon se ngjarja ka ndodhur si pasojë e nje gabimi njerezor.

Tragjedia
Nga tragjedia më e rëndë e periudhës post-komuniste në Shqipëri, ajo e Gërdecit tashmë kanë kaluar 3 vjet. Më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, 15 km larg nga Tirana shpërtheu fabrika e demontimit të armëve. Nga shpërthimi gjetën vdekjen 26 persona, me të cilëve gra e fëmijë, ndërsa u shkatërruan dhjetra banesa e biznese.
Gjyqi për shpërthimin tragjik të fabrikës së demontimit në Gërdec që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, prej më shumë se një viti po zhvillohet në gjykatën e Tiranës.
Mes 29 të pandehurve në këtë proces, të akuzur si përgjegjës kryesorë janë ish- bosi të Albademil Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, ish- drejtor i fabrikës së demontimit në Gërdec, Ylli Pinari, ish kreu i MEICOS dhe Sokol Ngjeci ish mbikqyrësi i MEICO-s. Të gjithë të pandehurit sot gjykohen në gjendje të lirë.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: ‘Gërdeci’, rrëzohen kërkesat e Delijorgjit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›