E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, sot vlerësimi i masës për të arrestuarin e ri

Gjykata do të vlerësojë sot masën e sigurisë ndaj Sokol Gjecit, ish- punonjës i MEICO-s i cili akuzohet se ka lejuar shkarkimin e një sasie municionesh tej rregullave dhe normave të lejuara në punishte. 

TIRANE- Në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të jetep sot masa e sigurisë ndaj personit të katërt të arrestuar si përgjegjës për tragjedinë e ndodhur rreth një vit më parë në Gërdec të Vorës. Gjykata do të vlerësojë sot masën e sigurisë ndaj Sokol Gjecit, ish- punonjës i MEICO-s i cili akuzohet se ka lejuar shkarkimin e një sasie municionesh tej rregullave dhe normave të lejuara në punishte. Gjithashtu akuzohet se nuk ka marrë masat e duhura për shmangien e grumbullimit të sasive të konsiderueshme të municioneve në Gërdec. Sokol Gjeci, punonjësi i MEICO-s, duhej të mbikëqyrte punën ë fabrikën e Gërdecit. Sipas burimeve nga prokuroria janë disa urdhra-arresti të firmosur nga ekipi i prokurorëve që po hetojnë abuzimet e ish-gjeneralëve dhe zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat i janë dërguar Gjykatës së Krimeve të Rënda për t'u firmosur. Operacioni i Prokurorisë së Përgjithshme është konsideruar "Top-Secret", dhe nuk bëhen të ditura se në çfarë niveli zyrtarësh startojnë arrestimet. Këto janë të parat, pas 10 muajsh, kur policia e Tiranës arrestoi Mihail Delijorgjin, pronarin e fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit të predhave dhe fishekëve, "AlbaDemil"; drejtorin ekzekutiv të kësaj shoqërie, Dritan Minxholli; dhe ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari.
Ngjarjet për të cilat akuzohen edhe 25 oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, pasuan shpërthimin e 15 marsit në Gërdec. Si pasojë e disa shpërthimeve të njëpasnjëshme në fabrikën ku demontoheshin dhe çmilitarizoheshin predha dhe municione, u vranë 26 persona, punonjës dhe banorë të zonës përreth. U plagosën 300 të tjerë, si edhe u shkatërruan dhe u dëmtuan mbi 2400 banesa dhe biznese. Aktualisht, ndodhen në qeli Delijorgji, Pinari dhe Minxholli, për akuzën e vrasjes masive në bashkëpunim. Ndërsa, janë marrë të pandehur në muajin shkurt, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›