E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata 2, kontraktorët morën edhe të drejtën e eksportimit



Duke iu referuar kontratës së nënshkruar më 28 dhjetor ’07 mes ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit të armëve “MEICO” dhe kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc”, kjo e fundit ka pasur të drejtë vetëm të çmontojë dhe demilitarizojë municionin luftarak të blerë. Nga ana tjetër, shoqëria amerikane të gjithë këtë arsenal ushtarak, që ia ka blerë shtetit shqiptar, ia ka shitur tri ditë më pas kompanisë shqiptare “Albademil” sh.p.k, e cila, veç dy veprimtarive në fjalë, ka pasur të drejtë edhe të shesë një pjesë të këtij municioni. Më konkretisht, në kontratën e 28 dhjetorit ’07, të nënshkruar mes MEICO-s dhe SAC-së, shkruhet: “Shitësi (MEICO) i shet blerësit (SAC) municionin për çmontim dhe demilitarizim nga ana e SAC në territorin shqiptar”. Ndërkohë, në kontratën e nënshkruar më 31 dhjetor ’07, mes kompanisë amerikane “SAC” dhe asaj shqiptare “Albademil”, shkruhet: “Pala shitëse (SAC) i shet dhe i transferon palës blerëse (Albademil sh.p.k), që pranon të drejtat e pronësisë së municioneve të mëposhtme me qëllim çmontimin, demilitarizimin dhe tregtimin e materialeve që rrjedhin nga përpunimi i tyre”. Referuar kushtit të kësaj kontrate, i jepet e gjithë e drejta kësaj kompanie shqiptare për të tregtuar një pjesë të këtij municioni luftarak të përbërë prej predhash nga 20 mm deri në 152 mm. Vlera monetare në total e kontratës së shitblerjes së nënshkruar mes MEICO-s dhe SAC-së ka qenë në shifrën 582.326 dollarë amerikanë. E thënë ndryshe, ky ka qenë çmimi me të cilin kompania amerikane ka blerë municionin luftarak nga shteti shqiptar të cilin duhet ta demontonte. Ndërkaq, këtë municion SAC ia ka shitur kompanisë shqiptare “Albademil” sh.p.k tri ditë më pas 2 për qind më shtrenjtë në krahasim me atë që e ka blerë. Vlerat monetare në fjalë bëhen publike në kontratat respektive.

Armatim pa inventar në MEICO, mungonin pasqyrat financiare

Dosja “Gërdeci”, e dërguar në Gjykatën e Lartë, përmban një kapitull të sajin ”Mbi shkeljet në inventarizimin e municioneve dhe prokurimet”, në të cilin duket se përfshihet një aktivitet i ”gjallë” konspirativ i këtij institucioni. Gazeta ”Albania” ka mundur të konsultojë përmbajtjen e këtij materiali, ndërsa hetimi i prokurorëve ka nxjerrë në pah probleme të thella të kësaj ndërmarrjeje, duke filluar që nga mungesa në dosje e dokumenteve të rëndësishme deri te bashkëpunimi i organizuar për trukimin e tenderave dhe prokurimeve të shitjes së municioneve. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se ky kapitull i dosjes përfshin dhe dyshimin e bazuar në prova të Prokurorisë se, ”pas shpërthimit të ndodhur në Fabrikën e demontimit në Gërdec, punonjës të caktuar të ndërmarrjes ‘MEICO’ mund të kenë zhdukur në harkun e 48 orëve dokumente të rëndësishme që flisnin për lëvizjen dhe shitjen e sasive të mëdha të municioneve”. Sipas Prokurorisë, ky fakt ka dalë në pah kur nga dokumentet e mbetura janë vërejtur mangësi, ndërsa nuk ka përkuar dhe renditja protokollare e disa dokumenteve që me ligj duhet të depozitoheshin në mënyrë të padiskutueshme. Ndonëse burime nga organi i akuzës bënë të ditur se ekzistojnë të dhëna të besueshme se pas tragjedisë së Gërdecit mbi pasqyrat financiare dhe dokumentet arkivore të kompanisë “MEICO” “mund të jetë vënë dorë”, prokurorët nuk kanë preferuar të referojnë të dhëna të detajuara mbi këtë çështje. Megjithatë, i sigurt është fakti se abuzime janë vërejtur dhe me procedurat e prokurimeve të shitjes për demontim të mijëra tonelatave municione. Këto prokurime shpesh nuk i janë përmbajtur as rregullave minimale të ligjit “Për prokurimin publik”, ndërsa në shumë raste ka rezultuar se mbledhjet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave janë bërë pasi sasitë e municioneve kishin kaluar në dorën e privatëve.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›