E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, zbulohet korrespondenca mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe MEICO-s



TIRANË - Në Gjykatën e Tiranës vijuan edhe dje dëshmitë për çështjen "Gërdeci", e cila numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë. Në seancën e zhvilluar sot, Elmaz Leçi, ish-drejtor i Kabinetit të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dëshmoi mbi një korrespondencë që kishte pasur Ministria dhe kompania “MEICO” lidhur me procesin e demontimit të municioneve luftarake. Dëshmitari konfirmoi se kompania “MEICO” i kishte përcjellë Ministrisë një memo (shkresë), ku jepte propozimet e saj për procesin e demontimit të municioneve luftarake. "Po, jam në dijeni të kësaj memoje", - tha dëshmitari duke iu përgjigjur pyetjes së përfaqësuesit të prokurorisë. "Memo ishte përgatitur nga ndërmarrja shtetërore tregtare ‘MEICO’". Më tej seanca vazhdoi me dëshmitarin Ylli Bregu, ish-punonjës në Zyrën e Financës në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili dëshmoi kryesisht rreth praktikës të ndjekur për caktimin e çmimit të municioneve luftarake që do të shkonin për demontim. Sikurse pohoi dëshmitari, "komisionit të ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes iu kërkua nga kompania ‘MEICO’ shitja e municioneve me çmime më të ulëta nga ato të mëparshmet në procese të ngjashme. Por, kërkesa nuk u mor parasysh, pasi MEICO nuk kishte bërë shpjegimet e duhura", - pohoi dëshmitari. Nëpërmjet këtyre dëshmive, si dhe shumë të tjerave të bëra më parë dhe që pritet të bëhen, prokuroria kërkon që të hedhë dritë mbi praktikat e parregullta apo shkeljet që, sipas saj, janë bërë me këtë çështje.
Një seancë më parë, ish-shefi i sektorit të armatimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Sokrat Papadhima, dëshmoi se, për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës nuk ishte marrë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Sipas tij, "Shtabi i Përgjithshëm ishte anashkaluar nga Ministria e Mbrojtjes". Ndërkohë, zgjedhja e fshatit Gërdec të Tiranës për ngritjen e kësaj fabrike pretendohet nga prokuroria si një zgjedhje e papërshtatshme, pasi nuk plotësonte kriteret për këto fabrika, për më tepër, në një zonë të populluar.

Vrasja e Hasko Sinajt, vihet në pranga një i dyshuar

VLORË - Vrasja e Hasko Sinajt disa ditë më parë në Vlorë, ka çuar në pranga një të ri. Policia e Vlorës ka bërë të ditur se, kanë bërë ndalimin e shtetasit Mbarsian Hysajt, 21 vjeç, lindur e banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale të "vjedhjes". Nga hetimet e kryera, rezulton se ky person të jetë autori i dyshuar i vrasjes me armë gjahu, të shtetasit Hasko Sinaj, vrasje kjo e ndodhur më datë 21 qershor 2010 në qytetin e Vlorës. Pas arrestimit, dosja me materialet procedurale i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Vetëvritet studenti nga Ulqini, hetime për shkaqet

TIRANË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë dje ku një student i ka dhënë fund jetës. 33-vjeçari Ervin Lati nga Ulqini ka kryer vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i dhjetë i një pallati. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në kushte depresioni të thellë të viktimës. Policia tha se shtetasi Ervin Lati është viktima e ngjarjes, i cili ka humbur jetën në mënyrë të menjëhershme si pasojë e rënies nga kati i dhjetë i pallatit. Ende nuk bëhen të ditura shkaqet e ngjarjes ndërsa policia tha se po kryen hetime në vendin e ngjarjes. Viktima është dërguar në morg për ekzaminimet e nevojshme ndërsa policia tha se po kryen kontrolle në banesën e 33-vjeçarit për gjetjen e provave që mund të çojnë në zbulimin e shkakut të ngjarjes.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›