Përleshja në Hamallaj, shkon në 9 persona numri i të ndaluarve
Artan CENA
DURRËS - Arrestime të tjera në Durrës për ngjarjen e Hamallajt, ku mbetën të plagosur tre efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe disa banorë. Drejtoria e Policisë së Durrësit ka njoftuar gjatë ditës së djeshme arrestime të disa prej banorëve të zonës së Hamallajt në Durrës si pjesëmarrës në veprimet e dhunshme ndaj policisë së rendit mëngjesin e së enjtes. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, rreth orës 09:40, kur një grup prej rreth 200-250 personash, kryesisht banorë të kësaj zone, të organizuar e grumbulluar në mënyrë të paligjshme, me veprimet e tyre penguan, kundërshtuan dhe goditën më bomba molotov, gurë, shkopinj e sende të tjera policinë. Me gjithë negociatat dhe thirrjet e kryera nga policia për shpërndarjen e tyre dhe moskryerjen e veprimeve të dhunshme, gjithçka ka qenë e kotë. Banorët e Hamallajt kanë dhunuar policët duke i qëlluar me gurë, sende të tjera të forta dhe shishe të mbushura me benzinë në drejtim të punonjësve të Policisë.
Arrestimet
Pas ngjarjes, Policia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion të gjerë për arrestimin e personave që sulmuan uniformat blu. Ditën e ngjarjes u vunë në pranga 7 persona, ndërsa që dje janë arrestuar dhe dy të tjerë. Operacionet e arrestimeve janë bërë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit. Në flagrancë u arrestuan disa persona. Në pranga ranë: Alfret Kukaj, 26 vjeç, Pjetër Kaci, 65 vjeç, Avni Rustemaj, 55 vjeç, Edmir Osmanaj, 32 vjeç, Mentor Çekrezi, 27 vjeç, Abedin Rustemaj, 38 vjeç dhe Agim Rustemaj, 52 vjeç. Gjashtë personat e parë janë banorë të Sukthit, ndërsa i fundit banues në Tiranë. Aksioni ka vazhduar dhe dje, ku janë arrestuar dy persona. Azem Hasanpapaj, 34 vjeç, banues në Hamallaj dhe Bujar Hysa, 44 vjeç, banues në Hamallaj, janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.
Akuzat
Të gjithë të arrestuarit akuzohen për veprat penale: “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “pengim i mjeteve të transportit”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “goditje për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim”. Në një komunikim zyrtar policia tha se, “në çdo rast, ku persona apo grup personash, do të kundërshtojnë strukturat e Policisë së Shtetit në përmbushjen e misionit institucional, apo do të kryejnë veprime aktive në dëm të punonjësve të Policisë, do të kryhen veprimet procedurale dhe personat përgjegjës do të vihen para drejtësisë për veprimet e kryera”.
Të arrestuarit
Alfret Kukaj, 26 vjeç
Pjetër Kaci, 65 vjeç
Avni Rustemaj, 55 vjeç
Edmir Osmanaj, 32 vjeç
Mentor Çekrezi, 27 vjeç
Abedin Rustemaj, 38 vjeç
Agim Rustemaj, 52 vjeç
Azem Hasanpapaj, 34 vjeç
Bujar Hysa, 44 vjeç
3 Korrik 2010