Hyn në fuqi vendimi i Kushtetueses për titujt e pronësisë
Laureta Rryçi
Komisioni Qeveritar i Tokës do të vazhdojë verifikimin e titujve të pronësisë. Dje hyri në fuqi vendimi i Kushtetueses, e cila ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Avokatit të Popullit për shfuqizimin e ligjit, që i jep të drejtë këtij komisioni të verifikojë të gjithë titujt e pronësisë të dhënë në vite. Në këtë mënyrë, procesi i verifikimit të titujve të pronësisë do të mbetet i pandryshueshëm. Në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese konsiderohen si të padrejta argumentet e Avokatit të Popullit lidhur me nene të veçanta të Ligjit Nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, si dhe VKM Nr. 1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Ky ligj i jep të drejtë komisionit qeveritar që të verifikojë titujt e pronësisë të dhënë në vite. Ky komision ka të drejtë jo vetëm verifikimin, por dhe anulimin e titujve të pronësisë të dhënë në mënyrë të padrejtë.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e Avokatit të Popullit, i cili, bazuar në ankesat e personave fizikë dhe juridikë, ka pretenduar se Ligji Nr. 9948, në frymën e përgjithshme, por dhe në nene të veçanta të tij, sipas Avokatit të Popullit, është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike, sepse krijon ambient pasigurie për një masë shumë të madhe pronarësh, humbet besueshmërinë e shtetasve te shteti dhe nuk jep garanci për vijueshmëri dhe për ndryshime legjislacioni në përputhje me Kushtetutën. Por këto argumente janë kundërshtuar nga Kuvendi. Sipas tij, Ligji Nr. 9948 bën vetëm verifikimin e titujve të pronësisë të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për tokën bujqësore, nuk shkel parimin e sigurisë juridike, pasi nuk cenon aspak një të drejtë të mëparshme, si dhe në asnjë rast ligji nuk parashikon që komisioni vendor të marrë përsipër çështje për të cilat vendimet e gjykatave janë të formës së prerë. Gjithashtu, argumenton Kuvendi, dispozitat e këtij ligji janë në harmoni me dispozitat dhe parimet themelore të ligjit 7501 dhe ai garanton që titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore të jenë marrë pikërisht mbi bazën ligjore të kohës dhe të jenë lëshuar nga organet kompetente. Të njëjtat argumente mbështet dhe Këshilli i Ministrave. Sipas qeverisë, pretendimi për cenimin e nenit 7 të Kushtetutës është jashtë rrethit të çështjeve që lejohet të ngrejë Avokati i Popullit përpara Gjykatës; neni 41 i Kushtetutës merr në mbrojtje të drejtën e pronësisë të fituar me dhurim, trashëgimi, me blerje dhe çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil, kurse Ligji Nr. 9948 godet dhe shfuqizon titujt e pronësisë të fituara në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore. Duke shqyrtuar këto argumente, Gjykata Kushtetuese i konsideroi si të pabaza argumentet e Avokatit të popullit. Gjykata çmon se Kuvendi, si organ ligjvënës, ka të drejtë të zbatojë apo konkretizojë politika të caktuara për përmirësimin e qeverisjes dhe zhvillimin e vendit në tërësi apo t’u përgjigjet prioriteteve apo problemeve të ndryshme të vendit. Sipas saj, ndryshimet në ligjin për pronat janë në vijimësi të ndryshimeve në legjislacion që janë kryer në Shqipëri nga fillimi i viteve ‘90. Avokati i Popullit ka kundërshtuar në tërësi frymën e ligjin por të argumentuar kishte vetëm kundërshtimin e neneve 2, 3, 4, 8, 9 dhe 10 të këtij ligji. Duke shqyrtuar një nga një këto pretendime, Kushtetuesja vendosi rrëzimin e kërkesës.
Ligji
Në këtë ligj është parashikuar shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, janë përcaktuar strukturat shtetërore të ngarkuara për këtë qëllim si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave. Sipas kërkuesit, pranë institucionit të Avokatit të Popullit janë paraqitur ankesa nga persona fizikë dhe juridikë, në të cilat shprehet shqetësimi lidhur me zbatimin e Ligjit 9948. Në kërkesën e tij Avokati i Popullit shpjegon se ligji është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike, sepse krijon ambient pasigurie për një masë shumë të madhe pronarësh, humbet besueshmërinë e shtetasve te shteti, nuk jep garanci për vijueshmëri dhe për ndryshime legjislacioni në përputhje me Kushtetutën. Nëpërmjet këtij ligji organet administrative kanë të drejtë të verifikojnë, shqyrtojnë dhe anulojnë titujt e pronësisë të fituar me akte ligjore e nënligjore. Për më tepër ligji ka fuqi prapavepruese sepse autorizon komisionet aktuale në rang vendor të shfuqizojnë aktet e lëshuara nga komisionet e mëparshme, të ngritura mbi bazën e dispozitave ligjore në fuqi si dhe organet e pushtetit ekzekutiv marrin kompetenca të pushtetit gjyqësor. Por, përfaqësuesi i Kuvendit, organi që ka miratuar ligjin, pa paraqitur si argument në Gjykatë faktin se ligji bën vetëm verifikimin e titujve të pronësisë të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për tokën bujqësore; ligji i kundërshtuar nuk shkel parimin e sigurisë juridike pasi nuk cenon aspak një të drejtë të mëparshme. Sipas tij, në asnjë rast ligji nuk parashikon që komisioni vendor të marrë përsipër çështje për të cilat vendimet e gjykatave janë të formës së prerë. Të njëjtat pretendime ka pasur edhe përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave.
Që në seancën e parë Kushtetuesja vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ligjit dhe vendosi shqyrtimin e çështjes.
Padia “Antimafie”, nis shqyrtimi në Kushtetuese
Ligji, i njohur ndryshe si Ligji i Antimafies, parashikon konfiskimin e pasurisë së personave që kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale. Por, Komitetit Shqiptar i Helsinkit vlerëson se ligji krijon kushte për cenimin e një sërë të drejtash dhe lirive themelore të njeriut, si të drejtën e pronës, të drejtën për një proces të rregullt ligjor, të drejtën për zhdëmtim e kompensim, të drejtën për trajtim të barabartë, të drejtën e prezumimit të pafajësisë etj. Por, përfaqësues të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave sqaruan se ligji trajton vetëm pronat për të cilat ekziston dyshimi se janë vendosur në sajë të një aktiviteti kriminal. Po ashtu, duke iu referuar Kushtetutës, përfaqësuesit ligjor të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave argumentuan se Kushtetuta e lejon kufizimin e disa të drejtave kur kjo rregullohet me ligj, në emër të një interesi të rëndësishëm publik. Dhe, sipas tyre, parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar është një interes i madh publik. Ligji, i cili ka hyrë në fuqi dhe po vepron, ishte një prej kushteve për liberalizimin e vizave. Ai u hartua nga autoritete shqiptare të drejtësisë dhe me asistencën direkte të misioneve të huaja në Tiranë. Pas dëgjimit palëve Gjykata u tërhoq për të marrë vendim. Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë afat për marrjen e vendimit, ndërkohë që kërkesa e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për pezullimin e efekteve të ligjit deri në marrjen e vendimit, është rrëzuar që në muajin mars.
Sipas Avokatit të Popullit, janë paraqitur ankesa nga persona fizikë dhe juridikë, në të cilat shprehet shqetësimi lidhur me zbatimin e Ligjit 9948 dhe ku pretendohet se fryma e këtij ligji në tërësi dhe nene të veçantë të tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Sipas Avokatit të Popullit, ligji është në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike, sepse krijon ambient pasigurie për një masë shumë të madhe pronarësh, humbet besueshmërinë e shtetasve te shteti, nuk jep garanci për vijueshmëri dhe për ndryshime legjislacioni në përputhje me Kushtetutën; me Ligjin 9948 organet administrative kanë të drejtë të verifikojnë, shqyrtojnë dhe anulojnë titujt e pronësisë të fituar me akte ligjore e nënligjore; ligji nuk merr parasysh afatet e parashkrimit të padisë dhe fitimin me parashkrim fitues të pronës me mirëbesim, të parashikuara në Kodin Civil; ligji ka fuqi prapavepruese sepse autorizon komisionet aktuale në rang vendor të shfuqizojnë aktet e lëshuara nga komisionet e mëparshme, të ngritura mbi bazën e dispozitave ligjore në fuqi; ligji është në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës, sepse me këtë ligj organet e pushtetit ekzekutiv kanë marrë kompetenca të pushtetit gjyqësor; ligji është në kundërshtim me nenin 42 të Kushtetutës, sepse verifikimi i vlefshmërisë së titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore bëhet pa një proces të rregullt gjyqësor; ligji është në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), sepse askush nuk mund të shpronësohet ose t`i kufizohet e drejta e ushtrimit të së drejtës së pronës që barazohet me shpronësimin, përveçse kur këtë e kërkojnë interesat publikë. Ndërsa përfaqësuesit e qeverisë kanë shpjeguar se Ligji 9948 bën vetëm verifikimin e titujve të pronësisë të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për tokën bujqësore; ligji i kundërshtuar nuk shkel parimin e sigurisë juridike pasi nuk cenon aspak një të drejtë të mëparshme; në asnjë rast ligji nuk parashikon që komisioni vendor të marrë përsipër çështje për të cilat vendimet e gjykatave janë të formës së prerë; dispozitat e këtij ligji janë në harmoni me dispozitat dhe parimet themelore të Ligjit 7501 dhe ai garanton që titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore të jenë marrë pikërisht mbi bazën ligjore të kohës dhe të jenë lëshuar nga organet kompetente; parashikimi në këtë ligj i njohjes së të drejtës së ankimit në gjykatat e sistemit gjyqësor të vendimeve administrative, jo vetëm nuk përbën cenim të parimit kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, por garanton pavarësinë e gjykatave dhe mosndërhyrje në interpretimin e ligjit dhe marrjen e vendimit; ligji i kundërshtuar nuk shkel të drejtën e pronës të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës dhe as mënyrat e fitimit të pronësisë; ky ligj nuk ju heq të drejtën e pronësisë atyre që e kanë fituar konform dispozitave ligjore në fuqi si dhe atyre që e kanë fituar me vendime gjyqësore të formës së prerë; ligji nuk cenon nenin 42 të Kushtetutës, sepse ai nuk pengon asnjë subjekt t`i drejtohet gjykatës për të kërkuar apo rivendosur të drejtën e tij të shkelur apo të cenuar.
Argumentet
Në kontekstin e çështjes në shqyrtim, Gjykata Kushtetuese vëren se, mes ndryshimeve në legjislacion që janë kryer në Shqipëri nga fillimi i viteve 90-të, është edhe miratimi i legjislacionit që kishte për qëllim tranzicionin nga ekonomia socialiste në atë të tregut të lirë. Për këtë ligjvënësi ka miratuar një seri ligjesh, mes të cilëve edhe Ligjin Nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”. Objekt i rregullimit të këtij ligji ishte toka bujqësore që administrohej nga ish-kooperativat bujqësore, e cila i`u dha në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizikë vendas pa shpërblim. Pas vitit 1992 filluan procedurat e ndarjes së tokës bujqësore edhe në territoret e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore (NB), duke u dhënë në përdorim, bazuar në VKM Nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e Ndërmarrjeve Bujqësore”. Në vitin 1995, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, duke përcaktuar kriteret dhe mënyrën e kalimit të tokës në pronësi. Ky ligj (neni 2) përjashtonte nga dhënia në pronësi: tokat bujqësore që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ndodheshin brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara; tokat bujqësore të përfshira në zonat me përparësi turizmin; tokat bujqësore të përfshira në veprimtarinë eksperimentale-shkencore të instituteve kombëtare shkencore; tokat bujqësore të dhëna në përdorim specialistëve të bujqësisë; tokat bujqësore të pushtuara ose fituara në mënyrë të paligjshme; tokat bujqësore në përdorim të ndërmarrjeve të përbashkëta, deri në zgjidhjen e kontratës së lidhur midis palëve ose mbarimin e afatit të saj. Si struktura përgjegjëse për ndarjen e tokës ligji përcaktonte komisionet e tokës të katër niveleve: komisioni qeveritar, komisioni i qarkut, komisioni i komunës dhe/ose bashkisë dhe komisioni i fshatit. Ndarja faktike e tokës dhe pajisja e familjeve bujqësore me “aktin e marrjes së tokës në pronësi”, pra për krijimin e titujve të pronësisë, i ishte ngarkuar komisionit të fshatit. Toka që kalonte në pronësi pa shpërblim regjistrohej në kadastër. Gjykata Kushtetuese vë në dukje se ligji objekt shqyrtimi kushtetues është kundërshtuar në tërësi, megjithatë, nga arsyetimi i kërkesës dhe parashtrimet në seancë gjyqësore, rezulton se kërkesa për shfuqizim lidhet vetëm me nenet 2, 3, 4, 8, 9 dhe 10 të këtij ligji. Për pasojë, Gjykata duhet të shqyrtojë vetëm kushtetutshmërinë e këtyre dispozitave të ligjit të kundërshtuar. Sa sipër, Gjykata Kushtetuese thekson se, Ligji Nr.9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, është në pajtim me Kushtetutën vetëm nëse ai interpretohet dhe zbatohet në përputhje me parimet e theksuara prej kësaj Gjykate, pra ai nuk prek titujt e pronësisë të dhënë në përputhje me kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi në kohën e krijimit të tyre, komisionet vendore janë vetëm konstatuese të pavlefshmërisë, këto komisione nuk mund të anulojnë apo shfuqizojnë tituj të pronësisë, apo të urdhërojnë çregjistrimin e këtyre titujve nga regjistri i pasurive të paluajtshme. Është vetëm gjykata, e cila mbi padinë e të interesuarve apo autoriteteve publike përkatëse, vendos përfundimisht në lidhje me të drejtën e pronësisë së subjekteve të interesuara.
Gjykata thekson gjithashtu se, argumentet e mësipërme në lidhje me Ligjin 9948, vlejnë edhe për pretendimet për shfuqizimin e VKM Nr.1269, datë 17.09.2008 “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”.
3 Korrik 2010