E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet e skaduara, tregjet në kryeqytet të mbushura me produkte skarco



Ervin KOÇI

Kriza ekonomike dhe rënia e konsumit ka bërë që tregjet dhe dyqanet ushqimore në të gjithë vendin të mbushen me ushqime të skaduara. Por stina e verës i ka nxjerrë më në pah këto probleme, duke bërë që drejt tregjeve ushqimorë dhe pikave të tjera të tregtimit të vërshojnë dje kontrollet e Inspektoratit të Ushqimeve. Strukturat në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur një aksion për verifikimin higjeno-sanitar të produkteve bulmetore që tregtohen në tregjet e vendit. Një ekip i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore, Inspektoratit të Sigurisë në Drejtorinë e Tiranës dhe atij të Higjienës nga Ministria e Shëndetësisë, kontrollin e parë e ushtruan dje në tregun ushqimor pranë ish-uzinës Dinamo në kryeqytet. Në përfundim të tij rezultoi se, dy subjekte tregtuese të bulmetit, kishin probleme me produktin e djathit, i cili nga konstatimet doli se kishte përmbajtje amidoni. Ndaj subjekteve u mor masa e gjobës në një kohë që u bë edhe konfiskimi i mallit. Kontrolli ka për qëllim të garantojë kushtet dhe mënyrën e ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore, të cilat, veçanërisht gjatë verës kthehen në rrezik për shëndetin e konsumatorit, në rastet kur tregtarët nuk respektojnë kushtet hijeno-sanitare. Inspektimet e Ministrisë së Bujqësisë do të vazhdojnë përgjatë gjithë sezonit veror dhe do të kenë në shënjestër të gjitha produktet ushqimore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit.

Tregtimi i bulmetit
Pothuajse të gjithë prodhuesve dhe tregtarëve të bulmetit u është kërkuar që të vetëdeklarojnë në dokumentet e shoqërimit, përdorimin e amidonit në teknologjinë e prodhimit, detyrim ligjor ky për të mbrojtur konsumatorin nga falsiteti. Inspektorati i Ushqimit në Tiranë së bashku me Policinë Bashkiake verifikuan dje produktet e mishit, dhe bulmetit në tregun ushqimor të ish-uzinës “Dinamo”. Dy subjekteve iu vendosën gjoba me vlerë 5 mijë lekë për sasi amidoni të lartë, ose të njohur ndryshe si niseshte. Gjithashtu dhe një automjeti furnizues iu bllokua sasia dhe u kthye mbrapsht, pasi djathi kishte sasi të lartë niseshteje. Ndërkohë subjekteve ju la si detyrë që të pajisen me depozita uji, 1 mijë litërshe pasi në treg kishte ujë të pijshëm vetëm kur kishte energji elektrike. Në tregun e ish-uzinës “Dinamo”, djathi që kishte sasi amidoni të lartë, shitej me çmimin më të ulët 250 deri 350 lekë kilogrami. Gjatë gjithë kësaj vere, inspektoratet që varen nga Ministria e Bujqësisë, do të kryejnë kontrolle në tregjet ushqimore me shumicë dhe pakicë.

Siguria ushqimore
Siguria ushqimore thuajse nuk ekziston fare në tregjet shqiptare dhe vetëm fati duket se i mbron konsumatorët e uritur shqiptar. Kjo tregohet më së miri sa herë që Inspektoratet përgjegjëse zhvillojnë kontrolle të befasishme në tregjet ushqimore ku tregtohen sidomos produkte agro-bujqësore, ku simbol i spekulimeve është bërë tregu i ish-uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Në këtë treg ushtrojnë veprimtarinë 37 tregtarë, të cilët shesin produkte bulmeti, por edhe pse e kanë detyrim ligjor, asnjë prej tyre nuk e vendos etiketën për përbërjen e produktit. Nga ana tjetër edhe higjiena në këtë treg lë për të dëshiruar, ndaj dhe Inspektorati ka kërkuar përmirësim të situatës. Shumë qytetarë të Tiranës blejnë aty, për shkak të prodhimeve të vendit që tregtohen pak më lirë se në dyqanet dhe supermarketet e kryeqytetit, por ky kursim i pamenduar u kushtuan atyre shumë më tepër në shëndet. Konsumatorët nuk janë aspak të sigurt në konsumimin e produkteve që tregtohen, për sa i përket përbërjes se tyre apo dhe çmimit. Por edhe pse abuzimet janë të përditshme, një fakt i tillë nuk pranohet në asnjë mënyrë nga tregtarët që përfitojnë në kurriz të blerësve duke mashtruar me cilësinë dhe koston. Problemi kryesor është ekspozimi në temperatura të larta dhe në pluhur i produkteve ushqimore si bulmeti, mishi dhe një sërë nënproduktesh të tyre të cilat sipas specialistëve rrezikojnë shëndetin e konsumatorit.

Elbasan, asgjësohen ushqime të prishura

Rreth 270 kuintalë produkte ushqimore janë asgjësuar dje edhe në Elbasan nga Drejtoria e Ushqimit. Temperaturat e larta sjellin mjaft probleme me sigurinë e produkteve ushqimore dhe si rezultat i kësaj, Inspektorati i Ushqimit ka rritur kontrollet.
Vetëm në muajin qershor janë bërë mbi 300 inspektime në subjektet tregtare ushqimore, duke marrë masa ndaj pikave që kanë kryer shkelje dhe nuk përmbushin kushtet higjeno-sanitare. Shitësit ambulant mbeten problem pasi produktet nuk i ruajnë në kushtet e kërkuara dhe ushqimet ekspozohen në diell.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›