E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, INSTAT do të përjashtojë emigrantët nga procesi



Ervin KOÇI

Vitin që vjen popullsia e Shqipërisë do të rinumërohet. Këtë proces të vështirë dhe delikat do ta zhvillojë Instituti i Statistikave, në kuadrin e një projekti mbarëbotërorë që vitin që vjen do të zhvillohet në të gjitha vendet e botës. Në Shqipëri vitin që vjen regjistrimi i popullsisë do të bëhet bashkë me atë të banesave dhe të pasurive të tjera që kanë familjet shqiptare. Procesi do të nisë në prill të vitit 2011 dhe është një proces që zhvillohet në plan global. Por nga ky proces do të përjashtohen (nuk do të llogariten) të gjitha ata shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit (emigrantët). “Në regjistrim do të përfshihen vetëm ata persona që kanë qenë prezentë në Shqipëri 12 muajt e fundit dhe kjo gjë verifikohet nga logjika e pyetjeve që ndërtohen”, - ka deklaruar drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Ines Nurja. Sipas saj, pyetësori parashikon edhe mospërgjigjen nga ana e individëve që do të intervistohen nga operatorët e INSTAT-it. Ai mban në konsideratë metodologjinë e hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat janë adoptuar edhe nga Instituti i Statistikave. I përcjellë me shqetësim nga opinioni, duket se procesi në fjalë pritet të sjellë një bazë të tillë të dhënash për popullsinë që banon në Shqipëri, e cila tejkalon shumë ankthin e krijuar nga pyetësori në pikat e vetë-deklarimit të etnisë dhe të besimit fetar. “Regjistrimi është një proces që do të zhvillohet në mbarë botën vitin që vjen. Duhet të them se është një proces shumë i rëndësishëm, me një diapazon shumë të gjerë. Unë e kuptoj se interesi dhe shqetësimi i shprehur lidhet kryesisht me pyetjet për etnicitetin dhe besimin fetar, por në këtë pikë duhet të sqaroj metodën që ndiqet. Pikë së pari, asnjë e dhënë personale nuk do të bëhet publike, pra deklarimet e personave që regjistrohen, nuk bëhen publike. Si i tillë, procesi është për efekt statistikor dhe ka vlerë për vlerësimin e prirjeve të popullsisë në shumë drejtime”- tha drejtoresha Nurja.

Listat themeltare
Cilido qoftë rezultati i regjistrimit të ri të popullsisë ai nuk do të pasqyrohet në regjistrat e gjendjes civile. I kuptuar përgjithësisht si një proces që për shkak të vetë-deklarimit të etnisë nga ana e shtetasve mund të sjellë ndryshime në dosjen dokumentare të raporteve demografike, në të vërtetë efekti i tij do të kufizohet vetëm te statistika. Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Gjendjes Civile, Armand Teliti, sqaroi dje se procesi në fjalë, i organizuar nga Instituti i Statistikave ka vetëm efekt statistikor dhe se rezultatet e tij nuk ndikojnë në përcaktimin e gjeneraliteteve të shtetasve në sistemin dokumentar që administrohet nga ky institucion. “Regjistrimi i popullsisë dhe Regjistri i Gjendjes Civile janë dy gjëra të ndryshme. Procesi i nisur nga INSTAT bëhet vetëm për efekt statistikor dhe nuk ka sesi të diktojë ndryshime në dokumentacionin që administrohet në drejtorinë tonë”,- deklaroi drejtori Teliti.

Regjistrimi i biznesit
INSTAT-i në regjistrimin e ri vitin e ardhshëm do të mbledhë të dhëna edhe për të gjitha bizneset private në vend. Këto të fundit do të kenë më në fund një regjistër të dhënash për gjithë veprimtarinë e tyre që nga nisja e aktivitetit. Gjatë procesit të regjistrimit të këtyre njësive, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm, do të merren të dhëna të cilat kanë të bëjnë me, vendndodhjen, pronësinë, veprimtarinë që ushtron, numrin e të punësuarve, xhiron e bërë, si dhe të dhëna ta tjera ekonomike. Po ashtu pjesë e regjistrimit do të jenë edhe të dhënat e ofruara nga Qendra Kombëtare të Regjistrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ajo e Doganave dhe institucione të tjera shtetërore. Krahas orientimit të politikave, qëllim tjetër për të cilin kërkohet regjistrimi është edhe marrja e të dhënave të besueshme për çdo njësi, në mënyrë që të krijohet një bazë të dhënash edhe për njësitë e qeverisjes vendore. Administratorët ose pronarët e bizneseve janë të detyruar që të ofrojnë informacion të sakte pasi në të kundërt do të përballen me sanksione. INSTAT-i do të jetë organi kryesor i ngarkuar për kryerjen e regjistrimit. Ky i fundit do të punojë nën mbikëqyrjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit, i cili do të ngrihet posaçërisht për këtë qëllim. Krahas kësaj INSTAT-i parashikohet të bashkëpunojë edhe me organet e qeverisjes vendore, zyrat e tatim-taksave, etj.

Tregtia me jashtë, eksportet rriten 114 për qind

Tregtia me jashtë ka hyrë në një fazë zhvillimi pozitiv për vendin, sidomos në pjesën e parë të vitit, ku vihen re shenja të zbutjes së deficitit. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se në muajin maj, deficiti tregtar ishte 23,8 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 7.6 përqindësh krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 19.2 përqindësh krahasuar me majin 2009. Ndikim në uljen e deficitit kanë dhënë sektori i energjisë elektrike dhe mineralet, të cilat i kanë rritur eksportet në nivele të konsiderueshme. Të dhënat flasin se eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit me 163 për qind, krahasuar me muajin prill 2010. Sipas KESH-it, eksporti i energjisë ka kapur majat e rekordit, në rreth 75 milionë euro në 6 muaj aktivitet, kurse mineralet janë duke përfituar nga rritja e çmimeve në tregjet e huaja. Konkretisht, eksportet në muajin maj regjistruan një nivel prej 17,6 miliardë lekësh mallra, me rritje 41.3 për qind në krahasim me muajin prill 2010 dhe rritje me 114.5 për qind në krahasim me majin 2009, ndërsa importet ishin 41,5 miliardë lekë, me rritje 8.4 për qind, në krahasim me muajin prill 2010 dhe rritje 10 për qind në krahasim me majin 2009. Sa i takon grup-mallrave, eksporti i ushqimeve, pije dhe duhan u rritën me 20.5 për qind, produktet kimike dhe plastike me 17.7 për qind, ndërsa eksporti prodhimeve të drurit dhe letrës janë ulur me 7.4 për qind etj. Të dhënat flasin për një rigjallërim të tregut të fasonëve, prodhuesve të veshjeve, me lëndë të parë nga jashtë. Sipas INSTAT-it, importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 25.1 për qind, kurse pjesa e “Tekstileve dhe këpucëve” u rrit me 16.3 për qind. Treguesi tjetër i rritjes së investimeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, pati një zhvillim prej 23.3 përqindësh. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 62 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

Shku
Prifti viziton zyrat e OSSH-së: “Shërbejini më mirë konsumatorit”

Pala shqiptare mbështet Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë gjatë punës së përditshme të tij, në mënyrë që konsumatorit shqiptar t’i shërbehet më mirë dhe t’u jepet fund abuzimeve. Një fakt të tillë, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti ia komunikoi drejtorit të Përgjithshëm të OSSH-së, Jozef Hejsek, gjatë një vizite në zyrat e kompanisë CEZ, e cila ka privatizuar rreth një vit më parë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Prifti u informua nga Hejsek, lidhur me punën që është bërë nga kompania gjatë një viti që nga momenti i privatizimit, si dhe objektivat e synuar për t’u realizuar në të ardhmen.
Në fjalën e mbajtur në këtë takim, ai vlerësoi punën e bërë nga kompania CEZ gjatë vitit të parë të privatizimit të OSSH-së, por Prifti nuk mohoi as faktin se gjatë këtij viti ka pasur edhe probleme. Prandaj, sa i përket se ardhmes, ministri Prifti ka kërkuar më shumë vëmendje nga ana e kompanisë CEZ në disa çështje në funksionimin e OSSH-së. Ai i garantoi përfaqësuesit e OSSH-ë se qeveria dhe parlamenti do t’i mbështesë ata, me krijimin e legjislacionit të nevojshëm, në mënyrë që konsumatorit shqiptar t’i shërbehet më mirë, më shpejt dhe në mënyrë transparente, si dhe që të mos ketë më abuzime me energjinë elektrike.

Banka Islamike, 40 milionë dollarë kredi për ndërtimin e rrugëve rurale

Ndërtimi i rrugëve rurale ka përfituar edhe një kredi tjetër prej 40 milion dollarë nga Banka Islamike e Zhvillimit dhe Fondi i solidaritetit Islamik. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë ministri i Financave, Ritvan Bode tha se, me këtë financim do të ndërtohen 170 kilometra rrugë në verilindje të vendit, ndërkohë që sipas tij po negociohen edhe kredi të tjera. "Kjo përbën një instrument shumë të përshtatshëm për zëvendësimin e përdorimit të fondeve të brendshëm me kredi zhvillimi dhe jo vetëm bankat që deri më sot kanë marr pjesë, po ne jemi duke mbyllur negociatat edhe me donatorë të tjerë, përfshi këtu dhe fondin japonez, të bashkëpunimit dhe konsolidimit me një vlerë të konsiderueshme dhe do të bëjmë të mundur që brenda këtij viti ne të kompletojmë vlerën, paketën totale të financimit të asfaltimit të 1500 km rruge rurale",- tha ministri i Financave, Bode. Qeveria ka një program për financimin e 400 milion dollarëve në ndërtimin e 1500 kilometrave rrugë rurale. Pjesë e këtij programi ishte edhe kredia e nënshkruar së fundi.

Produktet “bio”, vendet e BE-së nga sot vendosen etiketat e reja

Konsumatorëve evropianë do t’iu zbulohen sot etiketa e reja, të detyrueshme nga 1 korrik, për identifikimin e produkteve ushqimore organike në përputhje me rregullat si dhe masat mbrojtëse të kërkuara nga BE. Pika kryesore e emërtimit të ri do të jetë Eurogjethja: dymbëdhjetë yje të ndritshme që përshkruajnë në sfond një gjethe të gjelbër e të ndritshme dhe me një kometë në qendër, zgjedhur nga 500 milionë qytetarë të BE. Por jo vetëm. Rregullat e reja për etiketimin shtrojnë si detyrim dhe përcaktimin e vendit të kultivimit ose të mbarështimit të përbërësve, përveç kodit identifikues të njësisë së kontrolluar. Nga sot do të operojnë në Evropë edhe normat e reja për produktet “bio” edhe në sektorin e ujërave. Një hap i rëndësishëm ky, sepse shumica e peshqve që përfundon deri në pjatat e evropianëve vjen nga fermat, dhe rregullat e reja stabilizojnë kushtet që duhet të respektohen në të gjithë BE-në, në rritjen biologjike të peshkut, butakëve dhe algave. Një periudhë kalimtare prej dy vitesh do të lejojë operatorët për tu përshtatur, dhe deri në këtë periudhë mund të bashkëjetojnë etiketat e reja me ato të vjetra.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 30.06.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.78%
12M 12-mujor 6.89%
6M 6-mujor 5.86%
3M 3-mujor 5.32%
1M 1-mujor 5.12%
1Ë njëjavor 4.75%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.56%
1Ë njëjavor 6.19%
o/n njëditor 5.69%
12M 12-mujor 8.80%
6M 6-mujor 7.61%
3M 3-mujor 6.99%

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›