E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerdecit i kthehen banoret

Artan Cena

Ne rruget e fshatit Gerdec nuk sheh me predhat e paplasura qe kercenonin ditet e pasngjarjes. Banoret nuk tentojne me te arratisen me tesha ne krah per te lene banesat, ndersa dje per here te pare kane nisur te hapen dyqanet dhe lokalet e para. Gerdeci duke se po le pas ditet e zeza te tragjedise, ku vdiqen 24 persona, nje pjese e te cileve ne spitalet brenda dhe jashte vendit. Por, 12 dite pas shperthimit ne bashkebisedim ndihet tensioni dhe trauma qe kane pesuar. "Isha ne banese, kur plasen predhat. Mora femijet dhe ika me vrap", tregon Shpetim Hoxha, nje banor i fshatit, i cili eshte ulur ne cep te murit rrethues te shtepise dhe shikon se cfare i ka ndodhur nderteses. "Shyqyr qe shpetova familjen dhe faleminderit shtetit qe po kompenson keto demtime, se nuk do mundja ta ndertoja nga e para shtepine", vazhdon ai, duke mos ia ndare asnje moment syte shtepise se rrenuar.

Por dhe pse situata duket e normalizuar, forcat e dislokuara te ushtrise dhe policise duket se do e mbajne dhe per pak kohe te "pushtuar" Gerdecin, deri ne pastrimin e plote te zones nga rreziku i predhave, qe, sipas gjeneral Shpetim Spahiut, mund te jene edhe te ngulura nen toke. Jeta duket se ka filluar plotesisht, pasi ne fshat jane hapur dhe dyqanet e para, mes rrenojave. Dhe pse ushtria ka bere thirrje per kthimin e banoreve ne shtepite e tyre, ata perseri nuk lejojne njerezit te shkojne deri ne afersi te kraterit, per shkak te rrezikut te ndonje predhe te "fshehur". Pronari i dyqanit te pare te hapur ne kete zone pas shperthimit, Shpetimi, tregon se, "po mundohem t'u vij ne ndihme banoreve, te cilet jane kthyer dhe kane nevoje per ushqime, apo asortimente te tjera".

Ushtarake te larte tregojne se ende ne fshat nuk jane kthyer te gjithe banoret. Ne shtepite qe kane demtime te mesme e te lehta jane sistemuar nje pjese e familjeve ose kryefamiljaret, kurse pjesa tjeter ndodhen te te afermit. Tek-tuk mund te shohesh edhe ndonje femije, por jo afer zones se minuar. Dje ne Gerdec kane arritur te hyjne edhe punonjesit e Korporates Elektroenergjetike, te cilet jane duke punuar per kthimin e energjise ne shtepite e banoreve. Ne fshat viheshin re shtyllat e reja te betonit dhe kabllot elektrike te linjave te energjise. Kurse nje grumbull banoresh ndjekin me vemendje procesin, duke shpresuar qe se shpejti Gerdeci te kthehet me mire se me pare. "Jetojme ne shtepi, ne dhomat qe nuk jane prishur, derisa qeveria te na kompensoje per demet qe kemi", shprehen banoret e kthyer ne banesa, per te ruajtur pronat, se bashku me policet dhe ushtaraket.

Latif Veliaj: "Im bir nuk eshte kompensuar"

Jo te gjithe banoret jane te kenaqur nga kompensimet qe kane marre nga shteti gjate ketyre diteve. Dhe pse kane perfituar ndihma te ndryshme, familja Veliaj, burre dhe grua, tregojne se djali i tyre, i cili eshte i semure, nuk eshte perfshire ne listat e kompensimit qe jane bere deri tani. "Falenderojme shtetin qe na ka kompensuar, duke na ndihmuar dhe te gjejme nje vend ku te fusim koken, por jemi ankuar pasi djali yne i madh, qe eshte i martuar dhe me dy femije, nuk eshte perfshire ne lista", thote Latif Veliaj. Ai fajeson kryeplakun e fshatit qe djali i tij nuk ka marre shperblimin qe i takon, pasi ata jane te ndare dhe prej 10 vitesh vuan nga semundja e nuk ka marre asnje lek. "Kemi degjuar qe per personat te cilet nuk kane emrin te paraqiten ne Bashkine e Vores dhe kete do bejme", shton Veliaj. Ata jane kthyer ne shtepine e tyre vetem per ta pare, pasi jane larguar perseri ne drejtim te Durresit, ku dhe strehohen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›