E Diel, 1 Nëntor 2026

Geri Malaj-Kola, 17-vjeçari që shkëlqen në Spanjë

Nga Altin Shordi
17 vjec. 1 metër e 85 cm i gjatë. 74 kg. Nga të dhënat mund të presësh një lojtar regbie ose një basketbollist me të ardhme, e shumta një mbrojtës qendre apo pykë në futboll. Por Geri Malaj, futbollisti i parë shqiptar pjesëtar i një klubi të Primera Ligës spanjolle është fantazist. Javën e kaluar Deportivo la Koruna, një skuadër elitare e dekadës së fundit në kampionatin vendas por edhe në Champions League, e mori nga të rinjtë për ta bashkuar me ekipin e parë. Foto e tij me të lojtarin më të famshëm të klubit, Valeron bënë xhiron e gazetave spanjolle. "Marca" e përditshmja më e madhe i kishte dedikuar titullin e madh të njërës prej faqeve të saj. Në Shqipëri lajmi i grumbullimit të 17-vjecarit me ekipin e parë të Deportivos, ishte një surprizë e vërtetë. Në Federatë hapën sytë të cuditur sesi ky futbollist nuk kishte përfunduar në listat e tyre. Më pak të habiturit, ishin të afërmit e lojtarit në Kucovë. Xhaxhai i tij, Lefter Malaj, një trajner moshash thotë se nuk kishte asnjë dyshim se Geri (i vetëpagëzuar me këtë emër në Spanjë) do të shpërthente. Sipas tij, është vetëm cështje kohe kur ai do të jetë një futbollist me emër i Shqipërisë dhe i kampionatit spanjoll. Ja argumentet e tij… Si përfundoi Geri në Spanjë? Është larguar pak më shumë se 3 vjec. Babai i tij, vëllai im, është një muzikant i njohur. Pas një koncerti në Lion, ai u punësua në vitin 1993 nga orkestra Simfonike e qytetit të La Korunës, ku bën pjesë edhe sot. I ati dëshironte që Geri të bëhej një muzikant dhe ishte e natyrshme që e shtyu në këtë rrugë. Por ai kishte një prirje tjetër, që ishte futbolli të cilin e nisi që 7 vjec. Për të shkuar deri te ekipi i parë i Deportivos, lojtari duhet të ketë pasur një të shkuar të pasur me të rinjtë. Shkurtimisht, cila është karriera e tij? E ka filluar futbollin në shkollën e futbollit "Ural". Ka bërë emër aty, duke fituar thuajse të gjitha trofetë në të cilat ka marrë pjesë për kategorinë e moshës së tij. Në vitin 2001 është shpallur lojtari më i mirë i një turneu ndërkombëtar në Portugali për moshën nën 12 vjec, me pjesëmarrjen e shumë ekipeve të mëdha. Në vitin 2002 kartoni i tij u ble nga Deportivo për 13 mijë euro, që në moshën 12-vjecare nuk është një shumë e vogël. Por ajo që është më interesante ka të bëjë me faktin se ai u përzgjodh pasi klubi kishte vëzhguar në rreth 20 mijë skuadra në të gjithë botën për futbollistë të kësaj grupmoshe. Sivjet tek skuadra e të rinjve, me Gerin kapiten, fitoi për herë të parë në historinë e klubit, kampionatin spanjoll. Ai luan njëkohësisht me të rinjtë dhe ekipin Shpresa të Deportivos dhe së fundi stërvitet me ekipin e parë. Cilat janë karakteristikat e lojës së tij? Është shumë i shpejte me dhe pa top. Luan me të dy këmbët dhe përdor shumë mirë topin. Ka vizion shumë të mirë të lojës dhe ka një hapje po të tillë të saj. E vlerësojnë për ritëm të larte pjesëmarrjeje dhe përqendrimi në lojë. Dhe është një udhëheqës i fuqishëm në fushë dhe jashtë saj. Jo rastësisht ka qenë thuajse përherë kapiten në cdo ekip ku ka luajtur. Në klub e quajnë pasardhësin e brazilianit Donato që ka luajtur deri 40 vjec për këtë klub. Shumë gazeta e kanë quajtur "Zidane i ri" A keni pasur ndonjë kontakt me zyrat e talenteve të Federatës, ose vetë me këtë të fundit? Kemi pasur, por një punonjës i FSHF-së, më ka thënë se kishte shumë shpenzime për ta sjellë në Shqipëri që të luante. Duke qenë se shumë futbollistë shqiptarë, preferojnë kombëtare të tjera, e pashmangshme pyetja se kë preferon vetë Geri? Shqipërinë natyrisht, ndonëse ka edhe pasaportë spanjolle. Aktualisht ai luan me përfaqësuesen U-19 të Galicisë, por nuk ka asnjë rrezik që ai dëshiron të luajë për Shqipërinë. Është larguar tre vjec nga vendi, por e flet shumë mirë shqipen. Duket një mister, mbiemri i tij Malaj-Kola. Si është e vërteta? Spanjollët kanë një ligj që e detyrojnë një nënshtetas të ri që të mbajë mbiemrin e babait dhe nënës së tij. Kështu ka ndodhur edhe me të, në momentin kur ka marrë pasaportën. Për të mos ia prishur prindërve, në fanellë mban emrin e tij të parë: Geri. Skeda Emri: Geri Malaj-Kola Roli: Mesfushor i avancuar 1993- Emigroi ne Spanjë 1996- Regjistrohet ne shkollën e futbollit « Ural », një nga shkollat më prestigjoze të qytetit të La Coruna 1997-1998 – Kamion i Galicisë për grupmoshën e tij në Galici dhe golashënuesi më i mirë me 32 gola 2001-2002 –Kampion i turneut Coimbres, në Portugali, ku i jepet titulli i lojtarit dhe golashënuesit më të mirë, mes shumë klubeve të njohura. Kalon te Deportivo për 13 mijë euro 2005-2006 Nën Kampion i Ligës Nacionale dhe kampion i Ligës Lokale " Juvenil C" 2006-2007- Fiton titullin kombëtar të Spanjës duke qenë kapiten i ekipit të të rinjve. Nëntor 2006 luan me ekipin e Division de Honor dhe është zgjedhur në Përfaqësuesen Sub-18 te Galicies, Spanjë. Prill 2007: Grumbullohet me ekipin e parë të Deportivos

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›