Flash nga Maqedonia: Shkëndija me probleme financiare

ASA (Albania Sport Agency)- Pas premtimeve të marra nga kryesia e klubit të Shkëndijës, futbollistët kuqezi të hënën kanë vendosur të dalin në stërvitje. "Vendosëm të dalim në stërvitje. Sekretari na ka premtuar se të martën do të shlyhen disa nga obligimet që ka klubi ndaj neve lojtarëve.
Më saktësisht do të jepen nga dy rroga dhe nga një pjesë e kontratave, së paku kështu na është thënë. Mbetet të shihet se cka do të sjellë dita e martë. Në të kundërtën ne ende nuk kemi vendosur se cfarë hapi do të ndërmarrim, sepse duhet të bisedojmë të gjithë lojtarët, nëse edhe të martën nuk ka asgjë, atëherë do të luajmë për publikë dhe më pas do të vendosim", është shprehur kapiteni kuqezi, Armend Elezi.
Ndërkohë edhe përkundër insistimit tonë, sekretari i Shkëndijës, Vloran Bexheti nuk deshi të jap asnjë koment, nëse të martën do të shlyhen borxhet ose jo ndaj futbollistëve të Shkëndijës.
Takimi it ë mërkurës ndërmjet Shkëndijës dhe bashkimit do të zhvillohet në orën 13:00, ndërsa prej orës 16:00 Renova do të përballet me Pobedën.
Ditë e keqe për Bashkimin
Bashkimi i Kumanovës ka përjetuar një humbje të thellë në përballjen me Napredokun. Sipas ndihmëstrajnerit, Erkan Jusuf skuadra e tyre në takimin kundër kërcovarëve kishte dështuar në të gjitha repartet. "Dështuam plotësisht, madje mund të them se kemi pasur edhe fat, sepse humbja ka mundur të ishte edhe më e thellë. Në fillim i patëm disa veprime të mira, por në vazhdim të ndeshjes loja jonë filloi të zbehet. Ishte edhe një ditë e keqe e jona", u shpreh Jusuf. Ai thotë se të mërkurën luajnë kundër Shkëndijës dhe shpreson se do të kenë paraqitje shumë më të mirë. "Edhe ata kanë probleme kohëve të fundit. Prandaj shpresoj se do të kemi një lojë shumë më të organizuar se kjo e fundit në Kërcovë. Të mërkurën do të jemi në dilemë për pozitën e portierit, sepse Miftari ka tre kartonë të verdhë dhe ndoshta do të mungojë, kështu që Ajdini mund të jetë portier i parë", tha në fund Jusuf. Ndeshja midis Shkëndijës dhe Bashkimit do të luhet në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe do të fillojë në orën 13:00.
Tifozë të Pelisterit sulmojnë autobusët e KF Renova
Në javën e 25-të të kampionatit të Maqedonisë ndërmjet Pelisterit dhe Renovës, tifozët vendas, të ashtuquajtur "Ckembari" kanë sulmuar autobusin e lojtarëve dhe të publikut mysafirë nga Tetova, duke u shkaktuar dëmtime serioze. "Janë lënduar katër tifozë tanë, të cilëve ndihmë iu kanë dhënë mjekët nga Manastirit, edhe atë në vend ngjarje. Njëri nga tifozët ka marrë lëndime serioze, ndërsa tre të tjerët kanë kaluar me dëmtime më të lehta", tha kryetari Ekrem Sadiku. Ndërkohë drejtori sportiv i Renovës, Lirim Saiti thotë se mikpritja nga ana e Pelisterit ka qenë korrekte, por pas përfundimit të ndeshjes disa tifozë të skuadrës vendase kanë sulmuar dy autobusët e tyre. "Mikpritja nga ana e organizatorëve dhe loja ka qenë e mirë. Por, pas përfundimit të ndeshjes tifozët tanë duke hyrë në autobus kanë qenë të sulmuar nga disa tifozë të Pelisterit, të cilët gjuanin me gurë, ku thyen xhamin e autobusit. Të dy autobusët ishin afër njëri tjetrit, por ata kanë gjuajtur autobusin e tifozëve. Me ne ishin afër 60 tifozë të cilët na kanë përkrahur gjatë ndeshjes. Edhe autobusi i lojtarëve ka qenë në shënjestër të tifozëve të Pelisterit, por nuk ka pasur ndonjë dëmtim të madh, sepse policia reagoi me kohë dhe evitoi më të keqen", u shpreh ai.
Sipas drejtorit të Renovës, gjykimi ka qenë shumë real dhe se me plotë meritë kanë shënuar fitore. "Referimi ka qenë korrekt. Ne falënderojmë edhe lojtarët tanë për maksimumin që dhanë në fushën e lojës dhe tani të shpresojmë se jemi më afër daljes në Evropë", ka thënë në fund Saiti.