E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërmime me ekskavator në Butrint

Dy net më parë në zonën e Parkut Kombëtar të Butrintit, i shpallur si Pasuri Botërore e UNESCO-s, janë bërë gërmime me ekskavator. Mjeti i rëndë që gërmonte në orët e vona të natës, kryente punime në zonën midis Gjirit të Armurës dhe derdhjes se Kanalit të Butrintit në det. Ky territor është i përfshirë në listën A si zonë ku është rreptësisht e ndaluar kryerja e aktiviteteve. Punimet e ekskavatorit janë konstatuar nga deputeti i PS-së, Auron Tare, njëherazi ish-drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit. Tare, në një prononcim të dhënë dje për "Gazeta Shqiptare" u shpreh se ka mësuar që punimet e zhvilluara gjatë natës kanë si qëllim çeljen e një rruge për të përdorur plazhet e zonës së quajtur Pema e Thatë. 

Ky i fundit ka lajmëruar autoritetet e zonës arkeologjike që mbrohet nga shteti. Ende nuk dihet se cili ka qenë reagimi i drejtuesve dhe nëse do të ndalohen punimet e kryera natën vonë në një territor të mbrojtur me ligj. Parku Kombëtar i Butrintit ka qenë zona e parë e mbrojtur në Shqipëri, për të cilin është aplikuar një projekt pilot i mbështetur nga Banka Botërore. Kjo e fundit ka trajnuar një forcë speciale për të ndaluar çdo aktivitet të paligjshëm në këtë zonë. Në vitin 2005 ky projekt u ndërpre dhe ruajtja e parkut bëhet me roje private. Ruajtja e monumenteve të kulturës dhe parqeve kombëtare bëhet në të gjithë Shqipërinë me roje private, një mënyrë që si duket nuk është efikase për të parandaluar problemet e shumta të menaxhimit të këtyre zonave. 

Parku
Butrinti u shpall qytet muze në qershor të 1961-shit dhe është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit, që mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga Kanali i Vivarit. Në përbërjen e saj gjenden lloje të shumta drurësh me gjelbërim të përhershëm si, dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës. Drurët që arrijnë lartësi deri 12 metra kanë një diametër 60-80 centimetra dhe arrijnë moshë maksimale 200-vjeçare. Shpella e Butrintit ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicionin e saj, është e përmasave të mëdha. Ka një sipërfaqe 110 metra katrorë, ka hapësirë të gjerë me zgjerime nga hyrja e saj dhe është e ruajtur mirë, në gjendje natyrale. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore. Ujësjellësi i Butrintit ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.50 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur, ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli. Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tri dhoma ndodhet në pjesën jugore të Akropolit, në perëndim të ndërtesës me Peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi, i cili datohet në shekullin e parë pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›