E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama duarbosh në zgjedhje, PS: Basha s’ka lidhje me Tiranën

TIRANË- Deputeti demokrat Gerti Bogdani tha se kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama se në zgjedhjet vendore do shkojë duarbosh tek qytetarët, ndërsa e akuzoi se përfaqëson politikën e shpifjes e përbaltjes.

“Të gjithë në Tiranë e dinë se politika e shpifjes dhe e përbaltjes është e vetmja rrugë e Edi Ramës, në të cilën ai po përpiqet të mbulojë faktin se nuk ka asnjë bilanc në punët e bashkisë dhe faktin që vjen para qytetarëve të Tiranës në këto zgjedhje duarbosh. Lulzim Basha është ndryshe, ai cdo ditë është në mes të qytetarëve të Tiranës, duke dëgjuar problemet dhe shqetësimet e tyre dhe duke ndarë me ta zgjidhje për këto probleme”,- tha Bogdani.

Nuk kanë munguar akuzat as nga kampi i majtë. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare Megi Ajtyresa, deklaroi sot se Lulzim Basha nuk i njeh hallet e qytetarëve dhe se nuk ka lidhje me Tiranën. Përgjigjen që meriton sipas saj, Basha do ta marrë në 8 Maj.

“Kandidatin e PD-së e pamë sot teksa shëtiste në njësinë numër 9 Tiranë. Sapo hapi gojën, trgoi sërish që nuk ka lidhje me Tiranën dhe tiranasit. Sot banorët e njësisë 9, iu ankuan haptas mëkëmbësit të Saliut, për varfërinë e ulur këmbëkryq, por Luli nuk e kuptoi mesazhin e tyre. E vërteta është se për cdo 100 lekë taksë që harxhon një qytetar i Tiranës, vetëm 10 lekë shkojnë tek Bashkia e Tiranës, që gjelbëron qytetin, 90% e taksave shkojnë tek qeveria e Lulit, që deri tani ka sjellë plot 1 milionë të papunë e 32 të vdekur nga dora e pushtetit. Nëse Luli se kupton sot këtë mesazh, le të presë deri në 8 Maj, e të marrë edhe një mesazh më të fortë, votën kundër të qytetarëcve të Tiranës”,- tha Ajtyresa.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›