Gërxhaliu: Ndihmonani me CEFTA-n
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës , Safet Gërxhaliu, në një takim pune të hënën me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Zhan Fransua-Fitu, ka kërkuar nga ambasadori francez që të ndihmojë Kosovën tash në kuadër të CEFTA-s dhe në rend të parë me Serbinë, që preferencat ekonomike të cilat nuk i ka më Kosova të kthehen prapë dhe produktet e vendit tonë të jenë ato që do të mund të depërtojnë në tregun rajonal e evropian.
“Çfarëdo qofshin krizat politike nëpër të cilat po kalon Kosova si dhe pa marrë parasysh kohëzgjatjen e tyre, ne si OEK mendojmë se kurrë nuk duhet harruar se fuqia e një vendi nuk matet me numrin e partive politike dhe politikanëve, por me prodhimin kombëtar, eksportin, ruajtjen e ambientit, avancimin e përdorimit të alternativave energjetike dhe teknologjive të reja, zhvillimin e informatikës”, tha Gërxhaliu.
Kurse ambasadori francez, Zhan Fransua-Fitu, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij që edhe më tej të ndihmojë Kosovën në të gjitha lëmit, por edhe i ka porositur biznesmenët kosovarë që të kenë besim te vetvetja dhe që të mos presin që dikush tjetër t’u ndihmojë në zgjidhjen e problemeve me te cilat ballafaqohen.
“Kosova duhet që t’i marrë gjërat në dorë, sidomos kur flasim për ekonomi, partneriteti me shtetin tim është në dukje dhe shihet se kemi partneritet, që të kemi promovim dhe të promovojmë Kosovën si shtet. Po ashtu që t’i ftojmë investitorët, të kemi një punë që do t’u ndihmojmë të rinjve të gjejnë punën në Kosovë dhe po ashtu të bëjmë diçka për të ardhmen e Kosovës”, është shprehur Fitu.