Java e negociatave
Kjo javë pritet të jetë vendimtare për krijimin e Qeverisë e cila pritet votohet në Kuvend para përvjetorit të tretë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, do t’ia jep mandatin Hashim Thaçit që të filloj bisedat me partitë politike për krijimin e koalicionit qeveritar.
Zyra e PDK’së në Parlamentin e Kosovës për disa ditë do të shndërrohet në vendin ku do të shpalosen ofertat dhe kërkesat e partive që synojnë të bëhen pjesë e ekzekutivit.
Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme dhe beson se tashmë i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë. Por partia e Thaçit është e interesuar që në koalicion t’i ketë së paku dy grupe parlamentare nga partitë shqiptare.
Negociatat do të përqendrohen në krijimin e një qeverie mes PDK’së, AAK, AKR’së dhe pakicave, formulë të cilën besohet se e përkrahin edhe ndërkombëtarët.
Anëtari i Kryesisë së PDK’së Memli Krasniqi ka deklaruar të dielën për Express se ende nuk ka asgjë konkrete sa i përket ndarjes së pushtetit mes partive.
Sipas tij, vetëm për Hashim Thaçin tashmë dihet pozita që do të ketë, ndërsa të tjerat janë të negociueshme.
“Tash për tash, e vetmja pozitë udhëheqëse në Kosovë, që dihet me siguri se nga kush do të udhëhiqet, është pozita e kryeministrit që udhëhiqet edhe tani dhe në të ardhmen nga zoti Hashim Thaçi, i cili ka mandatin e PDK’së dhe të qytetarëve të Kosovës për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme. Për të gjitha pozitat e tjera, besoj se do të ketë zhvillime, të cilat do të merren vesh në ditët e ardhshme, sepse tani për tani nuk ka absolutisht asgjë konkrete”, thekson Krasniqi.
Ai po ashtu bëri të ditur se ftesat për partitë parlamentare për të biseduar për koalicion do të dërgohen menjëherë pas certifikimit të rezultateve.
“Se cilave parti do t’u dërgojmë ftesa e cilave jo, kjo pritet të vendoset shumë shpejt në organet e partisë. Edhe pse ne, orientimisht, e dimë se kush mund të ftohet e kush jo”, tha ai.
Krasniqi tha se PDK’ja ka vullnet dhe është duke punuar që krijimi i Qeverisë së re të ndodhë para përvjetorit të tretë të pavarësisë së vendit.
Burime të Express brenda PDK’së kanë bërë të ditur në kushte anonime se ndarja e pushtetit mes partnerëve do të varet krejt nga fakti se cilat nga partitë do të hyjnë në koalicion.
“Nëse koalicioni përbëhet prej PDK’së, AAK’së, AKR’së dhe minoriteteve, posti i Presidentit nuk do t’i takoj dikujt nga këto parti. Në këtë variant ndërkombëtarët e mbështesin Edita Tahirin. Nëse AAK kërkon shumë resorë dhe PDK nuk pajtohet, atëherë riaktivizohet mundësia që lideri i AKR’së Behgjet Pacolli të marrë më shumë ministri dhe të kërkojë postin e Presidentit. Por në të gjitha variantet, është gati plotësisht e sigurt se AKR do të jetë partner i Qeverisë së ardhshme”, kanë thënë burime të gazetës.
AAK me tri opsione
Një zyrtar i lartë i AAK’së, ka treguar me kusht anonimiteti të gjitha variantet dhe qëndrimet që aktualisht mbizotërojnë në partinë e Ramush Haradinajt për mundësinë e hyrjes në koalicion qeverisës me PDK’në.
Ky zyrtar që ka rol kyç në krijimin e politikave të AAK’së, ka deklaruar të dielën se në këtë parti nuk ka ende ndonjë qëndrim për koalicionin përveç atyre të mëhershmeve, por është në pritje të ftesës së PDK’së.
“AAK’ja aktualisht është me dy qëndrime që kanë qenë edhe më herët. Njëri ka qenë pra që AAK’ja nuk hyn në koalicion me PDK’në dhe i dyti ka qenë propozimi për krijimin e një koalicion mes PDK’së, LDK’së dhe AAK’së. Ndonjë qëndrim apo diçka tjetër të re nuk ka. Ne po presim certifikimin e rezultateve dhe atëherë do të shohim ofertën e PDK’së, do ta analizojmë dhe do të dalim me qëndrimin tonë. Gjithçka do të jetë transparente në këtë aspekt”.
AAK’ja deri tani nuk ka diskutuar ende për koalicionin brenda strukturave të vendimmarrëse.
“Megjithatë AAK’ja do të jetë shumë e përgjegjshme. Do të shkojë në bisedime për koalicion, do të analizojë dhe shqyrtojë ofertën dhe do të marrë vendim shumë shpejt në mënyrë që pavarësisht qëndrimit tonë, krijimi i institucioneve të reja të bëhet sa më shpejt”, ka thënë zyrtari i AAK’së.
Partia e Haradinajt është e habitur me neglizhencën që po tregon LDK’ja në krejt këtë proces të krijimit të institucioneve.
“Ne, pas analizave që kemi bërë, kemi menduar se në këtë kohë, për vendin më së miri do të ishte koalicioni mes tri partive që për shkak se deri në zgjedhjet e reja i kishim kryer të gjitha reformat e duhura dhe do të ishte një stabilitet më i madh politik. Por LDK’ja nuk ka treguar ndonjë sinjal zyrtar edhe pse zyrtarë të saj na kanë thënë se ky variant është i duhur. Por siç duket ata kanë probleme të brendshme dhe nuk kanë ndonjë qëndrim konkret”, ka bërë të ditur zyrtari i AAK’së.
Edita Tahiri presidente?
Edhe nëse koalicioni i ri përbëhet nga PDK’ja, AAK’ja dhe AKR’ja, posti i Presidentit mund t’i mbetet Edita Tahirit, si kandidate femër, e cila ka mbështetje nga ndërkombëtarët, e në veçanti nga ICO’ja.
“Sa i përket pozitës së Presidentit ende nuk ka asgjë të re, përveç asaj që ka deklaruar edhe më herët Kryeministri se President i Kosovës duhet të zgjidhet një person që ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar të dielën Memli Krasniqi i PDK’së.
Edhe zyrtari i lartë i AAK’së ka thënë se ndërkombëtarët janë duke e mbështetur Edita Tahirin për presidente.
Express ka mësuar nga burime brenda partive se shefi i ICO’së, Pieter Feith u ka thënë zyrtarëve të lartë të partive se për Kosovën në këtë fazë më së miri do të ishte që presidenti të jetë femër.
“Ai këtë e arsyeton me faktin e përmirësimit të imazhit të Kosovës i cili do të mund të përmirësohej sado kudo me emërimin e një femre në krye të shtetit”, ka thënë burimi i gazetës.
S’ka ministri të reja
Memli Krasniqi ka bërë të ditur se PDK’ja si parti që do të formojë Qeverinë nuk ka asnjë plan për shtim të numrit të ministrive apo zëvendëskryeministrave.
“Ligji për Qeverinë nuk është miratuar ende dhe me atë Ligj i cili mund të miratohet shumë shpejt, mund të ndodhë ndonjë emërim i ndonjë ministri pa portofol. Për çështjen e zëvendëskryeministrave, kjo është diçka që bëhet me marrëveshje politike sepse nuk parashihet me Ligj rregullimi i numrit të tyre”, ka thënë Krasniqi.
S’ka zgjedhje sivjet
Partitë politike e kanë tashmë të qartë se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë në Kosovë të paktën në dy vitet e ardhshme.
Ambasadorë të Quintit janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja në vend siç kanë kërkuar disa nga partitë politike.
Zyrtarë të PDK’së, por edhe të AAK’së e LDK’së kanë bërë të ditur të dielën se qëndrimi i ambasadorëve të Quintit u është thënë krerëve të këtyre partive.
“Zgjedhje parlamentare në Kosovë nuk do të ketë së paku edhe dy vjet. Ndërkombëtarët na kanë thënë se nuk është mirë dhe ata nuk i mbështesin mundësitë e zgjedhjeve tjera pa u krijuar kushtet e volitshme, pra pa u bërë një reformë e mirëfilltë në sistemin zgjedhor”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK’së.