Kosova ta orientoj ekonominë tek Maqedonia, Shqipëria e BE

Varësia tregtare e Kosovës me Serbinë është një qasje e cila duhet që të ndryshoj pa humbur kohë, sugjeron një ekonomist austriak, i cili ka qëndrim kritik ndaj vëllimit tepër madh të shkëmbimit tregtar (importit) që Kosova ka aktualisht me Serbinë, përkatësisht ish-okupatorin e saj.
Gunther Fehlinger tha në një bisedë me Zhurnal Plus se pavarësia e Kosovës « është një tregim i madh suksesi meqë është korrigjuar një padrejtësi historike dhe prandaj të gjithë qytetarët dhe miqtë e Kosovës kanë arsye për të festuar pesë-vjetorin e pavarësisë ».
Por ai thotë se tash Kosova duhet që mentalitetin aktual të të bërit tregti dhe ekonomi, përkatësisht bashkëpunimin që ka aktualisht me Serbinë ta zhvendos dhe ta orientojë atë drejt vendeve fqinje në jug dhe perëndim të saj.
« Kosova ende ka një mentalitet nënshtrues ndaj fqinjit të saj të madh të veriut dhe është e përqendruar për së tepërmi në çështjet politike, tregtisë, rrymës elektrike me Serbinë », thotë ekonomisti Fehlinger, i cili kishte punuar pesë vite në shtyllën e katërt (për çështje ekonomike) në UNMIK në Kosovë./Indeksonline/